Poezi nga Nizar Qabbani
Biseda jote është si një qilim persian
Sytë e tu janë dy harabela damaskienë
Që fluturojnë mes dy muresh
Dhe zemra ime, udhëton si pëllumbi
Sipër ujit të duarve të tua, ku merr një dremitje
nën hijen e bylyzykëve.
Të dua…
Por, ja, unë kam frikë të përfshihem në ty
Kam frikë të rimishërohem
Kam frikë të shkrihem në ty
Pasi, tashmë, më kanë mësu’ përvojat
t’i dredhoj dashurisë së grave
dhe valëve të detit.
Unë nuk po e diskutoj dashurinë tënde…
pasi, ajo është dita ime
e si të diskutoj diellin e ditës?
Unë nuk po diskutoj dashurinë tënde
pasi, ajo, vendos në ç’ditë do të vijë dhe në ç’ditë do të ikë.
Për më tepër, ajo përcakton kohën e dialogut dhe formën e tij.
***
Më lër të të derdh çaj
ti je zana e këtij mëngjesi,
e zëri yt është një mbishkrim i bukur
në fustanin marokien.
***
Më lër të të derdh çaj… e, a të thashë se të dua?
A të thashë se jam në shend e gaz sepse ia behe
se prania jote ngazëllen si paraqitja e poemës
si prania e varkave
dhe e kujtimeve të largëta?
***
A të pëlqen çaji?
A të josh pakëz qumësht?
A të mjafton – ashtu, si gjithsaherë – një kubik sheqer?
E mua, më del më mirë, fytyra jote, pa sheqer
***
Pse të dua… mos m’pyet
pasi s’kam zgjidhje… e as ti s’ke zgjidhje…
Përktheu: Agron Islami
ObserverKult
Lexo edhe: