Ju ftojmë të lexoni një cikël me proza poetike nga Xhavit Beqiri
Ajo shpí
Rranzë malit, anash lumit, qëndron ajo.
E vetmueme. Simotrat e saj nuk i qëndruen dhamit të kohës.
E braktisun. Njerëzit ikën nëpër botë dhe nuk u kthyen ma.
A thue çka e mban ende në kambë atë godinë të vjetër me gurë, dru e baltë, të mbuluem me rrasa guri?
Mbase, ajo ka gjetë paqe me veten e me botën? Me atë mal të naltë, po se po, sepse ai i ban strehë gjatë dimnave të ashpër, ndërsa fresk në ditët përcëlluese të verës.
Edhe lumi, që herë rrjedh prajshëm, e herë rrëmbëhet si i shkalluem mendjet, duket se ka njifarë ujdie mirëkuptimi me atë shpí. Vjet, apo para disa vjete, kur doli nga shtrati me tërbim, fshiu çka gjeti përpara: shtëpizat e reja, rrënojat e të vjetrave, gjithçka… Vetëm atë, shpínë n’breg, nuk e preku!
Pranë pragut të saj prej druni, lumit i kaloi tërbimi. U qetue dhe, kadalkadale, nisi me u tërhjekë…
Shpía e vogël rranzë malit, mbeti aty. Aty ku ka qenë që kur dihet për botën. N’stom guri. Anash lumit…
Ura
Kur mbas malit të errët u shfaq drita e artë e diellit, djali kish arritë n’stom lumit. Gurgullima e mahnitshme e ujit, që kish marrë hov nga bora e shkrime e pranverës, për nji çast, e hutoi.
Ish si i dehun!
Mbase, s’kish faj?! Asnjihere n’jetë nuk e kish pâ lumin kaq të dalldisun, kaq kumbues!
I pëlqejke ajo ushtimë shplodhëse, ajo pamje mahnitëse.
Por, kish kapak frikë… Drithërima ia përshkoi trupin, mornica e ftoftë e shtangu n’vend: “Po, nëse uji – tânë këta ujë – e përrlan urën, e përrlan me gjithë mue?!”
Dhe, u kthye mbas!
Plaku dhe djali
Plaku rrinte përballë oxhakut dhe pinte duhan. Ulun randë n’shkambin trekambësh, zhytë në të thella. Herë pas here ofshante… dhimshëm!
Në tavolinën e vogël kishte filxhanin e vogël. Kafen e kish pi ma shpejt se ditëve tjera. Pa naj shkak, me mashën dydegëshe e shprushke orë e çast prushin n’oxhak.
Ofshamat nuk ia pritshin njana-tjetrën. Kurrë s’e kish qortue ashtu, aq rreptë e aq egër djalin e tij, t’voglin, AH, për t’cillin gjithmonë kish besue se ka me lanë nam e zâ.
Po, kur erdh dita me e marrë n’sy udhën e gatë, AH nuk e kaloi urën. Nashta u frigue nga uji i rrëmbyeshëm i pranverës, nashta nuk besoi se munet me shkue larg.
“Koxha do vjet, po hala shtalb!”, tha plaku vetmevete.
Kur dole ti
Unë isha ulun pranë oxhakut. I kthyem kah dritarja, po e shikojsha malin përballë. Dimën ishte, po borë nuk kishte e mali me fushat përreth kishte marrë një nur të randë në të kaftë.
Atëhere hyne ti dhe e bane zjermin të shuhej dhe e bane dritën e diellit të fikej, sepse zjermi yt ishte ma i nxehtë se secili zjerm e drita jote ma ndriçuese se secila dritë.
Nuk di sa zgjati ajo ditë e bekueme, nji çast apo nji jetë, po e di që kur dole ti dhe e mbylle derën, mue m’u duk se ti nuk ma mbylle derën e shpisë, po kapakun e arkës së vorrit.
Si dole ti, drita u ba errësinë, zjermi akull e zemra cung.
Vasha dhe gjarpni
Zgjohu vashë që po ëndërron ambël ner hijen e mollës!
Zgjohu vashë, që po e kundron çiltër kalorësin e bardhë, tue hy në tempullin e pritjeve tua me tanë hijeshinë e madhështisë kalorsiake.
Zgjohu vashë, mjaft buzqeshe n’andërr. Gjumi i ditës, edhe ner hijen e mollës, t’ligshton.
Zgjohu vashë, ti mbretneshë e bukurisë, sepse gati erdh mjesdita!
Zgjohu, hiqe pelerinën e lehtë hedhun krahëve, kërce nga shtratluhaja dhe – shpëto!
Zgjohu vashë, ti floçkë e djemve të motit: gjarpni i bardhë t’u ka ngjitë!
Zgjohu e mos i prish gjithë ato andrra djelmnie!
Zgjohu; nuk po t’përkëdhelë flladi i erës, as dora e fisme e princit; zvarraniku i nemun nga Hyji po t’mbështillet përfrigshëm rreth trupit tand t’njomë.
Ashensori
(Për D. B.)
Djali e kish paramendue në nji mijë forma çastin kur do të mbetej vetëm, krejt vetëm me vashën e andrrave të veta. Po, kur ai çast erdh, fjalët i humbën, zani iu mor, ballin ia mbuluen djersët…
U mundue me i thirrë mendjes, me u kapë mbas urtisë e filozofisë, po kurrgjâ s’i hyni në punë.
Ajo ishte aty, përballë, gati ngjitun për trupin e tij. Ishte ngushtë në atë ashensor gri, edhe pse mbrenda ndodheshin vetëm ata të dy: ai dhe ajo, ajo e andërrruemja në netët e gjata e të ankthshme rinore.
Fryma nisi me iu nxanë, goja nisi me iu tha. I kish menue e stërmenue, thanë e stërthanë vetmevete mija herë, si të ishin vargjet ma të bukura lirike që janë shkrue najhere, fjalët që kishte me ia pëshpëritë posa të mbetej veç me tâ, veç me vashën e andrrave…
Por, kur t’lidhet gjuha e t’humbin fjalët, kur t’dridhet trupi e nuk t’mbajnë kambët, dera e ashensorit hapet, tring-tring, dhe ajo fluturon në çast, si mos me pasë qenë kurrë aty.
Djali e kuptoi fill se ajo që shkoi nuk kthehet ma. I dha urdhën ashensorit mos me u ndalë as në katin e parë, as në përdhesë, as në bodrum…
Ashensori e ndëgjoi me përpikní; nuk u ndal ma kurrë, por u lëshue me krejt hovin humnerave të nëntokës për ta gremisë djalin poshtë e ma poshtë drejt botës së territ e fërgëllimës, atje ku nuk zbret drita e diellit, atje ku shpirti i njeriut nuk prehet kurrë.
Buzqeshje n’ândërr
Trimi e kishte dashtë shumë atë vashë; e kishte dashtë me krejt forcën e trupit, të mendjes e të zemrës.
Vite me radhë i kish shijue tetana kënaqsitë e jetës pranë saj. Ia kishte shijue aromën, nurin, synin, trupin…
Dhe nuk ishte ngopë kurrë nga bukuria e saj, po e kishte kërkue gjithmonë e ma shumë dashninë e saj, shikimin e saj, përqafimin e saj…
Oh, çfarë ditësh e netësh t’ambla e t’zjarrta kishin kalue bashkë. Ditë pas dite, natë pas nate, vit pasi viti… Tejsa, dikurnaj, e kishin humbë konceptin e kohës dhe nuk e dinin ma kur agonte e kur perëndonte, kur nxente dielli i mesditës apo shkëlqente hana mbi pyje. Ishin bâ si nji trup, sepse vërtet si nji trup ishin në shêjtninë e dashnisë fizike e shpirtnore që kalojshin me njani-tjetrin.
Në dhomën e tyne të gjumit, në dhomën e pritjes, në oborr, në fushë e në livadh, pranë malit e pranë lumit e kishin shterë edhe drahmën e fundit të frymës së tyne në magjinë e marrjes dhe të dhënies njani-tjetrit.
Dhe, s’ishin habitë asnihere, n’atë zjarr pasioni dashunor, mos me qenë mirënjohës ndaj Hyjit, që i kishte takue udhët e tyne dhe i kishte bâ nji udhë, nji trup, nji shpirt.
Ishin të rij, të dashunuem e krejt të pafaj…
Po, nji ditë prej ditësh, trimit i erdh letra me shkue ushtar i mretit… I thojshin shtatë vjet larg shpisë, larg vashës. Nuk ish çkado letër, po letër për ushtri!
“Duhet me i tregue”, menoi trimi. “Ma mirë me ia thanë vetë, se me e ndëgjue nga tjerët.”
Dhe, sa e sosi timin e mbramë të duhanit, u çue për me ia bâ me dije vashës se i duhej me shkue larg, larg saj, sepse e kishin thirrë me i shërbye mretit dhe vatanit!
Iu afrue kadale shtratit ku flinte vasha, thuejse kish frikë mos po ia prishte andrrat. Nga oxhaku i ndezun vinte jo veç të ngrohtit, po edhe njifarë drite e ambël, që u jepke gjanave përreth nji si shkëlqim melankolie.
Për të njimijtën herë, trimi u mrekullue nga bukuria e vashës. Dritat e hijet që vallzojshin mbi ftyrën e saj t’mrekullueshme, sikur ia morën zanin. U nal nji copë here, tue e vështrue plot adhurim e dashní. I vijke fort keq, që i duhej me ia thye zemrën, me i tregue se ai do t’nisej ushtar dhe ata të dy do t’digjeshin nga malli, larg njani-tjetrit.
Po, shih atëhere, asaj seç i shkoi buza në gaz. Mbas do çastesh, edhe nji here… Trimin nisi me e kap njifarë zagushie, duert nisën me iu djersitë. E dhezi nji duhan dhe u kthye prapë ngat oxhakut. Nejti aty koxha gat. Masanej u kthye prapë te vasha, prej t’cilës zemra i thojke që s’mundet me u nda asnihere.
Dikurnaj vonë, nashta thellë mbas mesnate – se knuesi i parë tashma ish dëgjue tri herë – u nis sërishmi drejt shtratit, ku dremitke e zgjedhuna e jetës, vasha t’cilën e kish dashtë qysh prej ditës së parë që e kish njoftë.
U afrue me kujdes. Sa deshti me e ndreq pak jastakun, sytë i shkuen prapë në ftyrën engjëllore të vashës. E vështroi disa çaste, ashtu në heshtje, tek merrke frymë butë si një qengj motak. Deshti me e përqafue fort, ashtu n’gjumë, po pat frikë se mos po e trembë.
U kënaq, megjithate, tue vështrue ngadalë, tue ia dashtë gjumin e prajshëm. Mirëpo, ajo buzqeshi prapë në gjumë. Bile, jo nji here, disa here! Trimi e vrejti se njifarë ndjenje e përzishme, që nuk e kish përjetue kurrë ma përpara, nisi me e trazue keq.
“A thue, pse vasha kenka sante kaq e lumtun?! A thue çkafit po i gzohet kaq shumë?!”
Nuk fjeti trimi atë natë pothujse hiç. Heret, masi rrezja e parë e kish puthë majën e malit matanë, ai nuk mujti me u përmbajtë ma. Se, menojke trimi, nuk muj me rrnue tue e ditë që vasha jeme – për t’cilën shtatë jetë me i pasë, t’shtatat i kisha flijue – munet me kanë kaq e gzueme tue qenë pranë najkujt tjetër.
U çue vrullshëm, si me ia pasë dhanë i koftëtretuni fuqitë e botës dhe ia ngjeshi vashës jastakun mbi ftyrë. Nji çast, disa çaste, nji jetë… Tejsa u sigurue që fryma e vashës u nis drejt qiellës, kurse ajo s’kish me i buzqeshë ma askujt, as n’ândrra!
(Marrë nga libri “Shtëpia në breg”, botuar nga “Buzuku”, Prishtinë, 2022)
ObserverKult
Lexo edhe: