Nga: Gjergj Mihallari
Nata kishte shtruar një perde të plumbtë errësire, gati-gati vajtuese. Nëse vajza frymonte me vështirësi nga sa i kishte ndodhur, ai sillej rrotull dhomës si një somnambul. Të dy të përhumbur në zhurmim të mendimeve. Arsyeja përpiqej t’i mbushte mendjen vajzës se nuk duhej të kishte vrunde ndjenjash për djalin e panjohur, kur tashmë ajo ishte e fejuar me një djalë tjetër.
Por ndjenjat e zjarrta kryeneçe, ajo magmë e trazuar në brendësi të shpirtit, ishin gati të shpërthenin, të përvëlonin edhe atë mendim më të vogël që mund të ngelej në cepin më të përhumbur të arsyes.
Kishte dalë pas fejesës, me djalin, që babai dhe vëllai i madh, kishin zgjedhur për shokun e saj të jetës, por nuk kishte provuar as më të voglin ndijim, as rrahjen më të dobët të zemrës, për të fejuarin. Kishte qënë një kortezi e ftohtë, aq sa kur ishte ndarë prej tij, kishte ndjerë në trup peshën e lehtësimit. Gjithë ato dy a tre takime, i krijohej përshtypja sikur merrte pjesë në një funeral vdekje. Mjaftonte vetëm vajtimi dhe kuja e shpirtit të saj.
Lumenjtë rrjedhin, të qetë, vrullshmëm me mbarsjen e ujrave të shirave të fortë, dhe në fund, kur gjejnë shtratin e duhur, duket sikur flenë. Nanurisin dhe në fund të rrugëtimit, sado të çapaviten dhe të ngatërrojnë rrugë, do të përfundojnë në det. Edhe në jetë, sido që të sillet rrotull e rrotull fati ynë, në derë të gjitonit, njëherë kemi për të trokitur.
Ajo ç’ka ishte vendosur për Bardhën dhe Frederikun, do të realizohej. Pritja gjithmonë sjell ankth dhe padurim, vetëm se ka bukurinë e ëndrrës që nuk të ndahet. Ëndërron në çdo sekondë e minutë të ditës, në qelizat e mpira të trurit nga ndjenja që të ka pushtuar gjatë gjumit të natës.
Nëse nuk je piktor, ndjenja të bën piktor. Mund të pikturosh një ëndërr të Van Gogut mbi yje, apo puthjen magjike e plot pasion të Gustav Klimt. Nëse nuk je aktor apo këngëtar, shpirti yt i huazon. Mund të recitosh një poezi të Benedetit, të Charles Baudelaire, apo të këndosh këngën e The Animals, The house of the Rising Sun*.
Janë shumë ato që mund të bëhen, por nuk hyjnë në punë, nëse janë larg njëri-tjetrit shpirtrat binjakë. Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe duhet të bësh gjithmonë atë që mendon. Ekziston gjithmonë një e nesërme. Jeta na jep mundësi për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet. Ata të dy, djalë e vajzë, ishin me fat, kishin një të nesërme… një ditë që të shihnin dhe të mendonin ndryshe.
*Nga libri “Ndjesë në pergamenë”
Lexo edhe:
GJERGJ MIHALLARI: TI EJA, EJA KËTË NATË…
ObserverKult