Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar ka kryer gërmime në sektorin A11, në Finiq, ku kanë dalë në dritë shumë blloqe që mbivendosen me njëri-tjetrin.
Janë ato që kanë mbetur nga një mur i periudhës romake, i shembur ndoshta për shkak të një tërmeti. Sipas specialistëve, efekti i tyre i përgjithshëm është mbresëlënës, pasi duken si gurët e një dominoje gjigante.
“Në sektorin A11 ka shumë gjëra që na kanë bërë përshtypje, si muri i tarracimit i shembur plotësisht në rrjedhën e poshtme”. Kështu ka njoftuar në rrjetet sociale Misioni Arkeologjik.
Parku Arkeologjik i Finiqit është një destinacion gjithmonë e më i frekuentuar nga turistët vendas e të huaj. Ndërkohe po i rriten vlerat me zbulimet e herëpashershme të ekspeditës italo-shqiptare.
Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore. Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Që nga fillimi i viteve 2000 në Finiq gjendet Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar, me specialistë nga Universiteti i Bolonjës.
Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës./ATSH
ObserverKult
Lexo edhe:
PARKU ARKEOLOGJIK I ORIKUT, GËRMIME NË FONTANËN MONUMENTALE
Për të dymbëdhjetin vit radhazi rifilluan gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran në parkun arkeologjik të Orikut.
Këto gërmime po realizohen nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, Universiteti i Gjenevës në Zvicër dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult