Ndërroi jetë si i ati për shkak të një infarkti, i ndjeri Denis Duka i kishte dedikuar këto vargje babait

Disa javë pas vdekjes së poetit të njohur Arben Duka, familja e të ndjerit mori lajmin e hidhur, atë të ndarjes nga jeta të djalit Denis Duka.

I biri i Arben Dukës vetëm 35 vjeç ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të një infarkti. Miqtë dhe shokët e Denis Dukës kanë bërë të ditur lajmin e keq, ndërsa shprehin se kishte të njëjtin fat me të atin, i cili po ashtu ndërroi jetë për shkak të një infarkti.

Njëri nga miqtë e Denis Dukës shkruan:

Denis Duka na e copëtoi zemrën, pa fjalë për këtë humbje. Një mik zemre për këdo që e njohu, shpirt i bardhë, mendje brilante. Ngushëllime familjes, kurajo dhe forcë.

Në ngushëllimet e të afërmve për të riun, shihet edhe poezia që i biri Denis Duka i kishte kushtuar babait, Arben Dukës disa javë pas vdekjes së tij, transmeton ‘fjala.al’.

Poezia e Denisit kushtuar babait poet, Arben Duka:

Ike Baba

Ike baba në të tjera hapësira,
U ngjite atje, ku shkojnë shpirtat e mira.

E ne na le me këtë kaplim të zi,
Sa e vështirë qenka të jetosh pa ty!

Si Adami i parë, për mua tokën lëkunde,
Si një vetëtimë verbuese qiellin e shkunde,
E prapë sot të mendoj në të ëmbla kujtime,
Si harta udhërrëfyese, të skalitura në zemrën time.

Dëgjoj një këngë, dhe më shfaqesh ti,
Lexoj një varg, atje je prapë ti,
Të shoh në fotografi, sikur më afrohesh.
Se në shpirtin tonë kurrë s;do harrohesh.

Se për ty s’ka lamtumira dhe fjalë fluturake,
Por vec balada dhe vepra pasionante,
Që me ëndje sot i lexoj e jetoj,

Pasi thelbin tim akoma të sëmurë, dua ta shërojë,
U prehsh ne paqe i dashur Baba,
Nëpër diapazone ku dhimbja formë më nuk ka,
Të jesh i lumtur kudo që të jesh,
Atje ku hidhërimi dhe mërzitja s”ka më peshë.

U rilindish prapë si feniks i pasionit,
Nëpër brigje deti nën erën e Jonit,
Por këtë herë pa dallga dhe stuhi,
Trajta jote e pastër u formofsh në qetësi.


Lexo edhe:

FAMILJA KËRKON NDIHMË PËR MBULIMIN E CEREMONISË MORTORE TË DJALIT TË ARBEN DUKËS