A ja kanë vlejtur gjithë ato orë që kemi shpenzuar duke lexuar?

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

Gjatë adoleshencës dhe rinisë kam harxhuar mijëra orë duke lexuar letërsi. Orë dite e nate, të kaluara në tavolinë, në minder a në krevat, pa lëvizur, pa folur.

Nga Çapajev Gjokutaj

Sot e kësaj dite nuk e di: këto mijëra orë ia kam hequr apo ia kam shtuar jetës?

Shumicën e herëve më ngjajnë orë të shtuara. Ikja nga provinca, nga jeta e vakët dhe meskiniteti. Degdisesha në qendër të tokës, në thellësitë e oqeaneve, në hënë, në katakombet e Parisit, në sallonet aristokrate ruse a në Eldorado, në kërkim të arit.

Por më shumë se ikje nga ambjenti, më ngjan se kanë qenë arratisje nga vetja. Për t’u ndjerë herë Gishto e herë Herkul, herë Martin Iden e herë Bazarov, herë Donkishot e herë Romeo, hero e viktimë, tani i përndjekur nga taksirati e pastaj i shpërblyer nga fati.

Ngjan paradoksale, por ato arratisje nga vetja kanë qenë investimi më i madh që i kam bërë qenies sime, mbeten shkolla më e çmuar ndër gjithë ato që kam ndjekur.

Kjo ishte shkolla që më mësoi njerëzillëkun: jo vetëm ta pëlqej e ta dua tjetrin, por edhe të hyj në lëkurën e tij, të vuaj e të gëzoj bashkë me të. Se ndjenjat s’janë si paraja, përkundrazi, sa më shumë i harxhon, aq më i pasur ndihesh.

Leximet kanë qenë shkollë edhe në një kuptim tjetër. Në ato vite kur kisha fare pak njohje e përvojë më mësuan ta shoh botën me sytë e të tjerëve. Dhe këta të tjerët s’ishin dosido, por disa nga mendjet më të ndritura të njerëzimit.

Është fat i madh që qysh në fillime ta shohësh botën me sytë e Servantesit e të Shekspirit, të Dantes, Eskilit e të Homerit.

Sytë e Homerit, do qeshni ju. Ç’mund të shohësh me sytë e një të verbri? Po këtu është një nga magjitë e letërsisë: alkimia e fjalës. Të jep një tekst të përbërë nga fjalë dhe të nxit të rikrijosh njerëz e ngjarje, pa të vënë thuajse asnjë kufizim si ato që të venë piktura, teatri a filmi. Ndaj dhe Xhoisi tha: mbyll sytë dhe shiko.

Të rinjtë e sotëm jetojnë në bollëkun e imazheve dhe të informacionit, por lexojnë më pak. Dhe s’di të them ç’fitojnë e ç’humbasin.

ObserverKult

_____________________

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: TË DUE FORT…