Vlora Rexhaj: Një ditë do t’më gjesh

një ditë poezi nga vlora rexhaj

Një ditë do t’më gjesh
Në aromën më të bukur pranverore
Mbështjell me flladin më t’ freskët
Të oqeanit

Trupin mbuluar me gjethet
Më të bukura të stinëve

Do t’më gjesh ulur
Në pragun e hënës
N’pëlhurë të qëndisur
T’Penelopës

Duke thurur për ne
Mallin dhe kujtimet
Nën tingujt e Orifeut

Do të më gjesh
Edhe në netët e thella pus
Duke ndezur për ty
Copëzash meteorësh
N’cepin më t’thellë t’shpirtit tënd

E kur nata zbardhet
N’krah pulëbardhe
Do të kthehem
Të vi tek ti
Të mbështjell plagët e mallit tonë
Me nektarin e brishtë të shpirtit

Gjithmonë do t’më gjesh
Sa herë do t’më kërkosh
Do t’ringjallem për ty
Si feniks nga pluhuri i lotëve t’mi

E buzëdjegur malli yt
Do t’ndahet n’mes dy trupash
N’mes dy shpirtërash
N’mes dy dhimbjesh.

ObserverKult

lexo edhe:

VLORA REXHAJ: ME T’PASË NGAT