Flasin akademikët: Ja pse u zgjodh ky standard i gjuhës…

Akademia e shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë festuar 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të nëntorit 1972, që shërbeu si themel i një gjuhe standarde shqipe.

Me praninë e përfaqësuesve nga trojet shqiptare, Presidenti i Republikës Bajram Begaj nën kujdesin e të cilit u mbajt konferenca jubilare, e quajti arritje.

“Kongresi i Drejtshkrimit në 1972-in mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë.

Gjuha e njësuar shqipe është testamenti i pesë shekujve histori shkrimi të shqipes, i zhvillimit intelektual mbarëshqiptar, i pjekurisë shkencore e atdhetare të botës sonë”, tha Presidenti Begaj.

Përkundër kreut të shtetit, fjala e kryeministrit të vendit Edi Rama, u nda mes batutave dhe kritikave.

Ndërsa gjeti të pavend në sallë flamurin e NATO-s, ai e zhveshi drejtshkrimin nga ngjyresa komuniste.

“Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që ta fillonte punën me themel.  Mos u shqetësoni ca do thonë antikomunistët që janë trashëgimia më e tmerrshme që lanë komunistët.

Tre flamujt të qëndrojnë bashkë si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha. E dimë shumë mirë por rreziku gjithnjë e më i madh është ta marrim si diçka që ka qenë gjithmonë aty.

I vetmi flamur që nuk kuptova pse është është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj. Akademia ka shpëtuar edhe nga ankthi i madh i luftimit të komunizmit”, theksoi Rama.

50 vite më parë drejtshkrimi u vendos nga gjuhëtarët, por në një kontekst politik ku Partia Komuniste, ishte mbi të gjitha, edhe mbi vetë shkencën, çka shpesh ka sugjeruar përjashtimin e gegërishtes nga standardi.

Kreu i akademisë, unifikimin e sheh në BE.

“Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb”, u shpreh Gjinushi.

Akademia e Shqipërisë dhe e Kosovës e trajtuan vetëm si festë përvjetorin.

Ndërkaq, zërat kritikë kanë sugjeruar se përmes standardit me bazë toskërishten, shqiptarët mbi lumin Shkumbin u përjashtuan ose u trajtuan si qytetarë të kategorisë së dytë.

Zërat e akademikëve mbi gegnishten janë të larmishëm, e po aq edhe mbi reflektimin.

Rrokaj: Vendimet s’janë te përkryera, ka qejf mbetje sepse gjuha më së pari është çështje emocionale. Mund të kishte qenë edhe gegnishtja por si gegnisht edhe toskërisht, nuk është më pak shqip.

Shkurtaj: Gjuha? E bënë gjuhëtarët, jo ne diktatin e partisë. Krijimi i gjuhës së shtetit në çdo vend ka shkuar nën drejtimin e atyre që kanë pasur shtetin në duar, por gjuhën nuk e kanë bërë shtetarët por shtetarët, nuk besoj se duhet thënë nën diktatin e partisë.  Është bërë kur Shqipëria sundohej nga një parti shtet por Kongresi u bë nga gjuhëtarët.

Shaban Sinani: Është njësuar në një periudhë totalitare, por në këtë ngjarje primati i ka takuar aspektit kombëtar në kushtet kur provokohej që shqipja të kishte dy versione letrare: shiftarski dhe gjuha shqipe. Nuk ka gjuhë letrare që të jetë krijuar si një shumatore e të gjitha dialekteve. Gjuha letrare është konventë jo kompromis.

Bahri Beci: Qe në 1944 ishte e qartë që u refuzua gegërishtja zyrtare, siç kishte qenë në vitet më parë dhe mbi bazën e gjuhës do të ishte toskërishtja.  Dhe kjo ka qenë strategji. Tashmë kemi një gjuhë letrare dhe është e rëndësishme që e kemi dhe kjo na bashkon.

Një tjetër konferencë do të mbahet në Kosovë këto ditë, duke u marr më në detaje me problematikat me të cilat përballet shqipja.

(BalkanWeb)


Lexo edhe:

“MEZI KAM PRITUR DITËN QË TË ABUZOJ ME POSTIN”, RAMA NË 50-VJETORIN E KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT

ObserverKult