Një zjarr që ka rënë tek zona e njohur si Sarajet në zemër të Tiranës mbrëmjen e së hënës ka rezultuar se është vënë me qëllim.
Policia e Shtetit tha vetëm se “më datë 16.08.2021, rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”, ka rënë zjarr në një lokal, ku ka vetëm dëme materiale.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pohoi se zjarri ishte vënë me qëllim e kamerat e sigurisë e kishin filmuar zjarrvënësin.
Erion Veliaj shkroi në Twitter: “Mbrëmë në orën 23:49, Policia Bashkiake pranë AMK – po, ata që sulmonte Presidenti – kanë njoftuar Sallën Operative për zjarrvënie pranë Monumentit të Kulturës njohur gjerësisht si Sarajet. Në pak minuta zjarrfikësit e Tiranës e kanë shuar zjarrin e qëllimtë në 2 vatra.
Në dallim nga shumë objekte për të cilat bëhet zhurmë pa lidhje si Lodrat tek Liqeni apo ngrehina e tallashit te TK, objekti “Sarajet” është Monument Kulture. Dje, nën stilin e Shkollës Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin.
Kamerat e sigurisë e kanë kapur zjarrvënësin teksa largohet përballë Torre Drin, Policia e Shtetit po punon për ta çuar në pranga. Por, zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit – edhe për këta nuk do të ketë mëshirë. Politikanë që ditën merakosen për Lodrat e natën, zjarrin qytetit!
Në mesnatë bisedova me kryeministrin Edi Rama, i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për Sarajet si një nga aktet e para të qeverisë së re. Ta harrojnë që aty do të ketë ndërtim e ta harrojnë që aty do të ketë zjarr gjer sa të bëhet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24 orë me roje!”.
LEXO EDHE: Shikoni momentet kur flakët përpijnë Sarajet e Toptanëve në qendër të Tiranës (Video)