Novacionet në tregimet e Gëzim Aliut

Gëzim Aliu e gjithkohshmja Andërr

Nga Mërgim Bekteshi

Tregimet janë cilësia e një shkrimtari, aftësia për të përmbledhur narracionin brenda një teksti të shkurtër, si në ndërtimin e trajtës që e kërkon letërsia, ashtu edhe për nga përmbajtja e porosisë që duhet të ngjizet për lexuesin. Këtë mjeshtri tekstore, përpos romanit, Gëzim Aliu e ka arritur edhe me tregime, në librin e tij “Libri i fundit”, botuar në vitin 2012 nga Shtëpia botuese PA. Libri përmban katërmbëdhjetë tregime të ndara në formë interesante në: Shtatë tregimet e para dhe Shtatë tregimet e dyta. Kjo ndarje ngjan me një pikëpyetje biblike si për nga renditja e tregimeve, por edhe për anën psikologjike që ai ofron në stadin e zhvillimit të cilit i qëndron me besnikëri.

Shtatë tregimet e para fillojnë me Librin e fundit, një tregim plot me emocione dhe pritje të mëdha nga bota artistike, përfaqësuesit e së cilës kanë marrë lavde të panumërta, por brendësia e tyre përbëhet nga kiçi. Satira më e madhe në këtë tregim është për pasionin e madh  të  leximit, pritjet e mëdha të lexuesve të panumërt për një Libër të Madh, mirëpo çdo fletë e tij është e zbrazur, pa as edhe një germë të vetme. Tregimet e tjera Ligësia dhe Raporti, në të parin vetë emërtimi tregon gjendjen e njeriut në një krizë të rënduar, ku pjellat e imagjinatave mbjell ters, ashtu sikur te tregimi i dytë, ku duhet të përpilohet një raport i thuktë për një të ligë që personazhi ka bërë, për të marrë vlerësim për përformancë të shkëlqyeshme para një Klubi që ngjan me një institucion publik.  

Djallin e kam fqinj të parë, është tregim sa me një dozë fantazie, por në koncept është të mbërthyerit e njeriut drejt gjendjes së lartë të depresionit, ngarkesat e panumërta ditore që përfundojnë me halucinacione në kërkim të vdekjes, por vdekja nuk vjen. Aroma e vdekjes është tregimi tjetër që për emërues ka vdekjen, apo siç thotë autori: “Vdekjet, në kohë paqe, zakonisht ndodhin në heshtje” (fq. 43). Aroma e vdekjes është në çdo skutë, është e vështirë t’i shmangesh. Tregimi tjetër Për herë të parë, përshkruan gjendjen e personazhit biolog, i cili hamendëson se organizmi i njeriut është sikur ndonjë strukturë robotike. Ai pak beson në ndërgjegjen e njeriut apo shpirtin. Udhëtimi përmbyll shtatë tregimet e para, është tregim ku rrëfehet udhëtimi i një fëmije, por që më vonë do të merrte edhe udhëtime të tjera si i rritur.

Shtatë tregimet e dyta fillojnë me Kokrra e zezë, mbi të cilin më vonë autori do të ndërtojë edhe një roman me një diskurs shumë filozofik, “Në klubin e të shëmtuarve”, por duke trajtuar një temë të aktualitetit shoqëror, mirëpo në tregim flet për ndjenjat e ftohta të personazhit karshi imagjinatës. Tregimet Për A., Akt, sjellin përmbajtjen e erosit që autori e mishëron me një mjeshtëri. Te Akt ndodh tragjedia që lexuesi as që mund ta paramendojë, fundi i një ngjarjeje që fillon me skena erotike, por këputet në tehun e një thike kuzhine. Gjumi reflekton pleqërinë e njeriut, që kanos tërë organizmin e njeriut. Ndërsa në tregimin Mona Liza  gruaja që shfaqet në kafene i shëmbëllen personazhit me pikturën e Da Vinçit. Autori ka vënë në pah detajet mahnitëse në mes të pikturës dhe personit (gruas) që ngjan me bukurinë artistike të pikturës, me të vetmin dallim se Mona Liza e kafenesë është duke pirë duhan e kafe, është plotë gjallëri, me gjakun e ngrohtë duke i lëvizur në damarë,  kurse tjetra është statike në bukurinë e saj. Edhe tregimin Mona Liza, Gëzim Aliu e shndërron më vonë në roman, të titulluar “Katedralja pa kryq” (2014). Autori, pas tregimit Lugina e harresës, që ka të bëjë me konceptin e harresës, siç e tregon edhe titulli, e përfundon “Librin e fundit” me tregimin Fund ku vihen në siklet shikuesit e një filmi të cilët presin të bëmat e një heroi, por ai mbetet qyqar, nuk reziston, nuk e ka as guximin e personazheve të Servantesit.

Gëzim Aliu përkufizon tema të ndryshme të aktualitetit kosovar, duke mos e bezdisur lexuesin, duke i dhënë shtytje të lexojë faqe pas faqeje. Stili i përdorimit të rrëfimit është i veçantë, duke krijuar brenda tekstit harmoni, nuk lejon shkëputje të panevojshme. Ai trajton guximshëm tema që hezitojmë t’i bisedojmë edhe në rrethet e ngushta miqësore, shkaku i moralit të tepruar, herë pas here edhe të marrë. Zhvillimet e ngjarjeve personifikojnë personazhe të ndryshme, me karaktere psikologjike të cilët janë të njohur edhe nga kjo disiplinë shkencore. Thyerja e kësaj heshtje e bën shkrimtar novacionesh apo prurjesh të reja në letërsi.

ObserverKult


Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: PERSONAZH NË PURGATOR