Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” u miratua në seancën plenare të Kuvendit me vota 75 pro, 18 kundër dhe 1 abstenim.
Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, shpjegoi thelbin e marrëveshjes. Pastaj rolin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili do të funksionojë sipas ligjit shqiptar për OJF-të dhe sipas kompetencave që i jep ligji nr.27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
Si dhe theksoi se modeli që po aplikohet do i hapë udhën një mundësie të re të menaxhimit të trashëgimisë kulturore. E që ka rezultuar i suksesshëm ndër vite në shumë sitte të trashëgimisë botërore.
“Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar. Nuk do të jepet me koncesion. Nuk ka qenë në asnjë moment asnjë nga fjalët kyçe të hartimit të kësaj marrëveshjes dhe të vizionit. Paçka se është dëgjuar rëndom në këto javët e fundit.
Do të administrohet nga shteti, përmes një Fondacioni. Një fondacion ky i ngritur midis Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik, në këtë rast është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvilllim.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është një fondacion shqiptar, i përgjigjet ligjeve shqiptare dhe ka vetëm një qëllim. ‘Të mbrojë dhe të promovojë Butrintin’”, theksoi Margariti.
Gjatë diskutimeve parlamentare, deputetët e opozitës kundërshtuan projektligjin dhe marrëveshjen për menaxhimin e Butrintit. Pasi sipas tyre qeveria po e jep Butrintin me koncesion një fondacioni privat. Dhe se praktika që po ndiqet nuk është praktikuar në asnjë vend të botës.
Deputetët e shumicës parlamentare argumentuan gjatë diskutimeve të tyre se projektligji është konsultuar me UNESCO dhe se mbi bazën e marrëveshjes. Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm, jo fitimprurës. I cili do të funksionojë sipas legjislacionit në fuqi, ku përcaktohen qartë detyrimet e transparencës në performancë. Si dhe menaxhimin e fondeve. Ndërkohë që të ardhurat e gjeneruara nga marrëveshja do t’i nënshtrohen auditimit nga një prej kompanive më të mëdha audituese./ATSH
Lexoe dhe:
ARKEOLOGU I NJOHUR: ZBULIMET NË BUTRINT, MUNDËSI PËR RISHKRIMIN E HISTORISË SË MESDHEUT
ObserverKult