E. Hoxha- Xhaxhi është, padyshim, njeriu të cilit i kanë kënduar më së tepërmi në të gjallët e tij. Çdo festival, çdo koncert, çdo miting niste me njërën nga këngët e shumta për Xhaxhin.
Nga Lulëzim Haziri
Instituti i folklorit dhe Radio Tirana i mbushën vitrinat e tyre (tash arkivat) me bobinat e këngëve të kënduara nga orkestra simfonike, nga SHKA, rapsodë, fëmijë dhe këngëtarë të tjerë nga të gjitha viset e Shqipërisë. Sot, po t’u hedhësh një sy librave me këngë popullore të ndonjë rrethi (botime para rënies së përmendores së Xhaxhit) do të vëreni se gjysma e librave është me këngë kushtuar Xhaxhit dhe kongreseve të shumta në të cilat ka shkëlqyer dhe pas të cilave ka pastruar (lexo: vrarë dhe internuar) shokët e tij. Me një fjalë, i gjithë populli, në një kor disa milionësh, i ka kënduar jetës dhe bëmave ë tij.
Dhe, jo fort larg Institutit folklorik, në anën tjetër të kufirit që mban emra qafash (Qafa e Thanës, qafa e Prushit…) i njejti popull koral, me veshët mbushur përplot radio-valë, me një ndjenjë krenarie për të dashur të mbrojë dhe tregojë përkatësinë e tij aq të shtypur kombëtare, me veshin ngjitur pas altoparlantëve të radiove që këndonin për Xhaxhin, solidarizohej me korin e madh kombëtar. Derisa në anën tjetër duhej të ngrihet zëri kur këndoje, këtej qafafe po të ngrije zërin ta këputnin qafën, andaj i këndonin në heshtje.
Me rënien e përmendores së Xhaxhit, që ishte pasojë e një ere të fuqishme të cilën meteorologët nuk e besuan se do të fryjë edhe mbi shtetin koral, ndërruan edhe raportet e forcave kënduese.
Instituti i floklorit dhe Radio Tirana arkivuan këngët për jetën dhe të bëmat e Xhaxhit duke ua lënë vendin këngëve të reja që këndohen me instrumente elektrike, ndërsa këtej qafave u hapën kafenetë me muzikë popullore dhe televizionet e pavarura.
Edhe më tej mbetëm popull muzikal!
Deri sa në Shqipëri u demaskuan të gjitha të bëmat e Xhaxhit duke dalë në shesh të gjitha vrasjet, internimet, fukarallëku, dekadenca etj. që ishin pasojë e atyre të bëmave aq të kënduara, këtej qafave një televizion i pavarur, nga neglizhenca në punë dhe nga mosnjohja e metodës së shënimit të materialeve, qëllon një mbrëmje të lëshoj një video kasetë të inçizuar në TVSH në të cilën përveç këngëve “Te rrapi në Mashkullore”, këngëve të dashnisë dhe kurbetiti, u përvodh edhe një këngë për Xhaxhin. Të nesërmen në qytet ky lëshim u diskutua në forma të ndryshme, por nuk u morën masa në redaksi, nga se u pa se këto media nuk kanë redaksi.
Ngjarja e dytë nuk vonoi shumë. Një mbrëmje, në një kafene me muzikë, aq të popullarizuar këtej qafave, një zefkli, në një gjendje gjysmë të dehur, pra me vetëdije, porosite nga këngëtraja e popullarizuar e Shqipërisë, një këngë për bëmat e Xhaxhit duke e paguar në ndërkohë këtë këngë me një bankënotë 200 lekëshe.
Dhe, reagimet në kafene ishin nga më të ndryshmet, pra, në frymën e pluralizmit: dikush e lëshoi kafenenë, dikush u kërcënua, dikush protestoi, por një tjetër edhe u solidarizua me një buzëqeshje. Që tragjikja të jetë më e madhe, këtë këngë e porositi një bir, babi i të cilit kish ikur prej të bëmave të Xhaxhit, ndërsa këngën e këndonte një këngëtare të cilës ndoshta Xhaxhi ia kish burgosur ndonjë të afërt.
Atë mbrëmje askush nuk e komentoi se si u ndie këngëtarja apo zefkliu, por kronisti i këtyre dukurive që ndodhin këtej qafave nuk do të habitej nëse nesër në ndonjë çajtore do të bëhet promovimi i veprave të Xhaxhit. Edhe kjo do të merret si diç në frymën e pluralizmit, duke mos ça kokën se si ndjehen vëllezërit e tyre andej qafave të cilët kanë pësuar nga këto të bëma të cilat ende këndohen.
*Botuar në Bota sot, 1996
ObserverKult
Lexo edhe: