Ismail Kadare për Arshi Pipën: Falë përkthimit të tij vepra ime është bërë e njohur në botë

Ismail Kadare

Në një intervistë për A2 CNN, Ismail Kadare vlerëson kontributin e Arshi Pipës në njohjen e veprës së tij në botë. Kadare dhe Pipa kanë pasur mosmarrëveshjet e tyre në të kaluarën, por që tashmë duken të tejkaluara nga shkrimtari i madh.

“Zakonisht për përkthyesin thuhet se në një farë mënyre e tradhton veprën. Ne shkrimtarëve disa herë na pëlqen, disa herë nuk na pëlqen. Por nuk kemi të drejtë…

Arshi Pipa ka përkthyer “Kronikë në gur” në anglisht. Kemi pasur marrëdhëniet tona të zakonshme, mes shkrimtarëve. Kam mendim të mirë për Arshi Pipën. Megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, ngaqë ne, në shtypin letrar, kemi pasur acarime mes nesh. Por kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur. Zakonisht njerëzit presin që “plasi ndonjë sherr mes shkrimtarëve e ta ndjekim sa është interesant”.

Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, por edhe përkthimeve të tjera, vepra ime është njohur në shumë vende, në të gjitha vendet e botës”, thotë Kadare.

“Nuk kam pasur konflikte me përkthyesit e mi. Kam qenë i kënaqur që edhe një përkthyes si Arshi Pipa, me të cilin disa herë në botën letrare kemi pasur polemika, jo fort dakord me njëri-tjetrin për disa gjëra, nuk kam asnjë pakënaqësi që ai është marrë me veprën time, aq më tepër urrejtje.

Përkundrazi, kam pasur falënderim që ky njeri i shquar i kulturës shqiptare i ka kushtuar një pjesë serioze të jetës së tij përkthimit të këtyre veprave. Ju do të prisni që unë të bëja ndonjë vërejtje për të, Ju them sinqerisht, nuk e kam për arsye mirësjelljeje…

Përkundrazi, kam mirënjohje që ky zotëri është marrë gjithë këto vite me një nga romanet e mi. Dhe ia ka dalë. Nuk di ç’të them për vërejtjet që i janë bërë, për ato secili mund të japë mendimin e vet”./a2news.com

————————

Lexo edhe:

PSE ISMAIL KADARE E LA PARISIN DHE U KTHYE NË SHQIPËRI? (VIDEO)

ObserverKult