Arti Lushi: Anomali

Arti Lushi

Dielli në zenit i binte mu në çaçkë të kresë por bezdinë e ndjeu nga ca goditje me intervale të çrregullta në trup. Pak hapa me tutje, disa fëmijë e gjuanin me boçe pishe a kakërdhi. E gjuanin dhe qeshnin.

Vështroi përreth. Nuk njihte as vendin, as njerëzit. Fëmijëve përqeshës donte t’ua lëronte nënat por thjesht u ngërdhesh. Preku barin, kyçet e këmbëve, qafën. Në xhepa nuk kishte as telefon, as dëshmi identifikimi, asgjë.
Donte vetëm të ecte.

Hyri në lokalin e parë që hasi. Sipas një zakoni të vjetër, nga çorapet qiti një kartmonedhë 100 dollarëshe të përthyer katërsh. Porositi hamburger dhe një birrë. Tingujt e këngës iu dukën të ngrohtë dhe ngushëllues. Porositi sërish birrë. Nuk po i jepte drejtim situatës. Ngriti dorën për të thirrur kamarieren dhe i zgjati paratë.

– Zotëri, më falni një minutë- i tha kamarierja, dhe shkoi të bisedojë nënzë me dikë që duhet të ishte përgjegjësi.

Menaxheri iu afrua në tryezë dhe me shumë mirësjellje i tha të porosiste çfarë t’i donte zemra porse “paratë e tua nuk janë të mirëpritura këtu”

Donte të kundërshtonte, të kërkonte sqarime, por e kishin lënë nervat, ose thjesht përtoi. Mund të kishte pafund të zeza si njeri ama asnjëherë nuk i kishte rënë qajrit. Nuk e shpërdoroi zemërgjerësinë e tjetrit. Piu vetëm një gotë ujë dhe doli me kartmonedhën në xhep.

I pëlqente ecja pas një vakti. Vendi ishte i bukur, çdo gjë e përkorë. Dielli lëbyrte ndryshe. Në një qoshe disa të rinj po tymosnin hashish dhe ai u josh nga idea. Të rinjtë e mirëpritën me natyrshmërinë e një miku të vjetër. Kërkoi një tjetër lloj droge dhe ata e sajdisën. Qeshën me lot, edhepse nuk i kujtohej për çfarë. Pastaj donte t’i nderonte çunat për mallin e konsumuar dhe i nxorri kartmonedhën. Ata u panë me sho-shoqin dhe secili me nga një justifikim të ndryshëm, u shpërndanë.

I vetëm vazhdoi gjesdisjen. Dy gra tërheqëse po qëndronin në kryqëzim dhe duke i ngatërruar me prostituta, ai iu qas. Ajo që po mbllaçiste çamçakëz, a thua i lexoi mendjen, e mori prej dore dhe e shpuri në një dhomëz të mobiluar me dru dhe me klimë të freskët. Pasi bënë dashuri, ajo rimori çamçakëzin dhe u vesh. Ai bëri ta paguaj me kartmonedhën por ajo e puthi në faqe dhe u largua.

Kishin kaluar orë qyshse e kishin zgjuar çapaçulat në park dhe dielli nuk kishte lëvizur fare. Në këtë terren të pasigurtë ku çuditë ndërronin vend me mrekullitë, ecja ishte e vetmja mënyrë e qëndrueshme për t’i dhënë ndofarë kuptimi gjithë kësaj që po i ndodhte.

Dhe eci. Shumë. U vel nga bukuria, nga paqja dhe begatia e një bote që pothuajse ia rrokte intuita që e njihte. Dëshira për të racionalizuar ishte më e fortë.

Eci gjersa më në fund pa një fytyrë të njohur. E kishte parë disa herë gjatë ditës por të stampuar në kartmonedhë. Për besë, qenka sozia e Benjamin Franklin, tha. Iu afrua me shpoti.

A u lodhe, Ben?
-Nga pak, faleminderit. Ju?

Kaq u desh dhe ai i tregoi gjithçka që i kishte ndodhur, duke e bërë përgjegjës në njëfarë mënyre për kartmonedhën 100 dollarëshe.

Mirë ta kanë bërë -tha Ben- sepse nuk pranohen paratë në Parajsë.

ObserverKult