Historitë pas shkrepjeve: Biseda me Timo Fllokon në 2007 e takimi i Ibrahim Kodrës me Maks Velon

Studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni boton librin-album “Miq në 50 foto” me personalitete të artit e kulturës në vend. Çdo imazh është kthyer në bardhë e zi e shoqërohet nga përshkrimi i çastit të fotografimit dhe jetëshkrimi i çdo personazhi. Nga Ramadan Sokoli, tek Maks Velo e Timo Flloko, fotografi rrëfen historitë pas shkrepjeve.

 “Miq në 50 foto”, studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni nxjerr nga arkiva e tij personale disa nga imazhet e jetësuara prej tij, të personaliteteve të artit dhe kulturës dhe boton në 109 faqe një libër-album.

“Nga takimet me miqtë e mi që kanë kontribute në jetën kulturore, shoqërore të vendit, gjatë bisedave me ta i fotografoja. Jo fotografi të porositura, por duke biseduar, duke pirë çaj i kam fotografuar. Para 4-5 vitesh këto fotografi i botoja në organe shtypi me titullin “Një foto dhe disa rreshta”, në raste të veçanta.

U bënë disa të tilla, dhe vura re që u pëlqyen. Kur u bë një numër i konsiderueshëm fotografish mendova t’i përmbledh në një libër”, tregon fotografi Qerim Vrioni.

Të 50 fotografitë, të renditura sipas moshës i ka kthyer në bardhë e zi për elegancën e këtij kombinimi.

Galeria hapet me imazhin muzikantit Ramadan Sokoli duke pirë kafe në shtëpinë e tij e mbyllet me artistin Shpend Bengu. Përbri çdo fotoje, përshkruhet çasti i fotografimit, por edhe kontributi i artistëve.

“Janë fotografi të çasti të tipit “mos luaj”. Ose në ‘pamendje’ duke lexuar, apo duke folur në telefon. Kam parë që u ka pëlqyer fotografia dhe u kam thënë idenë time për ti bërë pjesë të një libri, për këtë u kam kërkuar edhe disa të dhëna për jetëshkrimin që shoqëron fotot.

Kjo për ata që ishin gjallë, për të tjerët gërmova nëpër libra, në internet etj. Dhe i plotësova. U bënë më shumë se 50 por unë zgjodha këto”, thotë më tej studiuesi.

Nga shkrepja në “pamendje” e Lazër Filipit tek imazhi disi qortues e i zhdërvjellët i Kasëm Trebeshinës, e Fatos Arapit pranë Galerisë së Artit tek flet me pasion, pas çdo fotoje fshihet një histori. Ndërsa personazhi më i dashur mbetet miku i tij vlonjat Aleko Babe, piktor-dekorator.

“Ndër portretet më të bukura do të veçoja atë të Lumturi Blloshmit, Skënder Kamberit, i Uran Kostrecit, Françesk Radit etj. Ndonjëherë e ka bërë punën vetëm një shkrepje, herë të tjera janë dashur dy-tre”, shprehet Vrioni.

Shkrepja e Timo Fllokos pranë kinema “Millenium” në 2007-ën vjen gati si një imazh filmik.

“Atë ditë po diskutonim me Timon në “Pedonale”. Edhe i thashë: Timo do të fotografoj! “Vazhdo”, ma ktheu. Zgjodha këtë ia dhashë Timos, dhe ai e vendosi edhe në ballinën e librit me poezi ‘Robi i manive’, tregon fotografi.

Libri-album pritet të pasohet nga një tjetër vëllim, ku do të jetë edhe imazhi i piktorit Ibrahim Kodra në bibliotekën e Galerisë së Arteve në vitin 2003, ku fotografi ka fiksuar edhe arkitektin Maksi Velo.

“Kam fotografuar edhe Ibrahim Kodrën ndërsa ishte duke biseduar afro 18 vjet më parë. Nuk është ndonjë fotografi e veçantë, por është fotografi e Ibrahim Kodrës… nuk bën më dot fotografi të Ibrahim Kodrës. Këto janë foto dokumentare, kur kanë dhe vlera estetike, akoma më mirë. Po në atë takim kam fotografuar edhe Maks Velon, në imazhin që vjen në këtë vëllim. Mbaj mend që Maksi e shikonte, ndërsa Ibrahimi tregonte për artin e tij dhe si duket Maksi e krahasonte me mundësitë e tij dhe të kolegëve të tij në Shqipëri për të lëvruar art modern”, thotë Vrioni./shqiptarja.com

Lexo edhe:

QERIM VRIONI: FOTOGRAFIA E RRALLË E SHKRIMTARIT REBEL DHE NJOHJA ME ARKITEKTIN

ObserverKult