Në Institutin Albanologjik të Prishtinës dje u promovua monografia “Proza shqipe e viteve 1920-1944” e shkrimtarit dhe studiuesit Gëzim Aliu.
Në këtë monografi, Aliu interpreton dhe analizon veprat e njëmbëdhjetë autorëve: Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Stërmillit, Konicës, Kokalarit, Markos, Postolit dhe Greblleshit, duke u ndalur në elementet kryesore narrative dhe interpretimin e ideve e mendimeve të shfaqura drejtpërdrejt, siç ndodh shpesh, apo tërthorazi.
Prof.dr.Hysen Matoshi theksoi se që në kohën kur kjo monografi është paraqitur si projekt në kuadër të Institutit Albanologjik, ka pasur bindjen mbi arsyeshmërinë e plotë të realizimit të një sinteze të këtillë.
“Marrë parasysh edhe kapacitetet e formuara studimore dhe përkushtimin e madh në punë të autorit Gëzim Aliu, ka qenë krejt e pritshme që kjo materie studimore letrare, e pakundruar në një kontekst të këtillë, që ka si fokusim aspekte të autorit të nënkuptuar, të narratorit dhe të personazheve, të rezultojë me një fryt të vlefshëm shkencor dhe, si e tillë të ofrojë një pamje më të plotë të zhvillimit të letërsisë shqipe të kësaj periudhe, por edhe një njohje më detajuese të individualiteteve të prozës shqipe”, tha Matoshi.
Se çfarë e bënë të veçantë këtë monografi në krahasim me studimet e tjera në raport me periudhën në fjalë, tregon Matoshi:
“Pa dyshim kjo ka të bëjë me aspekte narratologjike, në rend të parë me autorin e nënkuptuar, si një version i autorit real, i cili nuk zbulohet nga të dhënat e tij biografike, por nga struktura e veprës së tij, i cili formësohet a zbulohet në receptimin tërësor estetik që lexuesi ia bën një vepre tregimtare. Strehimi i autorit real brenda strukturës së tekstit të rrëfyer, qëndrimi i tij edhe prapa personazheve për të cilat rrëfen, ose të cilat rrëfejnë në një vepër tregimtare, shpërfaqja e ideve, pikëpamjeve, mendimeve me gojën e personazheve të tyre, përbën një procedim të ndeshur edhe në prozën tonë, të cilin, nëpërmjet shembujve të shumtë, e ka dëshmuar autori i monografisë Gëzim Aliu”, tha Matoshi duke e konsideruar Aliun si një simbiozë interesante të artistit dhe të dijetarit.
Ndërsa, referuesi tjetër, prof.dr.Fadil Grajçevci theksoi se: “Analizimi i disa prej elementeve kryesore narrative dhe interpretimi i ideve e mendimeve që shfaqen në prozat e njëmbëdhjetë prozatorëve të përzgjedhur shqiptarë, që krijuan e botuan në periudhën ndërmjet viteve 1920 – 1944, autorit të studimit ia mundësojnë gjetjen e përgjigjeve në pyetjet me interes për shkencën tonë letrare, si: Çka shkruajnë emrat e parë të prozës së mirëfilltë artistike? Çfarë idesh, mendimesh, bindjesh, shfaqen në veprat e tyre? Si e ndërtojnë të rrëfyerit? Çfarë njerëzish gjejmë në krijimet e tyre artistike? etj. Edhe pse i përqendruar kryesisht në analizimin e tri elementeve qenësore të këtyre njëmbëdhjetë autorëve (Autori i nënkuptuar, Narratori dhe Personazhet), studiuesi Aliu një rëndësi të veçantë i kushton edhe analizimit të elementeve të tjera narrative, si: autori real, storiet, hapësira referenciale, koha referenciale dhe kohëzgjatja narrative.”
Tutje Grajçevci vlerësoi se studimi monografik Proza shqipe e viteve 1920 – 1944 e karakterizohet nga zotësia e veçantë interpretuese, analitike e sintetizuese, qartësia e mendimit, terminologjia e saktë shkencore dhe gjuha e pastër dhe e pasur shqipe.
“Si i tillë, ky studim do të jetë, përveç një kontribut i çmueshëm në studimet tona historiko-letrare, edhe një model i ri studimi për veprat e tjera të mëvonshme në prozë të letërsisë sonë, gjithsesi shumë më të vëllimshme e më artistike se kjo e marrë në shqyrtim në këtë studim”, tha Grajçevci.
Promovimi u përmbyll me një fjalë rasti nga autori Gëzim Aliu. Ai shpalosi aspekte të veçanta të veprës së tij, duke u ndalur te motivimi për t’u marrë me këtë temë, periudhë e këta autorë, duke u ndalur pastaj tek autori i nënkuptuar, narratori dhe personazhet.
ObserverKult
Lexo edhe:
“PROZA SHQIPE E VITEVE 1920-1944”, LIBËR I RI STUDIMOR NGA GËZIM ALIU