Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e dy qeverive dje në Prishtinë ka folur për marrëveshjen e bashkëpunimit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në fushën e albanologjisë: “Enciklopedia Shqiptare.”
Kryeministri Rama theksoi se, “kjo është rezultat i punës së përbashkët të dy qeverive. Zbatim i angazhimit që morëm së bashku në takimin e shtatorit në Prishtinë me të dyja akademitë që nisi punën konkretisht me financim të dy qeverive për “Enciklopedinë Shqiptare”, projekti madhor albanologjik i shumëpritur, i shumëmunguar, që merr udhë si një vullnet i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i qeverisë tonë”.
Kryeministri Rama deklaroi edhe unifikimin e abetares.
Marrëveshja mes dy qeverive është bërë në funksion të realizimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës për hartimin e projektit madhor “Enciklopedia Shqiptare”.
Ky projekt përfshin të gjitha proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes deri tek shtypshkrimi.
Sipas marrëveshjes, janë të ftuara për bashkëpunim edhe institucione jopublike e studiues të pavarur në vendet e tyre dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe bota arbëreshe.
“Enciklopedia Shqiptare” hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqe për vëllim.
Projekti madhor “Enciklopedia Shqiptare” zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, puna për të cilin do të fillojë më 1 janar 2023./ATSH
————————–
Lexo edhe:
ENCIKLOPEDIA TURKE E SAMI FRASHËRIT, KU TERRITORI SHQIPTAR KISHTE MË SHUMË ZËRA SE SHBA
Në enciklopedinë e S. Frashërit, nuk mungojnë edhe jetëshkrimet e mbretërve dhe perandorëve të kohëve të kaluara dhe të fundit të shekullit të 19-të, në radhë të parë, të Turqisë.
Porse krahas tyre, më mirë të thuhet, përballë tyre mbizotërojnë jetëshkrimet e letrarëve, shkencëtarëve, piktorëve, skulptorëve, arkitektëve, kompozitorëve dhe, sidomos, bien në sy jetëshkrimet e luftëtarëve të lirisë e të drejtësisë, të përparimit shoqëror, të mendimtarëve përparimtarë të të gjitha kohërave…
TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU
ObserverKult