Ndriçim Xhepa: Njerëzit më takojnë e më thonë na kënaqe me filmat e tu, këta thonë t’i ndalojmë. Po pse t’i ndaloni?

Aktori i njohur Ndriçim Xhepa ka komentuar, kohë më parë, rikthimin e debatit për ndalimin e filmave shqiptarë, të prodhuar gjatë komunizmit.

-Ju jeni një aktor shumë i kërkuar sot, por po kaq shumë keni qenë edhe para viteve ’90, çfarë shije ju lë debati për seleksionimin/kufizimin/ndalimin e filmave të realizuar gjatë diktaturës?

-Nuk kam asnjë lloj bezdie personale, sepse më numërohen rreth 40 filma dhe po t’i ndaj, gjysmat i kam realizuar pas ’90-s. Për këta filma askush nuk mund të thotë se janë të politizuar, pse janë xhiruar në demokraci . Ndërsa në gjysmën prej tyre të xhiruar para ’90-s, në përgjithësi kam luajtur në filma që trajtojnë tema dite.

Në role diku të një ambiciozi, egoisti, të një ekonomisti, gazetari, drejtori, shoferi, rebeli, që me ç’shoh nga debati nuk hyjnë në atë listën e atyre filmave, që një grup njerëzish thonë se duhet të ndalohen.

Por ky debat nuk më duket me shumë vlerë, sepse, edhe sikur të ketë një përqindje të filmave që mund të jenë shumë të politizuar dhe trajtojnë ngjarje dhe personazhe konkretë, e vërteta e të cilëve është krejt ndryshe, me të drejtë mund të ketë ndonjë komision, që t’u thotë stop dhe t’i lërë në arkiv dhe të kenë rëndësi vetëm të karakterit historik, duke mos pasur të drejtën të shfaqen në mënyrë periodike, një pjesë e mirë filmash, që i përkasin cilësisë së parë të atyre viteve, por edhe të një niveli pak më të ulët, nuk ka pse të ndalohen apo bllokohen, sepse do të ngjallin kuriozitetin e asaj gjësë së ndaluar.

Sidomos kinemaja e viteve ’80-’90, kur prodhoheshin 14 filma në vit, kanë trajtuar tema të së përditshmes. Me një tendencë për të kritikuar diku-diku sistemin, për të stigmatizuar disa fenomene në drejtim të raportit të individit me shtetin apo edhe brenda familjes. Dhe më duket një energji e shpenzuar kot, në një kohë që duhet ta orientojmë në drejtim të artit, për të kërkuar logjikë dhe motive për përmirësim. Duket sikur ky është një front diskutimi në lëmë të artit, në prag të fushatës elektorale.

-Propozuesit shqetësohen se ata mund të ndikojnë për keq te brezi i ri…

Brezi fare i njomë, adoleshentët, janë të pushtuar nga të tjera interesa dhe nuk i kanë në vëmendje këta filma, e aq më tepër të dëmtohen prej tyre.

Por, në përgjithësi, njerëzit i shohin, pasi unë kontaktoj me dhjetëra njerëz, të cilët thonë: na kënaqe me ata filma. Madje, unë kam vërejtje që i japin më tepër seç duhet. Shoqëria shqiptare duhet të interesohet sot më shumë për investimin ndaj artit, për investimin në teatër dhe kinematografi, çfarë bëhet për përmirësimin e infrastrukturës teatrore, në Tiranë dhe në rrethe, si në Korçë, Shkodër, Elbasan, Fier, a do të arrijë nivelet bashkëkohore TKOB?

-A po investohet për trurin e njerëzve që do të prodhojnë këta filma apo teatro, atje ku ata shkollohen?

Kjo duhet të na shqetësojë, që nesër të marrim një produkt artistik më të mirë dhe të çlirët politikisht. Si ka mundësi që Ministria e Arsimit për kaq vite nuk e kupton që është një gomarllëk i paparë që në arte, çfarëdo profili, nuk ka kuptim shkollimi në sistemin 3+2 e po ashtu në sporte?! Vetëm në Shqipërinë tonë ndodhin këto gjëra qesharake. Një regjisor i ri, pasi shkollohet tre vjet, duhet të rrijë edhe dy vjet të tjera përpara të njëjtëve pedagogë për të bërë master. Vetëm te ne ndodh që vijnë djem e vajza dhe krekosen se janë “aktorë me master”.

-Udhëheqësit e këtij vendi duhet të pyesin nëse ka master Denzel Washington, Daniel De Lewis, Meryl Streep, Quentin Tarantino apo Steven Soderbergh?

Procesi mësimor duhet të vazhdojë, por me shoshitjen e studentëve, ata që dalin mbi ujë si më të mirët, shteti t’i çojë me bursa, me mastera 2-vjeçarë në Budapest, në Varshavë, në Pragë, Moskë dhe nëse shteti është më dorëlëshuar, t’i çojë edhe në Paris e në Londër. Sikur një apo dy të çojnë në vit, pas 10-15 vjetësh, do të kemi një gjeneratë shumë më të kompletuar dhe me një përvojë tjetër.

Edhe sot e kësaj dite përmendim emrat e Piro Manit, Mihallaq Luarasit, Kujtim Spahivoglit, Anagnostin, Gjikën, Dhamon, Milkanin, Erebarën, të cilët janë shkolluar në Moskë, Pragë apo Budapest. Kjo është ajo që duhet të na interesojë, që nesër të kemi një art filmik e teatror më cilësor. Të gjitha fijet janë në duart e regjisurës. Pa lënë mënjanë dhe artet e tjera figurative, muzikore, balet etj., ku po ashtu kemi emra të mëdhenj që janë shkolluar jashtë vendit.

-Po a ka mes tyre që fyejnë një kategori të caktuar të shoqërisë shqiptare?

Nuk jam kundër. Duhet thënë që filma të caktuar, përmes historisë që trajtojnë fyejnë kategori të caktuara, që janë prekur nga diktatura deri në palcë. Nuk di të them se sa filma të tillë mund të ketë, por edhe për ta mund të gjendet ilaçi, pa shpenzuar kaq shumë kohë nëpër debate boshe.

-E cili mund të jetë ky ilaç?

Për kategorinë e këtyre filmave që cenojnë, mund të shërbejë edhe sqarimi. Le të marrim filmin “Vitet e para”, meqë është një ndër më të diskutuarit.

Mund edhe të mos shfaqen, por nëse do të shfaqen, atëherë një historian mund të shpjegojë se për cilët personazhe flet ky film. Po ashtu të tregojë historinë e vërtetë, se cilët kanë qenë ata, përse janë arrestuar e pushkatuar këta njerëz të shkolluar, që punonin për këtë vend.

Dhe kështu mund të tregosh se si diktatura e përdori këtë ngjarje të dhimbshme e makabre.

Por nuk besoj se ka nevojë për shpjegim filmi “Hije që mbeten pas”, i realizuar pas vdekjes së Enver Hoxhës, që godet abuzimin, hajdutërinë te njerëz me pushtet dhe kundërshtitë brenda familjes.

Po edhe ju keni disa tillë të diskutueshëm, si “Këshilltarët”, “Vendimi” etj., ç’duhet bërë me ta?

Kam disa filma të luftës. Unë e di që këshilltarët e Hekalit janë pushkatuar, por le të dalë dikush e ta tregojë historinë e tyre të vërtetë dhe njerëzit të shohin se si është deformuar ajo në kohën e Partisë.

-Po siç është edhe vrasja e Qemal Stafës…

Vrasja e Qemal Stafës më së pari duhet sqaruar. Sot e gjithë ditën askush nuk ka dalë ta sqarojë se si është vrarë ai. Janë hedhur insinuate, por nuk dihet nëse Qemali ra heroikisht dhe ishte merita e fashistëve që e gjetën dhe e rrethuan, apo qe një maskaradë e shëmtuar e njerëzve egoistë e ambiciozë, brenda lëvizjes komuniste në Tiranë. U tradhtua apo ishte rastësore.

Nëse zbardhet historia, le të bëhet një film tjetër, i vërtetë, për vrasjen e Qemal Stafës. Një rast i ngjashëm është edhe ai i Avni Rustemit. Dikush e mban si hero, dikush thotë që ka qenë vrasës me pagesë. Të sqarohet historia dhe le të bëhet një film tjetër, siç e meriton kjo figurë, që ndoshta është lëvduar kot./panorama.com.al

ObserverKult


nora Artisti i njohur shqiptar, Ndriçim Xhepa i ftuar në emisionin “Ka Motor’” që moderohet nga Ana Haxhimali ka folur për jetën e tij artistik në teatër dhe film.

Lexo edhe:

NDRIÇIM XHEPA: DIKUR NUK MENDOHEJ VETËM PËR XHEPIN…

Artisti i njohur shqiptar, Ndriçim Xhepa i ftuar kohë më parë në emisionin “Ka Motor’” ka folur për jetën e tij artistike në teatër dhe film.

Xhepa kujton me nostalgji kohën e dikurshme për të cilën thotë se aktorët punonin me orë të zgjatura me shumë pasion dhe pa interes financiar.

“Kjo është ndërtesa unike ku është prodhuar film në kohën e komunizmit nga ’53-90, gjithë këto vite. Do të kishim dëshirë që qeveria të jepte më shumë financa ndaj teatrit dhe filmit.

Në vitet ’80 kam filluar punë në teatrin. Kam preferuar që të jem pjesë e teatrit dhe ekranit… jo shumë aktorë janë të prekur në sheshin e teatrit dhe të xhirimeve të filmave.

Unë hyj ndër ata individë që me dashamirësinë ndaj punës por edhe mundësive të mia aktoriale kam qenë në skenë si në ekran. Në 40 vite që kam në këtë profesion gati gjysmën e kohës e kam kaluar në këtë oborr.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult