Hapet Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova edhe sivjet pjesëmarrëse

Panairi më i madh i librit në botë, sot hap dyert në Frankfurt të Gjermanisë. Mesazhi i panairit është “Fjalët bashkojnë botën”.

Janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair. Tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime. Në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

Nën moton “Creatividad Desbordante”, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore. Veçanërisht, prezanton industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do të zbulohet ky vend magjepsës.

Tetori shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit. Janë dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi 2021, Abdulrazak Gurnah, do të jetë aty. Edhe fituesja e Çmimit Goncourt Leila Slimani është prezente në panair. Po ashtu pjesëmarrës janë edhe Elvira Sastre, Donna Leon, Florian Illies, Florence Shekete, Melanie Raabe, etj.

Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare. Aty janë edhe Ukraina, shtetet skandinave, arabe, shtetet baltike…Aty do të jetë edhe Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Prezentohen botimet më të reja të botuesve të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë. Prezentohen edhe botimet e institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës, njofton Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët. Do tëmbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani.

Ky është rast i jashtëzakonshëm për diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.


Lexo edhe:

PANAIRI I LIBRIT NË ULQIN: NDAHEN ÇMIMET, KËTA JANË FITUESIT

ObserverKult