Nga: Çapajev Gjokutaj
Mos u bëj Don Kishot, dashuria që këndon Lasgushi ishte e vjetëruar edhe në vitet e rinisë sonë, le më sot. Vargjet që citon ti: ‘një dashuri plot fshehtësi/ m’e fshehur se fshehtësia’, Lasgushi i ka shkruar si vazhdim të vargjeve: ‘se s’dashuronim as un’ as ti,/ po dashuronte dashuria’. Medemek një dashuri që dominon gjithçka, që s’pranon arsyetim e logjikë, një dashuri aq e fortë dhe e pashpjegueshme, sa që kalon në kufijtë e iracionales.
Kështu më shkruan një mik i hershëm dhe vazhdon: brezat që erdhën pas nesh kanë meritën e madhe se e bënë dashurinë më njerëzore, më të aplikueshme. Për t’ia arritur kësaj punuan në dy drejtime: vazhduan të injoronin qasjen patriarkale që e konsideronte dashurinë si turp e prishje morali, por injoruan edhe qasjet platonike që zenë fill me shigjetën e Erosit dhe vijnë tek perceptimet idealiste e romantike për dashurinë si enigmë, fshehtësi, llaftari.
Ti, që me heshtën e ironisë nisesh të mbrosh privacinë e fshehtësinë e dashurisë, më kujton Don Kishotin, që donte ta kthente botën pas. Më ngjan sikur ke harruar që qysh në rininë tonë na emociononte qasja e Ndoc Gjetjes, kur thoshte: “Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja/ ndodhin në mesin e rrugës së madhe,/ po ajo më njerëzorja, më e madherishmja, më hyjnorja – puthja,/ ka mbetur ilegale”.
Kështu më shkruan miku im dhe në thelb ka të drejtë. Dashuria e sotme, si prirje e përgjithshme është bërë më e thjeshtë, më njerëzore, del natyrshëm përballë njerëzve. Vetëm se unë vazhdoj të mendoj se si ndjenjë intime ka nevojë edhe për privaci edhe për fshehtësi, por mbi të gjitha ka nevojë t’u largohet thjeshtëzimeve mekanike dhe kthimit në spektakël që synon sytë e botës, por braktis zemrën.
(Nga cikli ‘As për mua, as për ty’)
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: NË SHUMICËN E FAMILJEVE, KUDO NË BOTË, GATUAJNË GRATË…