Poezi nga Arif Molliqi
Lulet patën pritue më dal
në muajin mars ra shi
i lagu ca ditë
të shënuara në kalendar
nga një kohë të pistë
që na vrisnin legalisht
e legalisht nuk mund t’i merrnim kufomat
për t’i varrosur
legalisht na i linin buzë varri
sepse donin të mos jetojmë
të mos bëjmë dashuri
(disa thoshin se këta dinë më ba veç fëmijë,
dhe shumohen si buburrecat-)
për herë të parë në muajin maj
nuk u lava me lulet e Shëngjergjit
se mbeta duke e pritur pranverën
i prita lulet të dalin
por ato patën pritu më dal
n’atë stinë të gjatë
se dikush ia kishte shtie zjarrin tokës
e kishte djeg bahçen më pemë
sado që kishte shpëtuar
vetëm një mollë dhe një ftua
që e kishte mbjell baba.
(17.03.23)
Lutja e fundit
një grua
e puthi burrin që po ikte
donte ta përgatiste
atje ku po shkonte
t’i duronte puthjet e huaja
edhe pse ai ishte e mësuar…
atë ditë
ai po vonohej
se po ia hiqte thinjat kokës
po e merrte me vete lutjen e fundit
ajo
kurrë nuk do ta kuptoj
se nëpër shkretëtirën e mallit
është një rrugë e gjatë
dhe ka gjasa
burri do ta harroj
aromën e gjinjve të saj
mbase treni do të vonohet
se do t’i bien patkoit
duke vrapuar
do t’i bien protezat plastike
nga kafshimet e gjata.
(08.03.23)
ObserverKult
Lexo edhe:
DY POEZI NGA ARIF MOLLIQI: NË FËMIJËRI I KISHA DY ATDHE
KUJTIM I PAPËRFUNDUAR
Në fëmijëri i kisha dy atdhe
që desha t’i pagëzoj me një emër
kjo është e qartë për ata që e kuptojnë
ç’është atdheu
kur në atë dashuri hyri një dhimbje e fshehtë…
Poezitë mund t’i lexoni duke klikuar KËTU