(Fjala në meshën e përmortshme për vdekjen e Martin Camajt)
Martin Camaj nuk është më. Ne, miqtë e tij nga Shqipëria, do ta kishim më të lehtë sikur ai të jetonte gjatë. Ne e takonim gjithmonë dhe ai na jepte shpresë. Mendonim se do të jetonte gjithmonë, ashtu si fjala shqipe që ai shkruante.
Martin Camaj ishte për ne jo vetëm një njeri. Camaj ishte një institucion, institucion i fjalës së pastër dhe të vërtetë shqipe. Ashtu siç na e lanë të parët tanë, shqiptarët që besonin tek fjala, para se të vinin ata që e dhunuan fjalën për ta vënë në shërbim të gënjeshtrës. Ne, qytetarët e Republikës Shqiptare, ish-socialiste, u rritëm nën një zhurmë fjalësh mashtruese. Prandaj trokisnim tani tek Camaj si tek një institucion, si të hynim në Akademinë e vjetër shqipe në Mërgim.
Në të vërtetë Martin Camaj nuk bënte pjesë në Akademinë zyrtare të Shqipërisë.
Ky njeri i rrallë i dha Shqipërisë shumë: dijen e vet dhe ndriçoi mëtej gjuhën shqipe, shpirtin e vet dhe begatoi poezinë shqipe. Kurse Shqipëria nuk i dha aspak: me asnjë titull nuk e nderoi, asnjë libër nuk i botoi. Shqiptarët ende nuk e dinë kush ishte Martin Camaj dhe çfarë ka bërë ai për kulturën shqiptare.
Martin Camaj nuk është më. Institucioni i fjalës së pastër shqipe nuk punon më. Akademia shqiptare në Mërgim i mbylli dyert. Asgjë dhe askush nuk e zëvendëson dot Camajn.
Një peng do të më ngelet gjithmonë, i dashur profesor, që të njoha kaq vonë. Në këtë dhimbje më ngushëllon sadopak vetëm një dëshirë: që ta bëjmë të njohur e ta përhapim sa më parë veprën tënde në Shqipëri.
Ti je i yni e ne jemi të tutë, Martin Camaj.
(Marrë nga “Albanian Catholic Bulletin”, 1992.
Përgatiti për publikim Agim Morina)
ObserverKult
—————–
Lexo edhe;
“KAM SHIKIMIN TAND NË SHPIRT”, POEZINË E MARTIN CAMAJT E LEXON ENGËLLUSHE ALLA