Foto e rrallë: Ja cila ishte kafeneja ku rrinin elita e viteve ’30-të në Tiranë

Kursal

Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë. Emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Evropës veriore.


Kafe “Kursal” ishte një ishull evropian i Tiranës së viteve ’30, si për nga arkitektura e arredimi, po edhe për shërbimin e lartë.

Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).

Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip. Por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësinë e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Evropën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.

Sigurisht, Kursali ynë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin fillestar të fjalës.

U ndërtua në fundvitet ’20 dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez.

Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës. Aty shkonin politikanë, ministra, deputetë, intelektualë, por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregëtarë, vendas dhe të huaj.

Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë vallëzimi modern nga profesor Stathi. Gjithashtu në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë.

Pas Luftës së Dytë Botërore u rrafshua si trashëgimi borgjeze, duke rrafshuar, simbolikisht, edhe atë çikë kurim shpirti që mund të gjenin frekuentuesit e barit në kohën e rendit të ri politik që po agonte.

Në imazhin e kësaj kartoline që ruhet në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror duket Kafe Kursal, fotografuar nga tarraca e ndërtesës së dikurshme të Bashkisë së Tiranës.

Aeroplani mbi të është montazh artistik. Kjo për t’i dhënë pamje idilike-moderne peizazhit të qytetit.

ObserverKult

—————————

Lexo edhe: NGRITJA E FLAMURIT NË SHKODËR MË 1913 (FOTO E RRALLË)

“Më 28 nëntor 1913, ora 10.00, në përvjetorin e parë të pavarësisë u ngrit flamuri kombëtar edhe në Shkodër. Qyteti administrohej në atë kohë nga një komision ndërkombëtar. Ceremonia u zhvillua në bashkinë e

Tekstin e plotëe gjeni këtu.

ObserverKult