Ahmet Selmani: Ne jemi njerëz që prodhojmë zotëra

ahmet selmani

Poezi nga Ahmet Selmani


(ose historia e bardhë për bëmat e zeza)

Ne jemi njerëz
që prodhojmë zotëra
më shumë se çdo gjë tjetër
i nxjerrim nga balta
dhe i ngremë në qiell
pastaj nga qielli
i përplasim në tokë
një herë përgjërohemi
e betohemi për ta
mandej i pështyjmë
e i mallkojmë
ndaj asnjëherë nuk e dimë
nëse kemi apo s’kemi zotëra
gjithçka na fanitet
si kujtesë e zbehtë
a si ëndërr e mykur
eh zotërat tanë
vijnë e shkojnë
sikur të mos ishin fare
veç ne mbetemi të njëjtë
duke u bjerraditur nëpër lakadredhat
e legjendave urbane
dhe duke thashethemuar për kurtizanet
e zotërave tanë
të cilat na e rrjepin lëkurën
dhe na e japin si dhuratë
për ta shkruar mbi të
historinë tonë të bardhë
për bëmat e zeza.

ObserverKult

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: AHMET SELMANI

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Mendoj se është vetëm një utopi e bukur ose një mit ngushëllues për njeriun. Sado që të përpiqesh për ta arritur atë, në fund prapë do të mbetesh i zhgënjyer. Sipas filozofit Karl Pop, jeta është zgjidhje problemesh. As teoria biologjike nuk e njeh konceptin e lumturisë te njeriu, por vetëm atë të trashëgimisë. Pra njeriu nuk lind për të qenë i lumtur, por për të lënë pasardhës. Me këtë dua të them se kërkimi i lumturisë së përkryer mund të kthehet si një bumerang dhe të bëhet vuajtje fatale në jetë. Bie fjala, nëse s’ke para, ato ndoshta mund t’i fitosh një ditë, të bëhesh i pasur, por vjen një çast kur nuk të mjafton as kjo, sepse jeta megjithatë është e shkurtër. Dhe atëherë të kap një dëshpërim i pakontrolluar. Për çfarë lumturie të përkryer mund të flasim kur e dimë se një ditë do të vdesim? Këtu përfundon gjithçka rreth idesë për lumturi të përkryer. Unë jam ithtar vetëm i lumturisë reale, asaj që ta sjell dashuria, puna e përditshme, suksesi, mirëqenia.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU