Teatri i Kukullave dhe Qendra Kombëtare për Fëmijë “shkrihen” në një godinë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka shpallur tenderin për hartimin e një projekti, për ndërtimin e një qendre multi-funksionale për fëmijë.

Projekti i “Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave”, konsiston në kalimin në një godinë të vetme, të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, si dhe Teatrit të Kukullave, të cilat aktualisht ndodhen në dy zona të ndryshme.

Referuar projektit, vendndodhja e re do të jetë Parku i Liqenit, përgjatë rrugës Dora Distria, përpara kryqëzimit me rrugën Sami Frashëri në Tiranë. transmeton “scan-tv.com”.

“Qendra do të përkufizojë minimalisht sa vijon: Salla ekspozimi, Teatër kukullash, Hapësira mësimi dhe rekreacioni. Mjedise ndihmëse dhe funksionale, Mjediset publike, në funksion të aktiviteteve kulturore” shkruhet në detajet e projektit.

Afati kohor për hartimin e projektit është 1 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është 41.6 milionë lekë.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka shpallur tenderin për hartimin e një projekti, për ndërtimin e një qendre multi-funksionale për fëmijë

———————————————————————————————-

LEXO EDHE: Tjetër kallëzim në SPAK nga Aleanca për Teatrin: “Nëse nuk veprojnë do padisim të gjithë prokurorët”

Një tjetër kallëzim penal u dorëzua sot në SPAK nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Aleanca ka kallëzuar prokurorin Sotir Kllapi, duke pretenduar se ai është bërë palë duke shpërdoruar detyrën.

“Ne e çmojmë veprimin e prokurorit si bërje palë me zyrtarët e korruptuar. Si solidaritet në shkelje të ligjit me kolegët e vet. Ne kemi argumentuar pse prokurori Sotir Kllapi ka shpërdoruar detyrën. Duke u bërë palë me zyrtarët që shkelin ligjin. Ne sot kemi dy prokurorë të SPAK të kallëzuar”.

“Ju garantojmë me fuqinë e ligjit se jemi të gatshëm të çojmë për kallëzim penal të gjithë prokurorinë e SPAK. Nëse ata nuk do të veprojnë për dosjet tona. Sot arrin në 16 numri i kallëzimeve penale dhe nuk kemi asnjë reagim nga SPAK”.

“Dokumenti i dytë është kërkesa që i kemi dërguar prokurorit Edvin Kondili, për çështjen e teatrit. Ne nuk e dimë ende se në ç’fazë janë hetimet për Teatrin. Ne kemi bërë 8 kallëzime vetëm për çështjen e Teatrit”, tha Adriana Kalaja.