Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” me datë 28 maj, nga ora 12.00, organizon aktivitetin letrar “Takim me shkrimtarin Aziz Mustafa në qytetin e Klinës”.
Ky aktivitet do të zhvillohet në kuadër të programit për takime me shkrimtarë të ndryshëm e të rëndësishëm shqiptarë në qyteza të ndryshme të Kosovës. Kësaj radhe lexuesit dhe dashamirësit e artit në Klinë do të njoftohen me veprën e shkrimtarit Aziz Mustafa, njërit prej zërave më të artikuluar të prozës dhe letërsisë së sotme shqipe që shkruhet dhe botohet në Kosovë.
Takimi do të jetë i formatit të bisedës letrare.
Aziz Mustafa është një poet dhe prozator i veçantë që i ka dhënë letërsisë shqipe një vepër të këndshme për t’u lexuar dhe diskutuar, si dhe të begatshme në aspektin stilistik e tematik. Vepra e tij artistike është vlerësuar lart nga kritika letrare dhe është mirëpritur tejet mirë nga lexuesi i pasionuar i letërsisë së sotme shqipe.
Lindi më 24 dhjetor të vitit 1967 në fshatin Malishevë të Gjilanit. Është vlerësuar me shpërblime të ndryshme letrare. Ai është autor i këtyre veprave artistike:
“Mos e harro Japnoninë, Suzanë”, roman,
“Toka ime është në dashuri”, tregime,
“Mëso të thuash jo”, poezi,
“Matja e kohës së ndalur”, poezi,
“Pasaportë kam kafkën time”, poezi.
Aziz Mustafa ka shkollim të lartë në fushën e mjekësisë. Është otorinolaringolog i njohur jo vetëm në Gjilan e Prishtinë, por edhe në qarqet e mjekëve specialistë jashtë vendit tonë. Ai ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme në këtë fushë profesionale, si dhe ka botuar artikuj shkencorë në revista e platforma tejet të rëndësishme në fushën e otorinolaringologjisë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇMIMI “OPERA OMNIA – PËR AUTORË TË HUAJ” PËR SHKRIMTARIN ARIAN LEKA