Traditat më të çuditshme në vendet më të vizituara të botës

Traditat ndryshojnë gjerësisht në të gjithë botën. Edhe pse mediat na kanë afruar shumë në aspektin gjeografik, duke huazuar kultura të ndryshme, gjithsesi janë disa tradita që jo çdo person i di.

Çfarë duhet të dini nëse jeni duke udhëtuar në vende të ndryshme të botës?

Mos pështyni në Japoni dhe mos i prekni këmbët askujt në Indi. Puthja në faqe mund të jetë një përshëndetje normale dhe e thjeshtë, por në një vend tjetër të botës mund të jetë fyerje e madhe.

Në kohët e sotme njerëzit udhëtojnë gjithnjë e më shumë për turizëm dhe biznes në vende të tjera, ndaj është e nevojshme që gjithmonë të merret informacion për vendin drejt të cilit po udhëtohet.

Më poshtë do të lexoni zakonet në 9-të vende të ndryshme të botës, disa prej tyre bëhen në formën e mirësjelljes ndërsa disa prej tyre janë shumë të çuditshme.

Argjentinë

Kur udhëtoni në Argjentinë duhet të keni parasysh se argjentinasit kanë një koncept të tyrin për hapësirën personale. Njihen si njerëz që të qëndrojnë shumë afër gjatë bisedës. Ndonjëherë edhe mund t’ju prekin rrobat kur flisni. Po të tërhiqeni mbrapsht do t’u duket sikur po i fyeni dhe ata menjëherë do të tërhiqen për t’ju ofruar më hapësirë, thotë Cynthua Lett, studiuese e etikës në sjellje.

Brazil

Sa herë që hyn dikush në shtëpinë e dikujt në Evropë ose SHBA zakonisht pyetja e parë që ju dëgjoni është nëse dëshironi diçka për të pirë? Por kjo nuk ndodh në Brazil! Atje, kudo që të shkoni pyetja e parë do të jetë nëse dëshironi të bëni një dush? Kjo mund t’ju duket pak e çuditshme në fillim, pasi është haptazi një propozim intim, por duke marrë parasysh temperaturat e larta, brazilianët e ndiejnë të domosdoshme propozimin për një dush të ftohtë.

Kinë

Kina është një prej atyre vendeve që ka një sërë rregullash e sjelljesh që duhet pasur parasysh, në mënyrë që të mos hyni në probleme. Një prej tyre është që nuk duhet të përshëndetet kurrë një homolog kinez me emrin e tyre të parë. Duhet përdorur gjithmonë mbiemri i tyre ose titulli. Duhet theksuar që emrat e tyre shkruhen gjithmonë me mbiemër para.

Dubai

E premtja është një ditë lutjesh, dhe për myslimanët në vendet e Lindjes së Mesme është ditë pushimi. Ndaj nëse dëshironi të udhëtoni për punë, do të ishte e pavend të planifikoni takime dhe konferenca në këtë ditë. Gjithashtu duhet të keni parasysh se gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët nuk hanë ose pinë asgjë nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij, ndaj do të ishte mirë që të mos konsumoni edhe ju asgjë në publik në këtë kohë, në shenjë respekti ndaj tyre.

Francë

Përgjithësisht amerikanët kanë reputacionin se janë tejet miqësorë, edhe në takimet e punës. Sigurisht pa lënë mënjanë prekjet fizike. Por, francezet nuk janë kështu. Ju do të fitoni më shumë respekt nëse dukeni të përmbajtur. Francezët zakonisht e barazojnë mungesën e rezervimit dhe qëndrimit miqësor me mungesën e sinqeritetit.

Greqi

Mos ngatërroni fjalët jo dhe po. Gjuha greke shprehet shumë me gjeste dhe nëse shihni një vendas teksa flet mund të ngatërroheni. “Jo” është kërcitja e gjuhës e shoqëruar me vetullat e ngritura. Ndërsa për “po” vendasit anojnë kokën poshtë e më pas anash. Është shumë e thjeshtë të ngatërrohen dy fjalët, por nëse përqendroheni dhe i vini re me kujdes mund të mësoni shumë shpejt t’i dalloni.

Indi

India, njësoj si Kina është një prej atyre vendeve që duhet pasur shumë kujdes me sjelljen, edhe nëse udhëton si turist ose për punë në këtë vend. Nëse pa dashje i shkelni apo prekni këmbën dikujt kërkoni falje menjëherë. Indianët e konsiderojnë këmbën si të papastër ndaj prekja e këmbës nga dikush tjetër është një fyerje shumë e rëndë. Nëse merrni një ftesë për darkë nga një familje indiane, përgatituni që t’i lini këpucët poshtë derës.

Japoni

Në Japoni nuk ekziston në punë një e premte, ku ju mund të visheni në punë në mënyrë më praktike se ditët e tjera të javës. Veshjet e punës duhet të jenë jazakonisht shumë konservatore. Femrat nuk duhet të veshin pantallona dhe taka të larta. Kjo në mënyrë që të mos bëhen më të gjata se sa meshkujt. Gjithashtu, të shfrysh hundët në publik në Japoni konsiderohet një gafë shumë e rëndë.

Rusi

Në Rusi, normat e mirësjelljes kanë lidhje me pijen. Nëse jeni në Rusi nuk duhet të refuzoni kurrë kur ju ofrojnë për të pirë. Rusët i bëjnë shpesh darkat e biznesit shoqëruar me një dozë të konsiderueshme vodke dhe refuzimi i një gote është një fyerje për mikpritjen e tyre. Kjo ndodh zakonisht përpara se të diskutohet për biznes, ndaj kini kujdes me sasinë e alkolit që konsumoni./Top Channel

ObserverKult


Lexo edhe:

PLANI I HERSI MATMUJA: FESTIVAL PËR PROMOVIMIN E TRADITAVE SHQIPTARE

ObserverKult