Artan Gjyzel Hasani: Të pashë në ëndërr…

Poezi nga Artan Gjyzel Hasani


të pashë në ëndërr
por s’ishe ti…

trëndafili i egër kish çelur një orkide
qiparisat mbanin erë manushaqe…
nga varret e zbukuruar me djepe
nje muzikë pagane pagëzonte
atë që pa gëzuar mbeti…

kur u zgjova kuptova
ëndrrën nuk e kisha parë unë
orkestra aromatike ishte mbytur
në gropat e syve të natës
gjumi im
ishte i një tjetri
dhe ti po flije pranë tij…

ObserverKult

—————————–

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: ARTAN GJYZEL HASANI

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Unë nuk besoj te lumturia, aq më pak te përkryerja e saj. Në një arsyetim ideal, lumturia e përkryer do të ishte ajo gjëndje ku njerëzit i japin mundësi njëri tjetrit të jenë vetvetja pa asnjë kusht.

Cila është frika juaj më e madhe?
Lartësitë, por jo fluturimet.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njeriun që dua.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Asnjëri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjykimi i vetes.
 
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja.

Në cilat gjëra e teproni?
Mirëbesimi.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga e panjohur, pak rëndësi ka mjeti, mjafton që ajo rrugë të kalojë nga shpirti.
 
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dreqi ta hajë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kur kam zhgënjyer njerëz që më kanë dashur shumë, sidomos tim atë…

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU