Cikël me poezi nga Alban Tufa: Faji nuk është jetim siç kumtojnë fjalitë e urta…


POEZI TË PATHJESHTA PËR NJERËZIT E THJESHTË

FILOZOFIA E RROBAVE

I

-A keni filozofuar ndonjëherë mbi rrobat?
-Jo.
-Po.
-Ik ore. Pirdhu!
-Tjetër punë s’kam pas.
-Pa hë njëherë! Ç’ë?
-Shkrepe!

Rrobat janë vetëdija jonë e parë prej peme
dhe vetëdija jonë e fundit prej qefini.
Janë identiteti ynë i ndryshueshëm,
çdo ditë, çdo epokë,
që nga gjethja (prej të cilës e mbajmë mend Adamin)
deri te kostumi që vesh Ademi (tashmë një miku im),
a te pantallonat prej doku që vesh Albani,
ose bluzat e kuqe që shkruajnë me të zezë mu në gjoks “Albania”.
Prej rrobave përvjedhim bukuritë tona që s’i kemi,
dhe meqë barqet na janë obezë,
blejmë këmisha të gjera,
bluza të gjata.
Ato janë kamuflimi i trupave tanë,
shall, kapuç, kapelë, dhe nuk je më siç ishe.
Ne jemi, si me thënë, rrobat që veshim,
janë rrobat ato me të cilat i shpërfaqemi botës,
Shpejt teshat e reja bëhen ne:
fillimisht marrin aromën tonë,
mandej marrin format tona
të kofshëve, të gjokseve, të shpatullave
të gjunjëve, të vitheve;
përshtaten, bëhen tonat aq heshtur
siç përshtatemi ne me një lagje të re,
dhe nga një lagje e huaj e quajmë e jona.

Me rrobat e përdorura është shumë më e vështirë,
ato janë si fëmijë të pabindur
të cilët njerkën s’e pranojnë për nënë,
kështu rrobat e përdorura duan trupin që kanë patur;
trupin që ka vdekur,
ose trupin që i ka hedhur, njëlloj si të ketë vdekur.
Ato sforcohen, të sforcojnë,
por apet një mëngë ose jakë iu rri shtrembër,
se qafa jonë është o më e hollë, o më e trashë,
por kurrë jo aq sa duhet.

Shkrimtarët dhe fëmijët
i përshkruajnë njerëzit prej rrobave
djali me xhinse,
vajza me fund,
burri me kostum,
plaka me shami,
këmisha me kuadrate
i rrinte mirë burrit me syze,
fustani i me lule
i rrinte mirë vajzës me flokë të gjatë.
Pa rrobat dhe flokët
njerëzit janë si zogjtë e klloçkës,
të cilës ia  merr dhe ia shton sa herë të duash.

II

Ime shoqe ka një marrëdhënie të mrekullueshme me rrobat
i lan në mënyrë të mrekullueshme,
i hekuros në mënyrë perfekte,
i palos si fletët e një libri të trashë,
po ashtu i rendit në raft, si librat e mi me poezi,
i nxjerr që aty pa i’ua prishur rendin, as cepat
i di se ku i ka të dimrit,
ku i ka të verës,
ku janë të linjtat, të pambuktat, të najlontat,
të bardhat, të gjatat, të shkurtrat,
i di të gjithë vendet e mbiemrave të rrobave.
Ajo e di masën e rrobave të veta,
masën e rrobave të mia,
masën e rrobave të të atit,
të së ëmës, të vëllezërve.
Ajo e di se cila rrobë duhet bërë provë kur bëjmë pazar,
e di se ku po më rri ngushtë bluzja që provoj,
edhe pse veshur e kam unë.
Ajo e merr një triko në vitrinë
dhe si të jetë arkeolog, me një të prekur e kupton se sa vlen.
Shkurt; e kam zili marrëdhënien e saj me rrobat,
duke urryer raportin tim me to.

III

Një ditë po i seleksiononte të gjitha
mbi krevat grumbullin me rrobat si dunë,
e ndoqa me vëmendje.
Gjysmat duhen hedhur thotë,
por kurrë nuk i hedh.
Ime shoqe për të gjitha rrobat e saj ka nga një kujtim:
-Këto pantallonat mi ka sjellë daja nga Greqia.
-Këto të tjerat i kam blerë për maturë.
-Ndërsa këto m’i ka blerë mami për datëlindje.
-Këto s’e di kur i kam blerë por i kam veshur ditën e parë kur u takuam.
-S’e mban mend?
-Po këto ç’të kujtojnë?
-S’e di (them me zë). Kujtesa ime mban veç subjekte librash (them me vete).
-Këto të tjerat i kam veshur kur dhamë puthjen e parë.
-Këtë fustan e kam veshur për diplomimin tënd.
-Ndërsa këtë…
-Ndërsa atë…

​​
Të gjitha nuk i vesh më,
më rrinë të ngushta,
ose janë jashtë mode.
Sidoqoftë nuk po i hedh,
me gjasë do i vesh në shtëpi,
o do i vesh kur të dobësohem,
dhe plotë argumente të tjera që nuk qëndrojnë.
Unë sakaq i them:
-Mbaji se nuk hidhen dot kujtimet.

Fund korrik – fillim gusht 2021

GJYSMAT

Jeta të mëson
se gjysma bosh të j​​ep gjysmën plot
se gjysma plot të jep gjysmën bosh
se dy gjysmat bosh bëjnë plotin e hiçit
dhe dy gjysmat plot bëjnë plotin e diçit
ndryshimi nëse kërkon ta gjesh
është gjetja e ndryshme që kërkove
në fundin e një kove
metaforike dilemash
dhe tash

jeta, pasi rritesh diç,
të mëson se je gjysma skiç
e nënës dhe e babait, në një akt dashurie
që lindi pas një mbrëmje mërzie
a mëngjesi të dielash;
kohë bollëku, të vjelash.
Gjithsesi një çast qe
kur u ngjize dhe
erdhe në jetë në gjysmën e dytë marsit
kohën kur macet njëra-tjetrën mbarsin.

Kështu u rrite në një gjysmë dhome
të ndarë me vëllain. Në minder gome
fjete çdo natë tek nga dritarja pe
gjysmën e hënës tek zhytej nën re.
Prej pjesësh jemi,
gjysma kocka
gjysma ujë
pas njëri-tjetrit
të lidhur dujë.

Qershor 2021


FIJET E FAJIT

Po rrah t’u them
se nuk është jetim faji,
siç kumtojnë fjalitë e urta
të cilat krijuesit i kanë çdoherë anonim,
saqë në pamundësi për t’i gjetur iu vunë emrin popull.
Populli është anonimati më i njohur.
Populli është si shteti,
shfajësohet nga të ngjashmit,
por faji nuk mundet të mbetet jetim.

Kushtet e fajit janë të pakta,
duhet një subjekt dhe dy personazhe,
njësoj si dashuria,
një i dashuruar, një që dashurohet
dhe ndjenja në mes që pret të thuhet;
njësoj si urrejtja.
një urryes dhe një i urryer
dhe ndjenja në mes që pret të plasë.
Kështu edhe faji
ka një fajësues e një fajtor
me gabimin që futet në mes si një lumë.

Dy njerëz anash lumit,
fajësojnë ujin që derdhet jashtë shtratit,
-Qeveria i ka fajet që nuk krijoi barriera;
-Zoti i ka fajet që lëshoi kaq shumë shira.

Të rinjtë fajësojnë pleqtë se nuk bëjmë përpara,
pleqtë fajësojnë të rinjtë që kemi marrë huti,
gratë fajësojnë burrat,
burrat gratë e tyre,
fajet shtrihen si rrjeta merimange
në tavanet tona publike;
fajet vijnë prej Amerike;
kanë pamje femine,
disa vijnë edhe prej Palestine.

Tjetri i ka fajet çdoherë,
tjetri na rri si një grusht vrerë,
guri që na vret shpinën
pasi jemi shtrirë në livadh.
Përtojmë të bëjmë tutje
dhe hedhim gurin krejt mllef duke thënë:
Eeh, roptë!

Faji e thamë që nuk mund të mbetet jetim.
Fajet mund t’ia lëmë gurit.

Përmes maj 2021

NJERËZIT E THJESHTË

Shoh shumë njerëz të thjeshtë.
Si i dalloj?
Të gjithë shkojnë në punë (me urban):
takohemi në stacion:
ajo vajza me xhup portokalli
që ia solli dhuratë e motra nga Italia,
prandaj e vesh përditë-
Italisë ia kthen çdo ditë nderin
duke folur gjithë ditën me italianë në call centre;
ai djali me atlete të përdorura
të cilat i kapi me çmim të lirë-
këpucë gjermane, i thanë.
Gjithçka që vjen nga Gjermania,
në mos fortë, është e mirë .
Ai burri me maskën prej cope
të trashë si peshqir trupi;
ajo gruaja me flokët e kuqe
që acarohet sa herë i kërkojnë të tregojë abonenë:
nuk do që askush t’ia dyshojë fisnikërinë.
Ato vajzat e reja,
të cilat kanë ndonjë rrobë të re
veshur
sa për ta ngushëlluar veten
se për veç të ngrënit, puna ia vlen edhe për tu veshur.
Ai plaku
që punon security në një kompani private,
me uniformën e veshur në shtëpi.
Të gjithë kemi abone,
kjo na bën të thjeshtë,
na unifikon, si triskat e frontit dikur:
pa abone je i deklasuar.
Hipim në një urban të prodhimit gjerman
nga shekulli i kaluar.
Kështu e lidhim të shkuarën e huaj
me të tashmen tonë,
pa qenë nevoja: njerëz të thjeshtë.
Shoh plot të tillë
urbani dingaz
si një arkë me qershi të ndenjura
që nuk kanë lënë asnjë hapësirë mes vetes,
shumica janë të varfër.
Varfëria të bën të thjeshtë,
edhe pse me detyrim,
të bën gjithsesi. 

(…) 2021

ObserverKult