Çka thoshte Ibrahim Rugova për karakterin, natyrën e letërsisë…

Fahredin Spahija: Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.

Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti.

Sipas tij, njëri nga më përfaqësuesit e kësaj lëvizje është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.

Rreth librit “Refuzimi estetik”

Sipas akademik Sabri Hamiti “Refuzimi estetik”, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit.

“Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit”.

Ndërsa vetë autori, Ibrahim Rugova, në parathënien e këtij libri tregon se në këtë libër janë përfshirë disa ese, kritika, vështrime e studime të botuara brenda viteve 1980 – 1986.

“Klasifikimin e tyre e bëmë sipas zhanreve të kritikës dhe të studimit në tri pjesë: Teori e kritikës, Ese e kritikë dhe Vështrime e studime, ngjashëm me një klasifikim që patëm bërë në librin Strategjia e kuptimit (1980), do të thotë se në njëfarë dore edhe ky libër do konsideruar si vazhdim i tij në planin tematik dhe në atë të prosedeut kritik”.

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Refuzimi estetik”:

Karakteri, natyra i/e letërsisë

Mbas këtyre mendimeve mbi aporinë e refuzimit në planin e ekzistencës njerëzore, të qenies së njeriut, të qeniesimit të tij dhe të formave të vendosjes, të përcaktimit në raportet kolektive e individuale, po e shikojmë këtë apori edhe në planin e artit, të letërsisë: si e zgjidh ajo këtë.

Po së pari të themi diçka për karakterin e letërsisë. Me qenë se edhe letërsia si fryt i realitetit, siç thoshte R. Barti në ligjëratën e tij inaugurale në College de France në janar të vitit 1977, në prani të shumë intelektualëve frëngë si M. Fuko, Klod-Levi Stros e të tjerë gjendet në aporinë e imponimit-refuzimit.

Karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe me njeriun. Në estetikë, në filozofi dhe në shkencën e letërsisë, është shfaqur teoria mbi autonominë, mvetësinë e letërsisë, artit, që ishte më shumë aktuale në vitet 50 dhe 60, në kohën e të ashtuquajturës “luftë e ftohtë” midis fuqive të mëdha dhe popujve të vegjël. Më vonë shfaqen problemet e heteronimisë, me vështrim se letërsia varet edhe nga raportet shoqërore e të tjera.

Teoria e autonomisë së letërsisë, historikisht, bazën e ka në teorinë mbi “kullën e fildishtë” të simbolizmit, si shenjë e veçimit të poetit nga jeta, nga shoqëria, që më vonë bëhet teori e pavarur estetike. Karakteri i letërsisë kupton realizimin e njeriut në gjendje burimore, po këtë e bën me mjete të veta.

Çdo gjë e realizon me matjen e artit të vet siç janë paraqitja, formësimi i jetës me gjuhë të njeriut në nivel artistik, pa farë imponimi, vetvetiu, letërsia me qenien e saj i kundërvihet imponimit të çfarëdo lloji. Çështjen e refuzimittë letërsisë do shikuar në raportin letërsia-shoqëria apo politika.

Kështu refuzimi del si njëri nga aktet e mundshme të letërsisë. Ajo jo vetëm që i kundërvihet imponimit, po edhe e refuzon atë, nuk e pranon atë. Kështu kemi refuzimin me heshtje dhe refuzimin aktiv në planin jetësor.

Letërsia i ka këto dy forma, po refuzimi më i madh i saj është refuzimi me qenien, me karakterin e saj, që ne e quajtëm refuzim estetik. Për dallim nga refuzimi politik, ideologjik e anatemist apo relegjioz, që ka pasoja konkrete në praktikën jetësore, e që realizohet me mjetet e pushtetit të çfarëdo forme, individual e kolektiv apo të atij individual që emblemohet si kolektiv thuajse gjithmonë ngjet kështu, refuzimi estetik realizohet me mjetet e letërsisë.

Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën moderne, e në formë tjetër fundamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin.

Në njëfarë dore ky mund të merret si refuzim filozofik apo ontologjik, sepse me vetë qenien e saj krijon kontemplime dhe konotime të shumta, që përgatisin vetëdijen, shpirtin dhe mendjen njerëzore në jetë për çështje të ndryshme.

Përmes refuzimit estetik, pa deklamim të theksuar dhe pa mjete të shoqërisë, politikës, letërsia refuzon duke ignoruar dhe forcuar dignitetin, si kategori të përgjithshme.
Refuzimi hyn në kategorinë e estetikës negative, siç cilësohet estetika filozofike e Schellingut në kontekst tjetër që përmes dhënies, formësimit të kategorive të ndryshme, bën mohimin, negacionin e atyre kategorive që nuk mund të ngriten në dignitetin e njeriut dhe të jetës.

Me një fjalë, bën shkëputjen e kategorive përmes qensimit, ekzistimit të vet. Edhe në planin sociologjik çështja e refuzimit letrar merret në formë më prakticiste, ku kërkohet të dëgjohet zëri i idesë shoqërore, de facto, të përfaqësuesit të shoqërisë, pushtetit, në veprën letrare. Ky zë, gjithnjë del i dështuar, sepse realizohet më shumë me mjete shoqërore qenësisht, kurse me ato letrare vetëm si formë e jashtme, vetëm për të kënaqur atë.

Pra këtu do bërë dallimin e nevojshëm midis pushtetit, politikës si temë e letërsisë dhe pushtetit e politikës në letërsi, që ndryshe quhet politizim i saj. Si temë letrare pushteti e politika janë mjaft frytdhënëse për letërsinë, le të na kujtohen tragjeditë antike dhe ato të Shekspirit, e si politikë letrare, apo letërsi e politizuar shumë vepra të socializimit tradicional dogmatik dhe të shtresave primitive borgjeze të kohëve të mëparshme, apo të komercializmit modern.

Me afirmimin e refuzimit estetik ne nuk kërkojmë absolutizimin e letërsisë, artit po vetëm për të forcuar një argument të arsyeshëm mbi vlerën e letërsisë dhe funksionin e saj si qenësi e jo si letërsi në funksion.

*Shkëputur nga libri “Refuzimi estetik” i botuar nga Sh. B. “Faik Konica” më 2005

Lindi më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të ko­munës së Istogut. Më 1945 komu­nis­tët jugosllavë ia pushkatuan ba­bain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlind­je, ndërsa shkollimin e me­sëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish­tinës, më 1971.

Gjatë një viti aka­demik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Prati­que des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu­nist në fuqi.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elekto­ratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.

Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani­markë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parla­mentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve ita­liane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmi­min për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..

Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perën­dimorë e botërorë.

Vdiq në Prishtinë më 2006.

Veprat:

Prekje lirike, Prishtinë, 1971;
Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;
Kah teoria, Prishtinë, 1978;
Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;
Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;
Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;
Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;
Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;
Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;
The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.
Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;
Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.
Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.

E përgatiti: A. S. – ObserverKult


Lexo edhe:

ÇKA ËSHTË REFUZIMI SIPAS IBRAHIM RUGOVËS?

ObserverKult