Poezia shqipe, në strukturën dhe tematikën e saj ka të përqendruara një varg temash të ndryshme, të guximshme, me porosi e koncepte të rrethanave të rënduara sociale, nga e kaluara, por edhe e sotmja globale. Këtë porosi të unifikuar e sjell para lexuesit studiuesi dhe poeti, Bujar Tafa, me librin e tij “Materia e zezë”, botuar në vitin 2016 nga Botimet AAB-Prishtinë. Libri përbëhet nga pesëdhjetë e tri poezi, nën ombrellën e përbashkët të materies së zezë, duke e trajtuar një temë të vetme, të pandarë në tufa.
Tafa ka një stil të veçantë të trajtimit të vargut poetik, si për nga formimi leksikor ashtu edhe për nga shfletimi i fjalorit gjuhësor të brumosur. Kjo qasje e tij në gjetjen adekuate të strukturës më domethënëse të vargut, që poezia të ketë një peshë më domethënëse e bën atë më bindës, për shembull: Përgjumshëm përtyp syfyrin,/ gjallë mbaj profetët me/ muhabet e lutje (fq.5). Pra, në mes të një darke dhe një ngrënie mëngjesi, poezia absorbohet nga ana e saj e errët, shpirti krijon diversitet në mes të një paqeje të rrejshme dhe tendencës për krijimin e Antikrishtit (Dexhalli).
Një tjetër poezi, Kqyrne zemrën, forcon bindjen për krijimin e kozmosit dhe trajektoren e trupave qiellorë që lëvizin për miliona vite. Prapa kësaj gjendjeje të rëndesës është edhe organizmi i njeriut, i ndërtuar nga një materie organike, qeliza dhe inde, por zemra është diçka tjetër përballë gurëve të galaktikës që vë në siklet edhe shkencëtarët, Ajnshajnin e Darvinin: Do gurë të pështjelltë me gjithësi apo Forma të dyzuara me materie dhe inde (fq. 7). Një tjetër dimension në mes të materies që gjithherë para formësimit të saj është e zezë, deri në produktin final, është shpirti, gjithmonë pandehet si i bardhë derisa nuk kryen ndonjë krim. Në këtë përhumbje të kohës dhe kthimit në kohë është edhe poezia Pionieri, kur autori flet për një histori më ndryshe: filloristët e parë të organizatave komuniste apo të të tjerëve, nuk ishin aq paqedashës, por u mësuan të jenë humanë kur morën vesh për gozhdimin dhe dhunën.
Në raport me materien, Tafa trajton edhe luftën, ajo është e pashmangshme, lufta nuk është vetëm në balada. Ajo përshkon gjendjen organike të njeriut: Po trimi nuk është i sëmurë/veç pasionin e ka të fortë/edhe dorën të lehtë (fq.12). Në materien e zezë dhe të papërbërë është edhe keqardhja, pakënaqësia brenda vetvetes kur njeriu i shpall luftë edhe Zotit. Kujtime të trishta është një poezi që trajton ulërimën e njeriut që ngjan me ujkun dhe vajtimin që bën në funeral, dhe streha e kurvërisë që nuk përbën etikë, por që hidhet si burrë i mirë para të tjerëve, derisa pas perdeve shfryn emocionet me gruan e fqinjit. Një ngjashmëri kanë edhe poezitë që përshkruajnë tërësinë epshore të njeriut që shfaqet nga egoja apo poezia tjetër që flet për përplasjen e qytetërimeve, apo kur tmerri i armikut shfaqet edhe pasi shpirti pluskon, ky tmerr e ndjek pas vdekjes.
Bujar Tafa takon në vargun e tij edhe kohën kur zotat kërkonin sakrificë, mishin e njomë të njeriut. Këtë paralele e ngrit me sakrificën sublime të njeriut që zotave me huje (teke) t’u përmbushet dëshira ditore që ata të mos zemërohen. Njeriu duke ua mbajtur ison zotave. E ngjashme është edhe Poezi e pashkruar ku në emër të lirisë dhe normave për të vendosur rend, njeriu trumbeton: Kjo është liria, miq,/kur unë mundohem/të shpëtoj racën time/noo alkool/noo hashash (fq.32)që do t’i quaja rituale të përditshme. Në kërkim të hyjnores autori gjen edhe qeniet e tjera që nuk ngjajnë me njeriun, “alienet” që i përshkruan më të ndrojtur, më të zinj dhe më të frikësuar se njeriu. Është kjo alegori për mendjemadhësinë e njeriut përballë fuqisë relative.
Në këtë vijimësi, Bujar Tafa përfshin edhe poezitë e tjera si Hajmalia, Monotoni dhe Ëndërr djalli. Kjo e fundit flet për festën e çmendurisë që duhet të përfundojë duke vrarë, në formën më mizore, lumturinë njerëzore, por djalli është vetë njeriu, janë luftërat e tij në botë në emër të paqes. Autori flet edhe për tradhtarin, një nocion i urryer nga nacionalizmi që këtë zanat e fiton me fëmijërinë: Si fëmijë kam qenë tradhtar,/spiun/Zoti m’ka falë (fq.53). Por, me çfarë do të krenohej nacionalizmi po të mos ishte tradhtia? Kjo është ndoshta edhe dilema më e madhe në tërë sistemin shoqëror. Qyqja është një simbol i së ligës, kobndjellëse, që Tafa e trajton në vargun e materies së zezë, ajo padyshim e forcon këtë lëmsh të së keqes.
Kupolën e materies së zezë do përkufizoja me poezinë Zvarranikët. Kjo poezi është në tri ndarje, fillon me takimin e G8 (Forumi Ndërkombëtar i tetë vendeve më të industrializuara) që në këtë rast janë në samitin e Kiotos. Formalizmi i takimit fillon me një solemnitet që dridh pjesën e varfërisë në botë, duke rreshtuar taksat dhe përhapjen e një gripi viral, fikja e dritave përbën metaforën me të kobshme, kur një grusht njerëzish vendosin për kiametin e radhës (kataklizmin). Përmbysja nuk vjen nga dora e Antikrishtit, por nga dora e njeriut që përmbys në emër të luftës globale. Hareshëm tregohet skeptike qenia me vetëdije edhe te Cunami, sepse gjithmonë njëra palë është më e dobët dhe pala tjetër është më e fortë, ky është edhe tregim biblik.
Me këto pesëdhjetë e tri poezi, Bujar Tafa përmbyll librin duke treguar anën e errët që na kanoset çdo ditë, qysh nga armiqësia në mes të Kainit dhe Abelit. Kjo katrahurë është krijuar sa nga çrregullimet e materies, që është cytur nga mendja e njeriut për t’i dhënë shumë herë kah të gabuar, siç është dëshira për të eksploruar me materien nukleare. Është etja e pashmangshme e njeriut, edhe për të përdorur çdo mjet për realizimin e dëshirave, sado që ato kanë edhe pasojat më fatale për të dhe globin, për të treguar fuqinë dhe kontrollin. Bujar Tafa sfidon tema të mëdha që janë në interes të përgjithshëm, ai hapëron përtej nacionales, me nocione të sigurta dhe me porosi të qarta. Materia e zezë ndëshkon!
Lexo edhe: