Një vals lumturie për Rajmonda Kamberin

Një vals lumturie për raimonda kamberin

Një vals lumturie për Rajmonda Kamberin, e cila u bë e njohur me interpretimin e këngës së famshme, që po aq famë i dha edhe artistes Vaçe Zela.

Ka gjëra që harresa nuk mundet t’i fshijë…Një prej tyre është zëri. Vitet ndryshojnë portrete, zbehin shprehi, por zëri, tingulli, timbri, ngrohtësia zgjon ndjesi të lidhura ngushtë me kujtimet. I tillë është vokali i Rajmonda Kamberit, durrsakes me zërin e ëmbël që i rikthehet publikut me recitalin “Dëgjoni këngën time”.

Është Gjergj Leka që zgjon nostalgjinë, jo vetëm me organizimin e këtij koncerti, por edhe i sjell të riorkestruara dhe të freskëta në kohë këngët, për një publik të gjerë.

Një vals lumturie për Rajmonda Kamberin, e cila u bë e njohur me interpretimin e këngës së famshme, që po aq famë i dha edhe artistes Vaçe Zela.

Nuk është takimi i parë i tyre. Është një ritakim pas shumë kohësh, kur kantautori dhe producenti i njohur e spikati Kamberin në provat e Festivalit të Interpretuesve të Rinj. Interpretoi këngën “Djaloshi me këmishë flakë të kuqe”. Interpretimi i denjë e nderoi. Ky ishte ndoshta edhe shpagimi i këngëtares për padrejtësitë shoqërore, pasojë e regjimit diktatorial.

Jeta ishte treguar jo e drejtë me të. Ëndrrat e kompozuara me nota e tinguj, u lanë në mes një ditë të beftë pasi i arrestuan të atin, me pretendimin e shpërdorimit të detyrës.

Prej moshës 6 vjeçare kishte frekuentuar Shtëpinë e Pionierit, ku veç këngës merrte mësime kitare dhe baleti. U veçua nga mësuesja e saj Nazmije Mici si soliste dhe doli e para në Festivalin e Pionierit, në Durrës. Po atë vit, me të njëjtën këngë merr pjesë në Festivalin Kombëtar në Shkodër, ku vlerësohet me Çmimin e Dytë.

Por Vaçe Zela nuk është i vetmi zë i madh me të cilin e kanë krahasuar Kamberin. Kritikët e muzikës, ngjashmëri të madhe kanë vërejtur edhe me atë të Tefta Tashko Koços. Një homazh për Tefta Tashkon përmes dy këngëve, që vijnë me zërin e Rajmondës dhe ri-orkestrimin e Gjergj Lekës.

Raimonda Kamberi dhe Gjergj Leka

Ishte vetëm 12 vjeç, kur mori përsipër të interpretonte “Valsi i Lumturisë”. Të pashuara në kujtesë i kanë mbetur duartrokitjet e nxehta të publikut dhe brohorimat “Joselito!”, duke e krahasuar me fëmijën prodigy të muzikës spanjolle.


Fama e fëmijës-këngëtare zgjati për disa vite, ku Kamberi interpretoi në festivale që organizoheshin në Pallatin Rinia dhe atë Aleksandër Moisiu, të Durrësit. Të gjitha këto ia mohuan, kur të atin ia akuzuan pa fakte, vetëm pse kishte kundërshtuar dikë në Komitetin e Partisë.

E larguan nga programi artistik i shkollës, mësuesit u rrekën t’i ulnin notat, por jo krenarinë.
U munduan ta zhbënin emrin e saj, të cilin e kishin lëvduar e ngritur në piedestal, por zëri i Rajmondës i mposhti.
Pas gjashtë muajve e kërkuan sërish në veprimtaritë kulturore. U kthye, por zemërthyer. Por rruga e sukseshme për të fituar zemrat e publikut, vazhdonte e pandalshme. Interpretoi në Estradën e Durrësit dhe çdo institucion kulturor të qytetit. Kamberi ishte zëri i bukur i Durrësit.

Raimonda Kamberi

Fati nuk ishte i gjithi kundër këtij talenti, që u përplas herët me dhunën e diktaturës. Pati mësues mjeshtra si Zeliha Sina, Ibrahim Tukiçi, Luiza Papa.
E zgjodhën të këndojë në Ansamblin Shtetëror, drejtuar atëkohë nga kompozitori i njohur Agim Krajka. Mëson edhe nga kolegët me përvojë si Naile Hoxha, Fitnete Rexha, Hysni Zela, Zeliha Sina. Merr mësime kantoje nga profesori Ramiz Kovaçi, për t’u pranuar në Konservator.
Një tjetër zhgënjim për këngëtaren e re, me zë të madh.

Nuk e pranuan. Arsyeja ishte e ashtuquajtura “biografi e keqe”, për shkak të arrestimit të të atit.

Nuk u dorëzua. U përpoq për të dytin vit, por censura ishte e ashpër dhe e zellshme për të sakrifikuar talente në emër të ruajtjes së regjimit.

Por megjithë pengesat, nuk e ndali vrullin muzikor. E nderoi Durrësin kudo ku mori pjesë dhe dalloi mes shoqeve. Në festivalet e Radios, emri i Rajmondës dominonte mes shumë konkurenteve durrsake.

U largua nga vendi i saj, më 1990, në kapërthyell të ndryshimeve të mëdha. Pak shpresë i kishte lënë vendi që nuk e la potencialin e saj të lulëzonte. E nisi gjithçka nga e para, por pa hequr dorë kurrë nga muzika.
Ritakohet me kompozitorin Gjergj Leka, që ia vuri në pah zhdërvjelltësinë dhe potencialin e vokalit në atë festival intepretuesish të rinj dhe vjen me koncertin e saj recital, pas shumë vitesh si një dëshmi se zërat si i saji, nuk harrohen.

Një vals lumturie kënga e Rajmondës që e sjell në dy orë në një rrugëtim jete. Edhe njëherë fëmija i talentuar, të cilën e brohorisnin me admirim./balkanweb.com

ObserverKult

Lexo edhe:

RRËFIMI I EMA ANDREAS: NË SHQIPËRI PO TË QESHËSH NË MËNGJES TË THONË A KE PIRË?