Elona Caslli: Fëmijëria e Elsës shenjohet nga një ngjarje tejet tragjike

Për sa kohë ngre ndershmërisht jetën time, nuk kam ndërmend aspak të justifikoj apo të përligj veprimet e Elsa Lilës. Elsa Lila meriton të vuajë dënimin për veprimet e saj dhe është krejt e dënueshme ajo çka ka bërë.

Ajo çka më nxiti të shkruaja statusin për të ishte një dialog mes një psikologu dhe një individi me varësi nga droga në një roman të Ivan Klimasë. Ky dialog m’u kujtua teksa lexova lajmin mbi Elsa Lilën.

Teksa psikologu gjendet përballë një individi me varësi nga droga i thotë- Unë duhet të përpiqem të identifikoj shkakun që ta ka çuar ty te droga. Pa u identifikuar shkaku nuk shkojmë askund, pasi nuk mund të kurohet pasoja pa u identifikuar shkaku.

Në statusin tim u orvata të identifikoja shkakun që mund të çonte një zë që kish prekur skenën e Sanremos dhe kish folur shqip nga ajo skenë, të zhytej në spiralen e llumit njerëzor.

Dhe të dashur shqiptarë, nuk bëra asgjë më shumë veçse ndoqa logjikën që ndjek çdo psikolog në punën e tij. Gjurmët i kërkon te fëmijëria dhe fëmijëria e Elsës shenjohet nga një ngjarje tejet tragjike që mund të ketë shenjuar edhe fatin e saj. Askush nuk i shpëton fëmijërisë së tij.

Post Scriptum– Ky është këndvështrimi im që nuk përligj aspak veprimet e Elsës, por thjesht mundohet të kuptojë se për ç’arsye individi shpesh riprodhon tragjiken e tij.

*Titulli i origjinalit: “Kthjellim”

———————

Lexo edhe:

DIVA ELSA LILA DHE SHQIPTARËT MORALISTË QË E GJUAJNË ME GURË

ObserverKult