Gjatë kohës që Einsteini vazhdonte shkollimin në Zvicër, në moshën 17 vjeç, njihet me studenten Mileva Maria, nga Serbia. Pa e zgjatur shumë, u dashuruan.
Lidhja nuk mbeti e shterpë: Si rezultat i lidhjes, erdhi në jetë vajza e tyre, që do të quhej Liesel.
Sot mendohet, që Liesel, e adaptoi dikush ose vdiq në periudhën e gjirit. E vërteta nuk dihet pasi familja e Einsteinit nuk foli kurrë për atë fëmijë.
Einsteini, u martua me të dashurën e vet, serben Mileva, me datën 6 janar 1903, në Bern. Martesa ishte në kundërshtim me dëshirën e prindëve të tij.
Einsteini, me datën 14 mai 1904, u bë përsëri baba. Pasardhësi ishte Hans Albert, një bebi i shëndoshë dhe i shëndetshëm, një “Einstein“ i vogël. Gjashtë vjet më vonë, erdhi dhe vëllai i tij, Eduarti.
Megjithatë, diçka nuk funksiononte, në marrëdhënien bashkëshortore. Einsteini, sa më shumë që i afrohej mirëkuptimit me universin, aq më i vështirë po i bëhej mirëkuptimi me gruan e tij, Mileva.
Në vitin 1914 u ndanë. Mileva, bashkë me të dy djemtë, shkoi në Zyrih. Ajo vazhdonte të jetonte në Zyrih, në kushte të vështira ekonomike por, pa pretendime.
Të gjitha parat që Einsteini i fitoi nga çmimi “Nobel“ në vitin 1921, ia dha ish-gruas së vet, Mileva. Ajo i investoi në pronë.
Djali i tyre i dytë, Eduarti, vuante nga prapambetja mendore. Për mjekimin e tij, Mileva u detyrua të shiste një pjesë të madhe të pasurisë.
Në të kundërtën e djalit të vogël, djali i madh Hansi, gëzonte shëndet të plotë. Ai u martua në vitn 1927 dhe shkoi në Amerikë.
Mileva mbeti me Eduartin e sëmurë, për të cilin u kujdes gjithë jetën e saj.
Einsteini kujdesej për jetën e vet.
Për Einsteinin, fundi i dashurisë me Mileven, nuk do të thoshte fundi i dashurisë me botën femërore.
Në vitin 1916 u dashurua me kushërirën e vet, Elsa Loewenthal. Gjithçka shkonte mirë, dhe në vitin 1919 u martuan. Elsa solli me vete dy vajzat e saj, nga martesa e parë. Einsteini u bë njerkë.
Elsa, jo vetëm si bashkëshorte por, kishte marrë përsipër një detyrë shumë të madhe, përkujdesjen ndaj njeriut më të ditur të shekullit. E ndjente me shpirt një gjë të tillë.
Ajo e shoqëronte Einsteinin në të gjitha udhëtimet dhe vizitat e tij, në çdo kohë, dhe kudo që ai shkonte.
Elsa mrekullohej nga vlerësimi dhe respekti që njerëzit e ditur tregonin për burrin e saj. Në bisedë me Philipp Frank (filozof, fizikant dhe matematicient austriak), ajo i tha:”E di shumë mirë se çfarë fizikanti gjenial është Alberti im i dashur“.
Mjerisht, kjo dashuri e madhe, nuk do të zgjaste shumë. Elsa, u prek nga një sëmundje e rëndë e cila, në vitin 1936, pak para Krishtlindjes, ia mori jetën.
Ajo vdiq në duart e Einsteinit, në shtëpinë e tyre, në Princeton-Amerikë.
Pas vdekjes së Elsës, në vitin 1939, motra e tij, Maja, shkoi tek Einsteini, që të jetonin bashkë. Të dy e donin shumë njëri-tjetrin, si motër dhe vëlla.
Edhe kjo bashkëjetesë do të përfundonte tragjikisht, për të dy. Maja vdiq në vitin 1951. Alberti mbeti përseri vetëm.
Me 15 prill 1955, Einsteini përfundoi në spital, në Princton, nga plasja e aortës.
Me datën 18 prill 1955, në orën 01.15, në moshën 76 vjeç, vdiq i vetmuar, pa njeri tek koka, gjeniu më i madh i të gjitha kohërave, Albert Einsteini.
Kufoma e tij u dogj, sipas dëshirës së tij dhe, hirin e hodhën diku, ku edhe sot, akoma nuk dihet. Gjeniu u zhduk, sikur nuk kishte ekzistuar kurrë.
Përktheu: Lekë Imeraj – shkrimtar, përkthyes, publicist
ObserverKult
Lexo edhe: