Pse e kemi të vështirë të shërojmë shpirtin?

Silvana Kola-Loka

Nëse turpi është ndërtuar me aftësinë për të shëruar mishin, pse e kemi të vështirë të shërojmë shpirtin?

Nga Silvana Kola-Loka

***


Trupi ynë është krijuar me aftësinë për t’u ripërtërirë pas çdo dëmtimi fizik. Kur vritemi, ne përgjakemi dhe ndjejmë dhimbje. Pas kësaj, trupi ynë prodhon gjithë reaksionet e duhura për të krijuar një ‘veshje’ mbi plagë, një kore që nuk i lejon mikrobet të hyjnë brenda dhe, kësisoj, plaga të mund të shërohet në thellësi. Mund të mbeten shenja mbi lëkurë, por, nëse kemi bërë kujdesin e duhur, plaga do të shërohet dhe ne nuk do të ndjejmë më dhimbje.
Nëse turpi është ndërtuar me aftësinë për të shëruar mishin, pse e kemi të vështirë të shërojmë shpirtin?
Çfarë ndodh me plagën e hapur nga dhimbja e humbjes?

***


Le t’i qëndrojmë logjikës së aftësisë tonë të lindur për t’u ripërtërirë. Edhe kur vritemi shpirtërisht nga humbjet, refuzimi apo përballja me vdekjen, tek ne ndodh i njëjti reaksion zinxhir: ne mobilizojmë mekanizma të reagimit emocional; ne qajmë me ngashërimë dhe pastaj ia mohojmë vetes se humbja ka ndodhur dhe më tej mpihemi për të mos e ndjerë më dhimbjen. Kësisoj, kjo është ‘korja’ që ne vendosim mbi plagën e shpirtit.


Atëherë, pse plaga nuk shërohet në të gjitha rastet? Pse dhimbja mbetet aty? Çfarë ndodh që plaga e shpirtit vazhdon të qendrojë e hapur nën sipërfaqe?
Ndodh ajo që ne nuk e lejojmë plagën e shpirtit të ndjekë të njëjtën rrugë drejt shërimit si plaga e mishit.
Kur vrasim mishin, ne e pastrojmë plagën vazhdimisht, edhe pse e dimë që do na dhembë. Ia ndërrojmë fashon çdo ditë sepse e dimë që plaga duhet të marrë ajër.
Çfarë bëjmë ne me plagën e shpirtit? E mbyllim me njëmijë dryna, në skutat më të errëta të shpirtit, sepse kështu mendojmë se nuk do na dhembë më.
Detyrojmë veten të merremi me punë të tjera që të shpërqendrohemi, me shpresën se dhimbja do ikë me kalimin e kohës. Ne dukemi të qetë. Të tjerët nuk e shohin plagën ende të hapur. Të gjithë jemi të lumtur.
E thënë kështu, duket sikur zgjidhja është krejt e lehtë. Me pak fjalë, nëse dhimbja e tejzgjatur e plagës së shpirtit vjen nga mbyllja e plagës, atëherë për t’u çliruar nga dhimbja le të hapin plagën!! Ta pastrojmë dhe t’ia ndërrojmë fashon përditë!

Duket e lehtë, por nuk është!

Sepse të pastrosh plagën e shpirtit do të thotë të kujtosh dhe rikujtosh vazhdimisht njeriun që ke humbur dhe marrëdhënien me atë; të pranosh se mund ta kesh lënduar njeriun e dashur që nuk kthehet më; të pranosh se e ke rënduar me fjalë ose nuk ia ke thënë ato që ke dashur; të pranosh se mund të jesh treguar egoist(e); të pranosh se ti nuk di të qëndrosh vetëm; etj; etj; etj…
Të pastrosh plagët e shpirtit do të thotë të përballesh me “demonët” brenda vetes. Do të thotë të pranosh gabimet e tua. Të pranosh faktin që ti je i prekshëm. Edhe të pranosh të vuash përsëri dhe përsëri dhe përsëri derisa plaga të fillojë të rigjenerohet.
Dhe kjo dhemb….
Dhe këtë dhimbje jo gjithmonë jemi gati ta durojmë…

ObserverKult

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SHPIRTI MERR ME VETE ÇFARË I DUHET…