Nga Da Vinçi te Karavaxho, “lojë” me kryeveprat botërore

ekpozita e Gjergj Metës

Përmes ekspozitës me 30 piktura në vaj, Gjergj Meta sjell kryeveprat botërore me frymën e kohës sonë. I shqetësuar nga ndërrimi i roleve mes manekinëve dhe njerëzve, ai fton vizitorët në një moment reflektimi rreth thelbit të ekzistencës. Gjigandët e artit pamor, me kryeveprat që ndikuan te artisti, i vijnë në ndihmë gjatë procesit kreativ…

Gjergj Meta kërkon të zbusë realitetin përmes artit, e përgjatë refleksionit. Ai thërret vepra të gëzueshme të Karavaxhos a meditimin me “Darkën e fundit” të Da Vinçit, të cilat vijnë të ambientuara me gjendjen e artistit, por edhe të Tiranës. Dhoma e kuqe e Galerisë së Artit Tiranë, zbulon kështu veprat e para të 30 pikturave në vaj në ekspozitën e kuruar nga Abaz Hado…

“Në një situatë kur e gjithë gjendja është e ftohtë, ne rrimë dhe kërkojmë në memorien tonë çfarë artistët kanë bërë dhe u referohemi ikonave të pikturës, figurave që na kanë mbetur neve në mendje… Dhe unë midis tyre kam zgjedhur Karavaxhon që ka disa vepra me muzikë, që e bëjnë situatën më të ngrohtë. Qëllimi është për të sjellë një situatë më të ngrohtë për artëdashësit…Unë mbivendos njërën shtresë apo tjetrën dhe i sjell në kohë, në imazhet e qytetit ku jetojmë për të ngrohur këtë gjendje”, thotë Meta.

Loja është e ndërsjellët, subjekte e personazhe të pikturave të artistit, i shohim të ngrenë krye në imazhet e piktorëve të mëdhenj… Por edhe kryeveprat në situata moderne, reflektojnë ngjashmëritë në kohë, përgjatë sprovës së re të Metës.

“Përpiqem që t’i sjell bukur. Midis kësaj ftohtësie që është tipike të ketë pak romantizëm të cilën unë do doja ta zbuloja dhe ta shfaqja kudo që isha”

Artisti është i shqetësuar nga orientimi i njerëzve, drejt asaj çka është sipërfaqësore, a e diktuar qoftë edhe nga disa manekin, si dhe humbja e thelbit të ekzistencës…

“Unë e them gjithmonë, sepse unë merrem me refleksionin, me ndikimin e imazheve. Dhe them se ky manekin ka nisur të vendos pushtet mbi njerëzit duke të adresuar, duke të veshur ty identitet të ri dhe, “të marrin shpirtin”,  ta ngurtësojnë atë. Dhe kjo loja midis manekinit dhe njeriut, që duket sikur bëjnë ndërrim rolesh është pak e frikshme në syrin tim”.

Nuk mungojnë imazhet në lëvizje e motivet urbane, tipike të piktorit, por ndalesat e tij në momente të forta të kryeqytetit nxisin refleksion. Përmes një perdeje gjysmë transparente ai shmang kaosin e në pikturën e tij e vizitori pikas Kullën e Sahatit… refleksioni nxitet për tek gjysmë të vërtetat siç thotë Meta, apo atë që artisti fsheh në shtresimet dhe efektet ‘flu’ në veprat e tij./shqiptarja.com

ObserverKult

Lexo edhe:

E BESONI? JA CILAT JANË PESË PIKTURAT MË TË KËRKUARA NË BOTË!