Qyteti magjik që “shkëlqen” natën me gurët që “ndriçojnë”

Qyteti Ascoli Piceno, me arkitekturën dhe urbanistikën që e karakterizon, ngjason me të gjitha qytetet e tjera të vogla italiane. Ka dy sheshe kryesore ku vendasit, sidomos të moshuarit, ulen e pushojnë, si dhe disa shëtitore ku ata dalin për ecjen e tyre të darkës. Si në shumë vende të tjera në Itali, qendra u ndërtua në periudhën mesjetare. Në të gjenden kisha shekullore, madje edhe mbetje të lashta që datojnë që nga periudha romake. 

Gurët që “ndriçojnë”

Megjithatë, ka diçka unike që e diferencon këtë qytet dhe e bën magjik. Po të endeni përreth, veçanërisht gjatë natës, do të vini re një ndryshim të madh: Ascoli duket sikur shkëlqen.  

Gjatë ditës, ndërtesat e madje edhe gurët e shtruar në tokë ndriçojnë nën rrezet e diellit, ndërsa natën ato shkëlqejnë nën dritën e hënës. Kullat, portat e larta dhe dritat e rrugëve reflektojnë në mënyrë të përsosur, duke e bërë qendrën e qytetit të duket si një mirazh.

Ky fenomen ndodh si rezultat i materialit me të cilin është ndërtuar e gjithë qendra historike: një shkëmb i veçantë prej nga ku merret një gur i çmuar, i ngjashëm me mermerin, i quajtur “travertin”. Guri me ngjyrë të bardhë, që shkëlqen në diellin e mesditës, merr një ngjyrë të purpurt në perëndimin e diellit, si dhe ndriçon dukshëm në mbrëmje.

fshati ne itali 1024x576

Një Romë e lashtë në miniaturë

Shumë nga ndërtesat madhështore që ka Ascoli Piceno, datojnë që nga periudha romake. Kjo është arsyeja pse në këtë qytet, do të gjeni kisha mbi mbetjet e dukshme të tempujve romakë. Sipas studiuesve, Ascoli u themelua nga fisi i lashtë, Piceni, gati një shekull para se të lindte Roma. Mes luftëtarëve të këtij fisi dhe romakëve mendohet të ketë ndodhur një konflikt i ashpër njëvjeçar, që kulmoi me pushtimin e Ascolit. Pasi hynë në Ascolin e mposhtur, romakët e rrafshuan qytetin dhe vendosën ta rindërtonin nga e para.

Pikërisht në këtë kohë, nisi ndërtimi unik i këtij qyteti me materialin e çmueshëm të gurit të travertinit. Jashtëzakonisht poroz dhe elastik, falë organizmave të jashtëm si algat, myshqet, bakteret dhe shpesh fosilet, tranvertini është një formë sedimentare e gurit gëlqeror, transmeton ‘a2news.com’.

Mendohet se romakët po kërkonin asokohe të demonstronin forcën e tyre, ndaj vendosën të ndërtonin një “Romë në miniaturë”. Qyteti u ndërtua sipas modelit të Romës dhe përmbante tempuj, gjykata, amfiteatro dhe teatro romake.  

Shkëmbi që shpëtoi qytetin

Guri i Travertinit ka një cilësi tjetër të veçantë që i jep bukuri Ascolit. Kur nxirret për herë të parë, është relativisht i butë, duke e lejuar atë të skalitet – kjo është arsyeja që ndërtesat në qytet kanë fasada e porta të gdhendura me ornamente të ndryshme.

Më pas, përmes një procesi kimik të oksidimit, ai ngurtësohet në shkëmb aq rezistent sa ndërtesat e Ascolit i kanë rezistuar tërmeteve të shumta gjatë shekujve. Qyteti i rezistoi një tërmeti të madh në vitin 1703 dhe nuk u godit as nga ai i vitit 2016 që rrafshoi Amatricen, një orë larg Ascoli-t.

“Guri ndihmon që ndërtesat të jenë më të qëndrueshme. Romakët ishin të vetëdijshëm për tërmetet dhe e ndërtuan Ascolin me idenë për t’i rezistuar atyre. Ata kishin inxhinierë më të mirë se sot”, thotë Palumbi, historiane italiane.


Lexo edhe:

QYTETI I VOGËL NË ITALI… QË FLET ARBËRISHTEN!

ObserverKult