Prekëse: Gjashtë fëmijë në rrugë, me baba të vrarë dhe nënë të arrestuar

Remzi Barolli

Një histori vuajtjesh që për familjen Barolli nisi para se komunistët të merrnin pushtetin e vazhdoi gjatë.

Një nga fëmijët, që i vranë babanë dhe pak muaj më vonë i arrestuan dhe i dënuan me burg nënën, rrëfen, vite më vonë, ato kohë të errëta

Nga Hajro Hajra

Tresteniku, një katund i vogël i rrethit të Korçës, ku ka lindur, zotit Barolli ia kujton katundin nga kishin ikur të parët e tij, katund i cili sipas shënimeve të nënkolonelit austriak Paul Joseph Mitesser, në vitin 1784 kishte pasur 60 shtëpi (43 shqiptare dhe 17 rome e arumune).

Zoti Barolli e kujton edhe sot me mall atë katund korçar, ku e kishte kaluar fëmijërinë e tij të lumtur.

Ditët e vegjëlisë kishin qenë të vetmet ditë që ai me familjen e tij kishin jetuar pa ndonjë brengë të madhe, pa ato telashet që do të pasonin, sidomos në vitet e sundimit të egër komunist.

Lidhjet me Amerikën të kobshme për Barollinjtë

Vëllezërit Barolli kishin punuar në Amerikë për disa vjet dhe, pasi kishin krijuar njëfarë pasurie, më 1928, pra atë vit që Ahmet Zogu kishte shpallur Monarkinë Shqiptare dhe ishte emëruar Mbret i Shqiptarëve, kishin vendosur të ktheheshin që të tre në Shqipëri.

Me kursimet e grumbulluara në Amerikë ata kishin blerë një çiflig të madh, një e treta e të cilit, pas luftës do të mbetej jashtë kufijve të Shqipërisë, në Greqi.

Barollinjtë ishin nga ato familje fisnike e bujare që nuk kënaqeshin vetëm me mirëqenien e vetvetes, por kujdeseshin edhe për të tjerët, madje shpeshherë edhe më shumë se për veten.

Duke punuar tokën, ata kishin siguruar jetë të mirë jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shumë bashkëfshatarë të tjerë dhe për një kohë të shkurtër do të bëheshin një nga familjet më të respektuara të Rrethit të Korçës.

Si anëtar i një familjeje të tillë në zë, më 1932 xhaxhai i Remziut, Demiri, ishte emëruar nënprefekt i Rrethit të Korçës, kurse babai Rakipi, pak vjet më vonë, do të shërbente oficer në ushtrinë e Zogut.

Pikërisht në kohën kur familja Barolli kishte marrë të mbarën, ishte lindur Remziu (më 23 shkurt 1930), njëri nga pesë djemtë e Rakip e Aishe Barollit.

Fëmijëria dhe rinia e hershme janë dy periudhat e vetme të jetës që Remziu i ka kaluar në Shqipëri.

Njëra, ajo e fëmijërisë, një nga më të lumturat të kaluara në Atdhe dhe tjetra, periudha që zë fill në fëmijëri të vonshme e përfundon në rini të hershme, një nga më të errëtat e jetës së tij.

Filli i peripecive

Periudhën e një pjese të luftës, të asaj lufte që një lagje njerëzish e quajtën çlirimtare dhe të tjerë pushtuese, Barollinjtë e mbijetuan disi, ndonëse oguret e një stuhie kundër tyre ishin dukur që në fillimin e saj.

Barollinjtë gjatë asaj lufte ishin rreshtuar në anën e atyre forcave që luftonin për një Shqipëri etnike, që do të shtrihej në kufijtë e saj të natyrshëm, për një Shqipëri demokratike perëndimore, për një Shqipëri të fortë ekonomike.

Kalvari për Barollinjtë kishte filluar para datës 29 nëntor 1944, ditë kjo kur “u çlirua” gjysmë-Shqipëria. Ishte janari i vitit 1944.

Një ditë e ftohtë dimri. Megjithëse Korça me rrethinë kanë një klimë mesdhetare malore, ai dimër ishte më i egër se rëndom.

Edhe më të egër, edhe më të ethshëm e bënin “forcat çlirimtare”, që ishin vënë në ndjekje të bandave tradhtare, siç quheshin ata që nuk pajtoheshin me vendosjen e rendit të kuq komunist në Shqipëri. Në mëngjesin e asaj dite të acartë janari, në derën e Rakip Barollit kishin trokitur partizanët komunistë.

Ato krisma trishtuese në ag të asaj dite kishin qenë të rënda, sidomos për gjashtë fëmijët e Rakipit, pesë djem e një vajzë, më i madhi nga të cilët ishte veçse 15 vjeç.

Ata mysafirë të paftuar nuk ishin zgjatur shumë: e kishin rrëmbyer me forcë Rakipin dhe e kishin nxjerrë zvarrë jashtë oborrit të shtëpisë.

S’kishin bërë më shumë se 20 hapa nga dera e oborrit dhe ishin dëgjuar tri krisma pushkësh… Kur kishin dalë pas disa çastesh njerëzit e shtëpisë, Rakipin e kishin gjetur të mbytur në gjak afër pragut të derës së oborrit.

Ky ishte vetëm fillimi i një tragjedie që po trokiste në dyert e Barollinjve.

Familja Barolli, dhe jo vetëm ajo, po jetonin me ankthin e pritjes se çfarë do t’u sillte e nesërmja.

Ata sikur parandienin një stuhi të madhe në atë kohë plot të papritura. Kishin filluar të qarkullonin fjalë për bashkëpunimin e tyre me “armiqtë”. Jeta e tyre po bëhej gjithnjë e më e pasigurt.

Lëvizjet kishin filluar t’i kufizonin. Në çdo hap ndiheshin të rrezikuar. Kështu, jeta e Remziut, që sapo kishte mbushur të katërmbëdhjetat dhe i cili, ndonëse ishte shumë i zgjuar dhe për shkak të rrethanave kishte arritur t’i mbaronte vetëm tri klasa të shkollës, po hynte në atë fazën që ai vetë e përshkruan si pjesën më të errët të jetës së tij.

Arrestimi i nënë Aishes

Ishin ditët në prag të “çlirimit” të Shqipërisë. Populli i shumëvuajtur shqiptar po shpresonte se me mbarimin e luftës edhe për të do të vinin ditë të mira.

Atë ditë të shumëpritur, që për ironi të fatit përputhej jo rastësisht me ditën e çlirimit të ish-Jugosllavisë, disa shqiptarë e pritën me gëzim, porse ajo ditë që do të duhej të shënonte fillimin e një stine të re, po shënonte fillimin e një dimri të gjatë.

S’kishin kaluar veçse 9 muaj nga ajo ditë e kobshme, kur komunistët kishin vrarë babanë e Remziut. Në tetor të po atij viti, derën e Barollinjve sa nuk e kishin thyer trokitjet e po atyre njerëzve me uniforma.

E ëma e Remziut, nënë Aishja ishte vonuar derisa e kishte hapur dhe, pasi e kishte hapur derën, ashtu e druajtur, sepse kishte hallin e fëmijëve të vegjël, njerëzit me uniforma ishin vërsulur brenda si bisha të egra:

– Ti po fsheh dikë brenda, prandaj nuk deshe ta hapje derën, – i kishin thënë ata dhe pastaj, pasi e kishin bërë shtëpinë rrëmujë duke kërkuar “armiqtë” e strehuar aty, e kishin marrë me vete nënë Aishen, me akuzën se kishte fshehur armiq të popullit në shtëpinë e saj (edhe pse në momentin e kontrollimit, në shtëpi nuk kishte qenë kush, përpos asaj dhe gjashtë fëmijëve të saj).

Ajo ditë tetori për nënën e Remziut kishte qenë e fundmja në atë shtëpi.

Edhe pse kishte arritur pleqëri të thellë, ajo kurrë më nuk kishte shkelur në pragun e asaj shtëpie, sepse fill pas arrestimit të saj, fëmijët ia kishin dëbuar nga shtëpia dhe shtëpinë ia kishin konfiskuar, ashtu siç kishte vepruar “pushteti popullor” me shumë shtëpi e katandi të “armiqve të popullit”.

E akuzuar për fshehje të armiqve të popullit në shtëpinë e saj, ajo ishte dënuar me 10 vjet burg. Pas 10 vjet vuajtjeje dënimi, do të akuzohej për një vepër tjetër, të cilën do ta pasonte edhe një tjetër e kështu me radhë…

Pjesën më të madhe të jetës, që nga viti 1944 deri në vitin 1990 do ta kalojë në burg dhe në internim.

Madje, edhe kur e kishin liruar (ishte koha kur kishin filluar lëvizjet për përmbysjen e komunizmit), kishte bërë kërkesë që ta mbanin në burg, ngase nuk kishte pasur ku të shkonte. Të gjithë Barrollinjtë, ata që kishin shpëtuar gjallë, ishin pa shtëpi.

Edhe ata të familjes së saj nga babai kishin pësuar sikur Barollinjtë, kështu që vendstrehim të vetëm e kishte burgun, ku kishte kaluar gati gjysmë shekulli dhe ku ishte ambientuar aq sa nuk mund ta braktiste atë.

Kishte qenë hera e parë në jetën e nënë Aishes të miratohej një kërkesë në dobi të saj. Kishte qenë hera e parë që i kishin ofruar strehim dhe nuk e kishin përzënë nga burgu.

Duke kërkuar çati mbi kokë

Atë ditë që ia kishin vënë prangat nënë Aishes (kishte qenë një ditë e ftohtë vjeshte, me një shi që binte sixhim dhe me një erë që të shponte, – e kujton sot Remzi Barrolli atë ditë, të cilën kurrë nuk mund ta harrojë), gjashtë kalamajtë e saj i kishin dëbuar nga shtëpia duke u thënë: – Hupni, në Shqipëri nuk ka vend për ju!

U kishin dhënë urdhër që ta lëshonin shtëpinë pa u dhënë fare afat për të gjetur ndonjë zgjidhje.

Dhe ç’zgjidhje mund të gjenin ata kalamaj të mbetur fillikat vetëm, pa mbështetjen dhe pa ndihmën e askujt. Ishte ajo dita kur do të fillonin vuajtjet e pafundme të Remziut e të fëmijëve të tjerë të Rakip e të Aishe Barollit, vuajtje të cilat edhe sot Remziu i kujton me trishtim.

Të hutuar e të tronditur nga ajo e papritur, të mbetur në udhë të madhe, fëmijët nuk dinin nga t’ia mbanin.

Ishin nisur për të kërkuar strehim te të njohurit, te të afërmit, porse asnjeri nuk kishte dashur t’ua hapte derën.

Nuk kishin guxim, sepse mund ta pësonin si Rakip Barrolli, të cilin e kishin ekzekutuar te dera e shtëpisë, ose sikur nënë Aishja, të cilën me pranga në duar e kishin shpënë në drejtim të panjohur.

Pas disa ditë bredhjesh, ishin vendosur te një kushëri. Që të mos binin në sy, ishin të shtrënguar të rrinin të ngujuar ditë e natë në atë shtëpi.

Meqë Remziu ishte natyrë tepër e gjallë (shokët e thërrisnin me nofkën Furtuna) dhe e kishte vështirë të rrinte brenda, një ditë kishte dalë jashtë dhe, atë ditë, falë “vigjilencës” së bijve besnikë të partisë, i kishin hetuar dhe i kishin denoncuar në polici. Policia nuk i kishte arrestuar fëmijët, por u ishte kërcënuar se po t’i zinte edhe një herë, do t’i hante e liga.

Në kohën kur 6 fëmijët po bridhnin fshatrave të Korçës për të kërkuar strehë, policia e ushtria shqiptare ishin vënë në kërkim të Barollinjve të tjerë. Ishte koha kur komunistët partizanë po kremtonin me eufori “çlirimin” e Shqipërisë.

Dhe, derisa festonin, ishin vënë në ndjekje të “bandave” armike, disa prej të cilave do t’i kapnin dhe pas një gjyqi formal “në emër të popullit”, ose pa gjyq fare, do t’u shqiptonin dënime nga më të rëndat, përfshirë edhe shumë dënime me vdekje.

Do t’i kapnin edhe tre xhaxhallarët e Remziut: Demirin, Muratin e Kamberin. Të parin do ta vrisnin në burg pas 4 vjet vuajtjeje dënimi, kurse dy të tjerët do ta përfundonin jetën në burg.

Murati ka vdekur në burg pas 30 vjet vuajtjeje dënimi, kurse Kamberi, po ashtu në burg, pas 35 vjet vuajtjeje dënimi.

Fëmijët vazhdonin të kërkonin vendstrehim, por ku të shkonin, kë ta rrezikonin?…

Kishin vendosur të shkonin te daja. Ai sapo i kishte parë, ishte tmerruar nga frika: – Mund të na vrasin të gjithëve, – u kishte thënë tepër i shqetësuar dhe kishte dashur t’i dëbonte.

– Gruaja e dajës ishte një grua e mrekullueshme, një grua shumë e guximshme, – rrëfen Remziu. Ajo na mori, na futi brenda, me gjithë frikën e madhe që kishte daja.

Edhe aty kishin qenë të detyruar të qëndronin ilegalisht. Kishin ndenjur derisa i kishin zbuluar dhe përsëri ishin shtrënguar ta merrnin botën në sy.

Para se të vinte policia, gjyshja i kishte marrë nga shtëpia e dajës dhe i kishte çuar në një fshat 5 km afër Pogradecit, te dy motrat e saj që ishin të martuara me dy vëllezër./(kujto.al)

Shënim: Pjesa është shkëputur nga shkrimi “Remzi Barolli-i dënuari me 100 vjet burg nga regjimi komunist”, publikuar në prointegra.ch.

Në foto: Remzi Barolli, janar 1956


Lexo edhe:

HISTORIA E DJALIT TË ISMAIL QEMALIT QË U BURGOS NGA ENVER HOXHA DHE PËRFUNDOI NË KAMPET E DIKTATURËS…

Publikohet historia e panjohur e djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e Monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata e pensione të veçanta.

Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult