“Big Brother” nuk është ndonjë gjë e çuditshme apo ndodhi televizive që nuk ka ngjarë kurrë…

Nga Gëzim Tushi

Në të vërtetë, duke e parë si sociolog, mendoj se “Big Brother” nuk është ndonjë gjë e çuditshme, fenomen i jetës sociale i “panjohur”, apo ndodhi televizive që nuk ka ngjarë kurrë.

Historia e shoqërisë moderne tashmë është mësuar, adoptuar me këto forma të rafinuara të testimit të nivelit aktual të mënyrave të sjelljes.

Këto sjellje që janë të shoqëruara gjithnjë me reagime kontroversale të natyrshme dhe refleksione dinamike të opinionit publik.

Formate të tilla përdoren edhe si spektakle për kalim kohe e argëtim. Por edhe për interesa të sondazhit të intensitetit të disa dukurive sociale e trajtimit të tyre si sinjale për qëllime diagnostikuese.

Sipas gjykimit tim, “Big Brother VIP” (BBV) është dhe duhet parë së pari si një “eksperiment social”, që në thelb dhe në formë ka disa synime sociale diverse.

Njëra prej të cilave është që njerëzit të shikojnë efektet e konkurrencës në performancën e lojtarëve brenda shtëpisë.

Gjithashtu formate të tilla mund të shërbejnë edhe si paradigmë e mundshme për t’u aplikuar në jetën reale.

Jetojmë në kohën postmoderne, në të cilën gara, konkurrenca, rivaliteti, kanë marrë përmasa të shfrenuara.

E dyta, besoj se spektakli mund të vlerësohet si një lloj “laboratori social”, i cili synon të jetë analog.

Apo më saktë i ngjashëm me dinamikat e sjelljes dhe problemet që kanë njerëzit në mënyrat, format dhe intensitetin e komportimit social midis tyre.

Njerëzit që janë të shqetësuar me këtë “format” dhe qëllimet e paqarta e kaotike të tij.

Në njëfarë kuptimi kanë të drejtë në aspektin e kërkesës së tyre subjektivi, sesa është e përputhur “lënda sociale”, statura sociale dhe personale e personazheve qarkulluese, që hyjnë e dalin nga ky “laborator social”.

Interferojnë temat, debatet, diskutimet, meditimet e kësaj “shtëpie sociale” me problemet analoge të botës shqiptare, sidomos me mënyrat e zgjidhjes së tyre në jetën reale.

Në takime me qytetarët, në biseda me profesionistët, sidomos përballja me “inflacionin” e medias rreth këtij fakti, besoj se BBV përbën dashur pa dashur, një problem të zgjeruar social, fenomenologji të ditës.

Padyshim, nuk do të ishim të vërtetë po të mos pranojmë se në “eterin e jetës” së përditshme të të rinjve, por jo vetëm të tyre, ka shumë debate e diskutime.

Një sinkronizim që ka sjellë interes në lidhjen midis “shtëpisë e famshme” dhe gjykimeve diverse të opinionit publik e mediatik.

Fakti që në mënyrë të njëkohshme kemi pranë e pranë dhe kundër njëri-tjetrit, audiencën miratuese dhe oponencën kritike, të cilat në përmasa e dimension social janë shumë të gjëra e masive flet mjaft.

Po, tregon diçka që duhet vlerësuar sociologjikisht dhe në aspektin e shijeve sociale.

Prania mazhoritare e njerëzve që e ndjekin spektaklin “Big Brother”, tregon se duhet të jemi realistë në gjykime dhe vlerësimin kontrovrsal të tij.

Padyshim, shumica e njerëzve nuk janë të përkulur pa kushte ndaj “peshës imperialiste” mbi opinionin publik të BBV.

Sepse njerëzit e ekuilibruar janë në gjendje të bëjnë analiza, të konfirmojnë se ai ka anën e “ndritur” dhe anën e “errët”.

Nuk është pa vlerë sociale fakti që këto kohë njerëzit jo vetëm janë përfshirë dhe integruar me “lëndën e spektaklit”. Po ashtu edhe kanë shtuar sasinë e kohës, vëmendjes, “vigjilencës mediatike” ndaj asaj që ndodh brenda kësaj shtëpie.

Njerëzit janë të gatshëm, vigjilentë për të parë, kuptuar dhe interpretuar disa nga “misteret elokuente” të sjelljes së njerëzve, ngjarjeve suksesive që ndodhin pandërprerë në këtë “shtëpi të famshme”.

Dhe jo gjithnjë thjesht për hedonizëm, vanitet apo kotësi për të kaluar “kohën e tepërt”, por edhe me besimin dhe dyshimin e njëkohshëm njerëzor, se ato koncepte, mendime, vlera e antivlera që “gëlojnë” aty, mund të bëhen paradigma morale të sjelljes në kohën postmoderne.

Mund të mendojë dikush se ato paradigma që krijohen dhe asgjësohen në ambientet e “shtëpisë sociale”, që na vijnë live, duke u bërë probleme influencuese edhe në shtëpitë tona private, mund të marrin trajtën e modelit të imitimit në sjelljen dhe jetën reale të njerëzve tanë.

Duke parë turbulencat sociale intensive që ka krijuar BBV në jetën shoqërore, jam munduar, kam ndjekur me shumë vëmendje, reagimet “pro et kundra” të qytetarëve.

Jo vetëm në rrjetet sociale, por dhe në ambiente të gjëra ku qarkullon sensibiliteti mediatik në opinionin publik.

Shpeshherë psikologjikisht spontan, sociologjikisht i pastrukturuar. Duke qenë në pozicionin e sociopsikologut, janë të shumtë njerëzit që më kanë drejtuar pyetjen:

Cila është vlera utilitare, pesha e influencës sociale të BBV në mendimet, emocionet, besimet, sjelljet, paradigmat aktuale të traditave dhe zakoneve tona?

Padyshim, pyetjet e shumta, të sinqerta, shpesh intriguese për ngjarjet, faktet, ndodhitë që zhvillohen në këtë “shtëpi të famshme”, nuk janë vetëm për konsum apo kënaqësi lineare spektakolare.

Përkundrazi, mesa duket, ndoshta edhe për shkak të së kaluarës, kulturës sonë sociale, mënyrave tradicionaliste të standardeve, me të cilat kemi “rregulluar jetën” tonë sociale dhe personale, njerëzit pësojnë “tronditje”.

Për shkak se disa gjëra që i kanë menduar ndryshe, tani përmes këtij eksperimenti social i shfaqen “krejt ndryshe”.

Ndonjëherë ky ndryshim është radikal, drastik. Lojtarët po shfaqen si “personazhe ikonoklastë”, që po thyejnë shumë norma të sjelljes, forma standarde e tipologji të mënyrave të menduarit, dhe dinamikës së veprimeve sociale standarde.

Në këto formate përzihen të gjithë instrumentet e jetës postmoderne, sikurse është aliazhi midis sinqeritetit dhe gënjeshtrës, ambicies dhe i zilisë, hipokrizisë dhe dyfaqësisë, labilitetit social dhe paqëndrueshmërisë personale.

Padyshim jo të gjithë qytetarët janë psikologë apo sociologë, që të kuptojnë qartë dhe deri në fund stratagjemat e lojës që zhvillohet në BBV, apo natyrën e saj si një nga format e “eksperimentit social”.

Nuk është e lehtë që njerëzit të kuptojnë, se ky eksperiment ka avantazhe dhe disavantazhe, probleme etike të shoqëruara me shqetësime sociale të natyrshme.

Në fakt situata që zhvillohet në “Big Brother” është e ndërlikuar. Për lojtarët doemos, por edhe për publikun, në mënyrë të pashmangshme.

Duhet të bëjmë që në fillim marrëveshjen e fjalës, kur marrim përsipër të bëjmë “gjykatësin”, të shfaqim gjykime, parapëlqime apo refuzime etike për këtë ngjarje sociale.

Lojtarët janë në “lojë” dhe kanë të drejtën e tyre ta luajnë atë deri në fund, sipas mënyrës së tyre të personalizuar.

Ajo që duhet kuptuar nga ne si publik, është fakti që ngjarjet zhvillohen në “kushte eksperimentale”, nën tensionin e lojës non-stop, shoqëruar me presione, marrëveshje, divergjenca të thella.

Kushte të cilat determinojnë një mënyrë jetese “reale dhe eksperimentale”, që sjellin mënyra sjelljeje që për disa njerëz jashtë shtëpisë, duken si anomali e sjellje sociale anormale.

E vërtetë që në shumë raste, për disa nga lojtarët e pasionuar, duke zhvilluar një lojë të ashpër shpesh irracionale, për spektatorin jashtë shtëpisë, klasifikohen si lojtarë anormalë, “gati si të çmendur”.

Por besoj se për të qenë të qetë me ndërgjegjen, për të mos i etiketuar padrejtësisht lojtarët e këtij eksperimenti (jo dhe aq të lehtë për t’u realizuar), duhet të bëjmë disa llogari morale e sociale.

Kjo duke vlerësuar ndikimet që ka hapësira e ngushtë e shtëpisë, konteksti social sui-generis që është krijuar aty.

Aty ka personazhe me formim, sjellje, botëkuptim, nivel kulturor të diversifikuar, që kanë besimet e tyre morale e filozofike.

Mbi bazën e të cilave zhvillojnë lojën, marrin vendime dhe rregullojnë mënyrat e personalizuara të komportimit social, duke qenë ekzistencialisht të kufizuar në kufijtë dhe hapësirën e ngushtë të ambienteve të këtij eksperimenti social.

Në këto kushte ka një paradoks, midis asaj që zhvillohet në këtë shtëpi dhe gjykimeve që bën secili nga ne, duke qenë thjesht si spektator dhe “gjyqtar” në “shtëpitë tona”.

Problemi është se në këtë dikotomi ballafaquese të lojës që “zhvillohet atje”, dhe mënyrës si i “perceptojmë ne”, më shumë se i shikojmë gjërat si janë, kërkojmë që ato të zhvillohen me dëshirat për të qenë ashtu “si jemi ne”.

Epo nuk është ky qëndrimi, me të cilin duhet ta shikojmë këtë realitet mediatik e social.

Përkundrazi, duhet parë mënyra e sjelljes, motivacionet e lojës, sistemet e paqëndrueshme, labiliteti emocional që diktohet nga situata eksperimentale.

Ka të bëj poashtu edhe me nivelin e kulturës së personalizuar të çdo aktori apo lojtari (një dikotomi nominalisht e diskutueshme).

Unë besoj se një nga synimet e producentëve është me vlerë sociale dhe kërkon që përmes lojës të evidentojë nivelet e larta të garës, konkurrencës, ndividualizmit. Por edhe të vërtetojë nevojën për të kultivuar “konstante” të reja për riformatimin e një humanizmi të ri.

Me kuota të ndryshuara të socialitetit dhe sociabilitet modern, në mënyrë që të vërtetojë se pavarësisht gjithçkaje, sot është konditë ‘sine quan non’, të kuptojmë se jemi edhe qenie sociale, që dimë të ndërtojmë marrëdhënie e të bashkëjetojmë me të tjerët.

Qoftë në grup social (sikurse është kjo shtëpi) apo edhe në shoqëri, si tërësi e lidhjeve sociale.

Sigurisht, ka një dallim që duhet vlerësuar midis realitetit të eksperimentit, tipologjisë dhe fenomenologjisë së lojës në BBV, në krahasim me realitetin e vërtetë.

Pikërisht kjo është arsyeja e diskordancave, nganjëherë të thella, por shpesh subjektive, midis përmbajtjes së lojës dhe pritshmërive morale të opinionit publik.

Mos harroni që kemi të bëjmë me njerëz, që në këtë rast janë edhe “lojtarë”, që kanë hyrë në garë për të fituar.

Dhe kjo është një arsye pse duhet vlerësuar shfaqja herë pas here e një niveli shumë të lartë të egocentrizmit, luftës së secilit për ta vënë veten në qendër të kësaj shtëpie.

Shtëpia është një “Panoptikon i mbyllur”. Njerëzit aty mendojnë, veprojnë dhe sillen, duke mos e pasur “dritën” e ndikimit të jashtëm të “projektorit social”, që ndizet në shtëpitë tona, kur jemi para ekraneve apo kur ngjarjet e kësaj shtëpie i bëjmë objekt debati në shoqëri.

Është një rrethanë që krijon kushte, për shfaqjen mbi “normën sociale” të negativitetit, që përbën një komponent me të drejtë shqetësues për opinionin.

Ne duhet të jemi objektivë në gjykimet tona, duke pasur pritmëri realiste.

Lojtarët nuk kanë hapësirën, kohën dhe “distancën” e duhur për të parë, vlerësuar, menduar dhe reaguar me qetësi për dinamikat e lojës, stratagjemat e sjelljes së konkurrentëve.

Vlerësimi i menjëhershëm i ngjarjeve, dialektikës së dialogut intensiv, bëhet me intuitën që zotëron secili.

Edhe pse në pamje të parë duken si veprime të kontrolluara, sjellje të qëllimshme në funksion të lojës.

Kjo është arsyeja pse aty përzihen skena kënaqësie kalimtare dhe momente të dhimbjes sociale. Gjithë kjo vjen nga realiteti shpesh tejet banal i dhunës verbale, fyerjeve, pse jo edhe poshtërimeve që kanë ndodhur midis tyre.

Përballë janë nevoja për përkatësi dhe vetëvlerësim, që janë parakushti, mbi të cilat secili ndërton lojën brenda kornizës së grupit.

Formimi i aleancave midis individëve nuk përbëjnë lidhje sociale të qëndrueshme.

Secili lojtar pas realitetit të qëllimit të lojës së përbashkët, shikon parametrat që mund të sjellin dobi për “fitoren përfundimtare”.

Qëndrimi për një kohë të gjatë në këtë ambient social të izoluar, fillon me kënaqësinë e lojës, shpresat e fitores dhe famës, por pastaj shoqërohet tek disa lojtarë me ankth, depresion.

Me ndjenjë padurimi, mungesë force për të përballuar sfidat e konkurrencës së rreptë, të cilat mundet që në ndonjë rast të jenë psikologjikisht dëmtuese.

Beteja e cilitdo nga lojtarët për të qenë i denjë, konkurrues për të krijuar “statusin e superiorit” në komunitetin e banorëve të shtëpisë dhe në publik, është e natyrshme, e kuptueshme.

Këtu kemi një “aliazh” midis ndikimeve determinuese që kanë faktorët personalë dhe “situativë”, që kanë të bëjnë me deontologjinë e kësaj loje, synimet sociale të producentëve.

Herë të qarta e herë kaotike. Në këto rrethana janë të justifikuara disa sjellje, ndonjëherë shoqëruar me qëndrime “vetëzmadhuese” të “lojës”, si mjet për të amplifikuar vlerat e kompeticionit personal…

Në sytë e banorëve të shtëpisë dhe opinionit të teleshikuesve, si “lëndë e parë” e kontekstit të gjerë që mund të na shërbejnë të gjithëve për të bërë gjykime të ekuilibruara sociale…/gazetashqiptare

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Big Brother”, dialektika e lojës dhe reagimet sociale…


Lexo edhe:

ARBEN DERHEMI FLET PËR BIG BROTHER: HUMBJE KOHE, REALITY SHOW PA ASNJË VLERË…

Prej së enjtes së javës së kaluar në Teatrin Kombëtar në Shqipëri mbahet komedia “Çifti”. Shfaqja vijoi edhe së fundi me interpretimin Olta Dakut dhe Arben Derhemit.

Aktori rrëfen për “Report tv” angazhimin e tij në teatër e kinematografi, pjesëmarrjen e kolegëve në Reality Show. Po ashtu ka folur edhe për të rejat e serialit “Njerëz dhe fate” që rikthehet në fundvit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult