Një humbje e madhe për Cirkun dhe publikun shqiptar. “Mjeshtrja e Madhe”, akrobatja Vitore Sallaku është ndarë nga jeta. E cilësuar si një nga ikonat e akrobacisë dhe cirkut shqiptar. Ajo ofroi kontributin e saj, jo vetëm si artiste, por edhe si pedagoge e shkrimtare.
Vitore Sallaku vinte nga një familje e persekutuar prej sistemi komunist, ku të atin Lorenc Rashën e pushkatuan.
Megjithatë, falë aftësive dhe talentit, të ndjerës nuk ia ndërprenë të drejtat e studimit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë.
Nga ana tjetër, kjo goditje e familjes Rasha, tentoi të vinte në pikëpyetje karrierën artistike të bashkëshortit të saj Skënder Sallakut. I cili nuk hoqi dorë kurrë prej saj.
Si një nga akrobatet më të spikatura të arenës së cirkut me një kontribut për më shumë se 35 vjet, Vitore Sallaku u nderua në tetor të vitit 2021 nga Presidenti ende në detyrë, Ilir Meta me titullin “Mjeshtre e Madhe”, transmeton ‘gazetashqiptare’.
Puna e saj e fundit ka qenë një libër biografik për bashkëshortin e saj Skënder Sallaku. Ndërkohë që numëron edhe 5 libra të tjerë të botuar mes të cilëve tre janë me poezi.
Për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila përmes një statusi në Facebook ka ndarë lajmin e hidhur me të gjithë shqiptarët.
“Një grua e rrallë, energjike, një artiste e talentuar, një nga themelueset e Cirkut shqiptar, u nda nga ne.
Akrobatja Vitore Sallaku ka lënë pas kaq shumë kujtime të bukura dhe u ka falur kaq shumë gëzim njerëzve, saqë largimi do të jetë vetëm fizik! Ajo ishte dhe do të mbetet një shkollë për brezat e rinj!”
Lexo edhe:
NDËRRON JETA IKONA E CIRKUT SHQIPTAR, VITORE SALLAKU
Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, ikona e cirkut shqiptar, akrobatja Vitore Sallaku…
TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU
ObserverKult