Ismail Kadare për Havzi Nelën: Një poet u lëkund në trikëmbësh, në qytetin verior të Kukësit…

Havzi Nela

Nga Ismail Kadare

Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.

Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar.

Një poet u lëkund në trikëmbësh, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajo në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Pa krim shefat komunistë ndiheshin të dobët e të squllët. Me krimin ndiheshin trima, si githë fikacakët.

Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.

Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdol loj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare ajo, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë.

*Shkëputur nga libri “Shkrimtarët për Havzi Nelën- Shpirti i lirë i Lumës”, përgatitur nga Rexhep Shahu dhe botuar nga “Klubi i Poezisë”, Tiranë, 2018

E përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

FOTOGRAFI TË RRALLA TË POETIT HAVZI NELA EKSPOZOHEN NË MUZEUN E KUKËSIT