Merita Bërdica: Ikona…

merita bërdica

Në fundin e rrugicës një deriçkë, që s’mbahet mendtë nga ndryshkja e ndrynit, i asht mbyllë gërmazi. E kafshueme nga dielli, e fshehun nga shkurret shpërlahen mëkatet e merimangave para dritës Zotit. Kanë thurë rrjetë peshkatari në mishra hapsinë, rjepë tullash vend e pa vend.
Përkulem pak, jo se jam shumë e gjatë, por arkitranit derë, lundër e braktisun, i keka thye brinja në mes e atëherë këqyri ku vê kambën. Frymës i ndrydhen kyçet e ajrit ndër hundë, por s’bezdisë asgja…as tylin (perde) memeces zverdhun nga korrentet. Menjëherë bahem mike me hardhucen. Ia dî të ramen mërdhices. Ulem galuc, kapi një mizë e cila ka kohë që asht ndâ tufës dhe asaj ia ushqej tek bira fundit e murit.
Vjeshta, si një rit pagan, këndon lutjen për me qendrue edhe pak tek ai burrë dimër.
“Lëvdue kjoftë, m’i jep dô ditë uha!”
Por lëmosha ngimje s’ka kurrë e kështu vjeshta bahet gadi me mbledhë zhelet pa marr asnjë grosh me vedi përveç gjetheve të groposuna.
S’ngutem. As hardhuca se ngut bishtin anipse shef duert, që shkepin thakët e pluhnit në çdo qoshk të odes. S’i ngutet as dacit, i cili shplan trupin kur kupa e qielltë bie pingul mbi tokë. Bile e shef në kokorllok të synit tue mos iu frigue këtij gjuetari endacak.
Tue bubrrue në shumë rraqe më xen syni një album fotografie mbi parvazen gurtë. I nxehti ia paska zgjatë jeten, pesha e të cilit asht ma e rand se kryqi, që i varet kësaj shtëpie përdhese.
S’ia trazoj mikëpritjen fletëve.
Janë, si me të thanë, unë, ty;
“Bash si fletët e duhanit, kur zoti Ndue ia numëron damarët mes Rusit Maxhar.”
Jo, se s’due, por dâ palë kundra lustrafini, që i kam ballë meje, qerrojnë tejen e shkapetun. Zgjatem m’i tërhek, por taka e njeres asht ngulë thellë ijes dërrasë, sepse ndoshta i ka mbetë borxh dâ kusure vite.
Heee dërrasat…nyje të vobekta, rrudhë plakash, të cilat sa herë mundohen me marrë kênd nëpër gojë ju shndrit i vetmi dhamb që ju ka teprue. Kundrave i ka ra hija “Kodi i Da Vinçit”. Andaj s’mundem me çkodue urat e psherëtimave në të cilat ka kalue kjo prostitutë. Vetem di me thanë, sa herë janë veshë shalëve ju kanë dhanë parajsen e shishes shampanjë.
Ma shton etjen prekja. Diçka e zbehtë, sa agonia ia ngûc shkëlqimin. Keka një reçipet. E marr. I asht pikturue, nën driten hanë, kufoma njashtu si ato llambadarët në ballot mondane, të cilët mbas luftës të dytë ju dridhen leqet e bizhuve.
Sa e sa netë ka mbredhë. Asht kopsitë. Asht shkye. Vjeksat kanë mbetë peng ndër çarçafë komashit…blu, kuq, vishnje…e dreqi e di. Ndërsa copat e recave tek buza e hamshorëve. I frynin dekoltes pupël me rradhë pa e pyet se si sjellja mund të ishte ma brilante, që edhe ajo të kolovitej tek qefi pa kqyrë paratë.
Por, qyteti kështu e donte…e dëshironte, ma mirë me thanë.
Edhe për burrat esnafë shpesh ju fashitej ndër andrra kjo bionde natyrale, sa pa hap sytë mirë nadja i gjente ndër kafene me putirin e konjakut përpara dhe tek-tuk ndonjë fjalë ju pshtonte nga goja.
Po, besa vetem një orë…!
Por, diçka më shtyn me dit’ ma tepër. Oratoria fjalë i ban përshtypje ndaleses teme, e cila tash asht shpërdorue mbi kurmin pasqyrë “Pafajësi”.
Ora rangalle e qytetit me piacë shekullore, maje atij pallati, fik heshtjen avash. Nata têret mbi shtyllat elektrike tue ju shërbye meshes hyje me nga një gotë fresk. Megjithatë dal përjashta. I hedh shpatullave pardesynë. Ndezi cigaren e fundit “DS”…gramfoni, i vetmi dëshmitarë në këtë çmenduri vdekje, çjerr zanin deri në zgrip mushkërive në anën tjetër të perdes mur, Frak Sinatra “Killing me softly”.
Por, unë përpëlitem tek ajo fjalë e shkrueme mbi pasqyrë…
Mbylli deriçken e hallakatun. Daçi më përcjell deri në fillim të rruges. Ndoshta e ban ketë gjest për m’i diftue dyerve tjera se Ikonën ka ardhë m’i vizitue krejt një njeri tjetër.
Qielli si një kërcu pa zjermin në shtat e lind qytetin nder tjera shtregulla, i cili tanë natën ka fjetë i qetë pa i hy ferrë në kambë.

ObserverKult