Libri “101 poezi zvicerane” prezanton 101 poezi të zgjedhura zvicerane, të cilat i drejtohen çdo grupi lexuesish: të rritur, të rinj, fëmijë, mësimdhënës dhe lexues e lexuese të tjerë të interesuar.
Nga Prof. Dr. Naxhi Selimi
Tekstet lirike nga autorë të shquar zviceranë i karakterizon gjuha e thjeshtë dhe fuqia argëtuese kuptimthellë e tyre. Ato artikulojnë përvoja dhe përmbajnë elemente të lirikës së shprehjes së mendimit poetik. Gjuha dhe ritmi janë intensive, ekspresive dhe qëndrojnë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Forca e gjuhës poetike shfaqet në paraqitjen e fuqishme, të gjallë dhe figurative të përmbajtjeve dhe shprehjeve letrare.
“101 poezi zvicerane” i fton lexuesit të merren në mënyrë letrare me përmbajtjen e tyre, ta interpretojnë natyrën e tyre bashkëbiseduese kuptimfshehtë, t’i recitojnë poezitë e t’i japin shprehje forcës lirike të gjuhës, t’i rikrijojnë ato në mënyrë virtuoze. Krahas vlerës letrare, poezitë ngërthejnë edhe një komponentë sociale, pedagogjike dhe didaktike, e cila për shembull është tepër relevante për mësimin e letërsisë në të gjitha nivelet e shkollimit. Pos kësaj, libri përmban edhe një komponentë të rëndësishme interkulturore, duke e njohur lexuesin shqiptar më nga afër me letërsinë zvicerane si një aset kulturor të kësaj shoqërie.
Suksesit të këtij libri i ka kontribuuar pa dyshim cilësia e lartë e artit të përkthyesit Kujtim Shabani, i cili këto poezi i ka qëmtuar me kujdes dhe i ka përkthyer me shumë saktësi. Atij i ka shkuar mjeshtërisht përdore që fjalët e poetëve zviceranë t’i japë në mënyrë precize dhe natyrshëm në shqip. Zgjedhja e fjalëve të përshtatshme dëshmon për atë se ai është marrë në mënyrë të thelluar me tekstet origjinale. Kuptimi, humori dhe temperamenti i teksteve origjinale formulohen në mënyrë kaq të goditur, sa lexuesi fiton përshtypjen se poetët vijnë nga një rreth shqiptar. Shkurt: Tekstet flasin shqip.
Me përkthimin e këtyre poezive të çmuara zvicerane, të cilat njëkohësisht janë edhe pasuri e letërsisë evropiane e botërore, Kujtim Shabani ia thërret në kujtesë lexuesit shqiptar përkthyesit e mirënjohur dhe mjeshtrit e fjalës shqipe, si P. Zheji, F. Noli, L. Poradeci, S. Caci, H. Mosi, J. Bllaci, N. Mjeda, të cilët kanë përkthyer në shqip vepra letrare të njohura botërore. Suksesi i përkthyesit dëshmon edhe një herë se gjuha shqipe, me begatinë dhe koloritin e saj, mund t’i japë lexuesit shqiptar çdo gjini krijuese të letërsisë botërore në mënyrë të natyrshme.
Me shpresë se vëllimi do të gjejë një publik të gjerë, i urojmë atij shumë sukses.
ObserverKult