Lexoni vargjet epike të Fishtës kushtuar Tringës

tringa

Tringa e Fishtës

Njëra nga këngët më të bukura në Lahutën e Malcis së Fishtës është ajo kushtuar Tringës. E gjejmë këtë personazh femëror të realizuar mjeshtërisht në këngën e XXII të saj.

E bukur por edhe tronditëse është historia e saj. Dikush e krahason me motrën e Gjergj Elez Alisë. Por Tringa është përtej saj. Përderisa motra e Gjergjit ia lanë e mëkon plagët kryetrimit, Tringa është heroike. Nuk qëndron pasive duke pritur lajme nga beteje. Ajo lufton dhe bjen në betejë;

Në vazhdim gjeni vargjet epike kushtuar Tringës:

Tý, o Zot, të kjoshim falë !
Tash, qi zû drita me dalë,
Prej Nokshiqit ç’ po veton,
Peja e vogel fort gjimon:
Mark Milani po lufton. 5
Mark Milani, Mark Milica
Po rreh huta edhé ovica
Prej Nokshiqit lak e m’ lak,
Kah Shqypni e Karadak
Prap kan nisë me u lá sod n’ gjak! 10
Se ky Marku, ‘i trim i çartun,
Nat’ n ushtrin e paska bartun
E na e qitka kah Nokshiqi,
Shkurres tue u pershkue si iriqi,
Mbasi besa ‘i herë kje vû, 15
Dý ushtrit mos me u trazue,
Hylli i dritës per pa vezllue;
Edhè e derdhka staje – staje
Neper gryka e neper maje,
Prej kah masandej mendote, 20
Mbasi afati i besës t’ marote,
M’ shpinë m’ i a lshuemun fulikare
N’ at Sutjeskë ushtris shqyptare.
Ashtû befas: si prej s’ epërit
Ndo ‘ i herë orrli i lshohet lepurit, 25
Kur n’ ndo’ i driz t’ a ketë soditë
Ndêjë harû; edhè me i qitë
Shqyptarët n’ rreth, e si n’ kariq
Bercakë edhé krapuliq,
Gjallë me dorë Marku me i zânë: 30
Nji me kthye n’ shpi mos me lânë,
Qi me u thânë gjindes n’ Shqypni,
Se ç’ kob bâni Mali i Zi
Mbi Shqyptaré, kur me furi
Aj pat msý Plavë e Guci, 35
Mbasi dorë Krajlat e Mbreti
I ki’ n dhânë me i shtrue nen veti;
Me u a vû kapicen m’ krye,
Gjân e mallin me u a rrmye.
Se Shqyptarët po i qet n’ dorë gjallë 40
Mark Milani, kurrkund máll
Nuk e bâj, besa, ket fjalë:
Se me i qitë n’ dorë s’ i ká dalë
As vetë Mbreti të Stambollës,
Jo po i del sod Knjaz Nikollës, 45
Rreshkë per bukë e bâ sylah,
Priçet n’ kambë e strugen m’ krah.
Veç ‘i frigë, po, i mjeri e kam,
Se ky Marku n’ at rragam
Tash po e bân Nokshiqin dam, 50
Kû mbetë tjeterkush nuk ká,
Posë ndo’ i cull, do pleq e grá
Sa per t’ rujtë shpin e bagtin:
Tym per shpi pse marë burrnimi,
Mbasi u dha n’ Nokshiq kushtrimi, 55
Se n’ Sutjeskë shkjau kishte dalë,
Se Shkjaut vendin i a ki’ falë
N’ at Berlin Krajl edhé Mbret:
Shka â m’ shtatë vjet e m’ shtatdhetë vjet,
Pushken n’ dorë e zjarmin n’ gjí 60
Në Sutjeskë rrâ kan unjí,
Zot per t’ dalun ksajé Shqypni,
Qi gjithmonë hoq keq e zi,
Kah po e kisht’ bota lakmi.
Se as ajo ushtrija e jonë, 65
Prej Sutjesket nisë mâ vonë,
Se u nis Marku e muer perpjetë,
N’ at Nokshiq s’ ká ené prispjetë
Qi atý vendit zot me i dalë,
Edhè hovin me u a ndalë 70
Çetavet të Mark Milanit,
Kur të bâjë me u djergë prej planit
Si lavë ujqish nper rribë t’ murranit
Jo qi tham un me mend t’ mija.
Se edhè atý po t’ ndollte ushtrija 75
E Shqypnis, fort punë e vshtirë
Se Nokshiqi pshton pa u plirë,
Shpijat djegë e gjâja rrmye,
Me nji Mark shqype mbi krye,
Qi m’ i ká nja tetë taborre 80
Tetë taborre, rrfé mizore,
Derdhë nper mâje e strukë nder shkorre:
Njerz të lém, po, me armë në dorë,
regjë në diell, cangllue në borë,
Të cillt per nen drrasë t’ krahnorit 85
Kan per zêmer ka ‘i gúr vorrit !
Atà veç me vrà, me pré,
Me rá plaçkë si ujku n’ Shndré:
Me t’ a rrmye, po, dhén nen kâmë: 90
Me t’ lânë hû si hûnin n’ lâmë;
Pse edhé i moçmi ‘i fjalë kuvendi:
Lufton vendi e jo Kelmendi.
Jo, po pra: paska kênë shkrue,
Zi Nokshiqi sod me psue:
Zi me psue, keq me u shkretnue; 95
Pse sa nisi n’ qiellë me ague
Drita e bardhë e besës afati
I maroi, se ç’ t’ i ndêj gati
Mark milani, mustakgiati,
Edhè ushtrin me ‘i zâ lugati 100
N’ at Nokshiq ç’ t’ a ká ndersye,
Hovin aj ç’ t’ i a ká shperthye,
Per me vrá, po, e per me pré,
Per me djegun gúr e dhé:
Fill n’ Sutjeskë ata me dalë, 105
Shqyptarët per me i zânun gjallë,
Me u hjekë armët, keq me i shnderue,
Knjaz Nikollës rob me ja çue:
Knjaz Nikollës, po, ke Cetina;
E mandej aj vetë nder shkina, 110
M’ sý kapicen petull ndê,
Dredhë mustakun kacadrê,
Me u levdue, fort me u krenue,
Me zânë qiellë e me zânë dhé:
Se mâ trim se mue nuk ké, 115
Kah bjen dielli e hâna lé.
Si me krisme e me zhaurrimë.
Me rropame e bumbullimë
Shkputë nji rreshpe vetlla s’ malit
Poshtë rrmores shamet zallit: 120
Kshtû ushton gjama dês e planit,
Kah ushtrija e Mark Milanit
Mbi Nokshiq lshon me furi,
Vendit shkaperderdhë flauri:
Si atá korbat nper ajri, 125
Kur, tue i pá n’ kullosë nper arë,
T’ ketë qitë m’ ta ndo ‘i pushkatár.
E sikúr njetà gjutarë,
Me shumicë qi dalë per gjaje
Krés njaj pylle a njaj ograje, 130
Larg shoshoqit hallakatë
E tue krisë e tue hukatë,
Zagarët tue ndersye pá dá,
Per rreth vendin shkojn tue e lá,
Per me trêmë bishat nper pisha, 135
Per me trêmë derrat nper ferra
Edhè shokvet, ngujue n’ pritë,
Per shêj pushke m’ shtek me u a qitë:
Malazezt kshtu krés s’ Nokshiqit,
Shpirtin ferrë si lkurë iriqit, 140
Tue vikatë, tue hallakatë,
Hinë me djegun tbana e stana,
Me djegë shpi e me djegun gji,
Me thá vithnat me bakti,
Çaklat me plaçkitë nper shpi: 145
Ktû nji ti, atjè ‘i kusi,
Kndej nji zhangë, andej nji opangë,
Tlyen e djathë, sheka t’ pa rrathë,
Kallamoq, grunë e tagjí:
Atý – ktû tue vrá ndo ‘i fmí 150
Rát në shtrojë, a ndonji plak,
Qi s’ don gjân me lshue pa gjak:
Me u vrá don me Karadak,
Me ‘i kubure t’ pa kandak,
Njanit sý verbue, krejt mbetë ! 155
Dyndet tymi rê perpjetë,
N’ flakë e n’ shkendija lkuqë rri shpati,
Mnderet m’ kambë me t’ u ngri shtati !
Trêmë baktija mârrin malin,
Hikin gjindja mârrin zallin, 160
Ngasin grát neper errmore,
Djepat m’ shpinë e fmin per dore:
T’ mjerët e vocerr tue lotue,
Neper terr tue zânun m’ thue,
Ço e rrxo, po, si njato rikat, 165
Kur bâjn hapin me shpejtue !
Randë me çakla ngarkue çikat,
T’ giatë çomagen n’ dorë shterngue.
Shkojn tue u grahë, qyqet, bagtivet,
Qi kan mujtë me u pshtuem urdivet 170
T’ Mark Milanit. Qêjt e stanit
Para e mrapa me t’mdhej hapa
Shko e eja e gjân avit:
Njâ’ n avit, tjetren turit,
Reshi tufë, e mandej nzit 175
Me u grahë kambve, me hitatë,
Qêjt bari si e kan zanát:
Thue se ‘imend edhé atà vetë
I’ n tue e diejt, po, qêjt e shkretë,
Se po mûjt tý Shkjau perdhuni 180
Ndonji herë me t’ zânë perfundi,
Aj t’ vên m’ zêmer gúr e krep,
Me gúr t’ pushkës lkuren t” a rep
T’ a xjerrë shpirtin per gazep !
Atý – ktû ndo ‘i plak i mbetun, 185
Bâ dyfish e m’ shkop pështetun,
Kaliboç ndo’ i kalamâ,
Shifet rrugës kah hecë tue fshâ,
Me nji dêm a kál per lakut,
Brishtun kthetrash s’ Karadakut. 190
Edhè tash e mbasandej
Prej nji fshati n’ fshat pertej
Vrrasin grát, sa kurr kan n’krye:
Ah hik, dhé, se Shkjau ká msye !
E sikur, ndo’ i kalamâ 195
Tue kthye n’ mbramjet n’ shpi me gjâ,
Rrugës shkon lisat m’ gur tue gjuejtë
Mbrendë kû strukë t’ jenë zogjt me bujtë,
Trêmshim zogjt prej lisash dalin,
E nji fushen, nji merr malin, 200
Neper muzg fershllojn me fletë:
Kshtû Nokshiqasit e shkretë,
Mbrendë nder shpija qillue fjetë,
Kur nper mal zû Shkjau me djegë
Ka’ ashtû gjinden ndiejn tue britë, 205
Koder m’ koder tue gerthitë,
Rrezga – bjezga m’ kambë janë çue,
Mbathë e zbathë si kan qillue,
Gjân e gjallë edhé vû para
Vrap nper prroska edhé nper ara 210
Marrë kan hiken drejt Sutjeskës,
Kah mendojn se terthuer bjeshkës
Kan me ndeshë m’ ushtri shqyptare,
Qi me i mbrojtë prejt frotës barbare
T’ Mark Milanit, zogut t’ shkinës, 215
Qi u rá befas per mbas shpinës.
Ngasin, vrrasin e dihasin,
Njâni tjetrin m’ êmen thrrasin,
Gjindes s’ vet mos me u largue:
Me u grahë kambve, me shpejtue, 220
Hasmit Shkjá per t’ mûjtë me i pshtue.
Kur, qe, shkjau, si drita duel,
Bân e shef aj per kundruell,
Se si gjindja vû jânë n’ t’ hikun,
Baktish vithnat si i ki’ n shpikun, 225
Se ç’ t’ kan nisë at herë me shti
M’ gjinde t’ ngratë edhé m’ bagti,
Si me gjuejtë shkerbé n’ lisni !
Ktû vra ‘i plak, atjè nji fmi,
Ktej nji grue, pertej nji dhi: 230
Dikë dekë, dikê varrue:
Njâ’ n lsho m’ prroskë e tjetrin m’ prrue:
Mendt e krés me t’ u dermue !
Lshojn Shqyptarët bagtin at hera,
Hjedhin plaçkat neper ferra, 235
Edhè vrap hikin si era:
Njani shkorres, tjetri rrmores,
Kush i urë e kush terthuer,
Pa kqyrë driz, pa kqyrun gúr,
Veç si t’ pshtojn prej Shkjaut mizuer. 240
Se ç’ t’ u dha brima e ulurima !
Se ç’ t’ u dha gjâma e piskama !
Fmija vrrit, nanat gerthit;
Çikat kjáj e nuset fshâj,
Fshâj e kjáj pre’ atij gazepit ! 245
Herë rri e struku mbas ndo ‘i shkrepit,
Mbas ndo ‘i stomit, mbas ndo ‘i rrapit;
E prap lshou mandej n’ pikë t’ vrapit,
Shkapercè ledhe e gardhiqe,
Edhè zhduku neper rrmiqe, 250
Nper rreshpoja, kodra e brigje,
Pushkvet t’ Shkjaut veç si me u pshtue.
Turitë gjedhet e terbue,
Bishtin héll mbi shpinë shtangue,
Hidhen, ngasin, mârrin shpatin, 255
Hingllojn mazat, shkrefin vrapin,
Marrin malin dhên e dhi:
E nji plûhen nper ajri
Çohet njegull, qi, perzi
Me njat tym t’ agushtë, të zí 260
Tbanash s’ djeguna e mbi krye
Ndê, s’ të lên me pà me sý;
Si na kurr me sý mos pashim,
Kahdo ardhshim, kahdo rashim !
Ke, qe, sod ofshe ! me pá 265
Po na duhet, si nji Shkjá
Aj po mujtka me na vrá
Per shêj pushke, e flakadâ
Me na djegun trollin t’ onë,
Me na i rrmye dhênt me kumonë; 270
Edhe shkinat e Cetinës
Plaçkat t’ ona m’ i a vû shpinës,
Porsi mushka, e lak më lak,
Me i qitë tej në Karadak:
E t’ u tallë shoqe me shoqe, 275
Ato mrûme Kollomoqe,
Me na shá, n’ shpotë me na vû.
Njana tjeters t’ i u levdue:
Se kaq shpija burri m’ dogj:
Kaq Shqypatarë kso jete m’ hoq: 280
S’ ká mâ trim se njiky êm – shoq !
Por nji çudë un jam tue bâ.
Per njat shpi tej n’ at shullâ,
Mshilë dritsoret, dyert avitë,
Qi si rishtas dán goditë 285
E po ndêjka tym tue qitë:
Edhé m’ paska ‘i vathë per bri
Plot me dhên e plot me dhi,
Me ‘i qên n’ stel, uk i terbue,
Kál e gjedhe në katue: 290
Nji pendë qé lidhë krye per krye,
Bukuri me u pá me sý:
Nji pash brynat hânë ngerthye:
Nuk ká djerr, jo, as nuk ká qerr,
S’ ká tavig qi mund t’ i thejë: 295
Pesmdhetë qese blé në Pejë !
Prap, si ‘i mot ç’ do tjeter mot,
Grunë n’ hambár, kotecat plot,
Si mâ i miri n’ Plavë e n’ Hot.
Me gjithkta kush s’ âsht t’ u pá, 300
Poshtë perpjetë atý tue ngá,
As me çakla m’ shpinë ngarkue.
Per me hikë e per me pshtue
Dhên e dhi, lopë edhè qé:
Sado qi tash shkina e shkjé 305
Asajë shpi fort na i janë qasë:
Shkjét me armë, shkinat me thasë,
E me strajca, kosha e zhaba:
Si zanát qi u ká lânë baba,
Me mbajtë cullt me gjâ të huej, 310
Dér t’ u hecë kunglli mbi ujë.
Porse kunglli, si po thonë,
Aj s’ po hecte mbi ujë gjithmonë…
Veç, po, ‘i vashë un jam tue pá
Vashë të ré n’ xhubletë të bardhë, 315
Me nji rubë rreth ballit ardhë
Qi mje m’ vetlla m’ i ká rá;
E derdhë flokët jashta shamis,
Dalë më paska m’ dér të shpis,
Njanin brryl m’ ballnik ngujue, 320
Ndêjka e kqyrka m’ kâmbë harû
Si Nokshiqi rrin t’ u kallë,
Plaçkë si bâhet gjâja e gjallë:
Si nper prroska, rrgallë e záll
Jesin dekun grá e fëmij 325
Per nen plume t’ Malit t’ Zi.
Por se prap kurrkund neshtrasha
Mue s’ a dán, ka’ e shof m’ at derë,
Se ká menden me hikë vasha
E me u bá ajo me shokë tjerë, 330
Per t’ pshtuem vetë edhé bagtija,
Pa t’ cillat s’ ká t’ gjallë Malcija.
A thue, Zânë, mos kjoftë premtue !
E ré vasha tue qillue,
Mos të ket ajo gabue 335
Me ndo’ i Shkjá me u miqasue;
E prandej, n’ uzdajë të mikut,
S’ dahet shpis as çarranikut
E harû m’ rri pshtetë ke tbana?
Pse edhé t’ mirë po e kisht’ bâ nana: 340
Ardhun shtatit si breshana,
Sýnin hýll, ballin si hana,
Dishka njethë si molla m’ rrêm,
Si ajo lulja shperthye m’ gêm:
Qi ke dalë m’ ká ashtû te dera, 345
Sikur bân me çilë prandvera;
Sikur bân dielli me dalë
Neper aha, brej e halë:
Kaq gjâ t’ mirë Zoti e ká falë !
Mos e thuej, bre burrë, at fjalë ! 350
Se per lila e karajfila,
Per zymyla e per bylbyla,
E per gurra neper curra:
P’ r ato hije neper vrrije,
P’ r ato flutra neper zalle: 355
Pasha Orë e Shtozovalle,
Pasha t’ rijt e pasha veren,
Per sa bjeshkë e lule bleren.
Mâ fisnike ‘i vashë s’ e ké,
Kah ndritë hâna e dielli zé ! 360
Se edhè ndollë, bre, ká shqyptare.
Fisit t’ mirë, e deret bujare:
Vetë e bija e Ulë Keqotës,
Kênë gjithmonë ky buka e botës:
N’ zâ per pushkë, urti e fjalë, 365
Lypë n’ kuvend e pvetë n’ Xhibál:
Koritë s’ ká, jo, tatë e nanë
Sa kjenë gjallë e shpirt pa dhânë,
Jo koritë kjo sod per s’ dekuni
Tatë e nanë tue u kalbë në vorr ! 370
Qi i kan lanun plang e shpi,
Tokë në mal e tokë në vrri,
Vathin tok me dhên e dhi,
Si mâ i miri në Malci.
Se as kend t’ vetin Tringa s’ m’ ká: 375
Tringë m’ i thonë, po, asaj bi malit:
Veç Tynzonë edhé nji vllá,
Njat Curr ulen, pika e djalit,
Po, me i prekun kryet më trá
Qi ajo e don si sýt e ballit: 380
E qi as fat me i qitë s’ desht vedit,
Virgjineshë por ndêjë ká n’ voter
T’ t’ et, per t’ pasun vllán per s’ ngiatit,
Qi m’ i u bâ kjo nanë e moter.
Veç orzezë Tringa m’ kisht’ lé, 385
Me i u dhimtë gurit e drunit;
Pse i vllaj vjet, tue u gjuejtë me Shkjé
Atjè n’ bjeshkë per punë t’hoqunit
Me dý plume kje varrue:
Edhè tash, qe, mbushet vjeta, 390
Se rri n’ shtroje tue lingue,
Pa mujtë kurr me u çue m’ kambë t’ veta.
Natë e ditë motra tue fshâ,
S’ kursen shtek as s’kursen pare:
I suell mjekët kû i’ n kênë mâ n’ zâ, 395
Blé melhême i ká edhé bare.
Por i vllaj mâ mirë nuk bâni,
Fill, i mjeri, âsht shtri per dekë.
Edhè jerm flet me ‘i gjymsë zâni:
Veç qi nisé s’ ká enè me hjekë. 400
Marrë mendsh Tringa asi gazepi,
Natë e ditë i rri te kryet:
Si ajo nana fmis ke djepi:
E as kurr, s’ mjerës, s’ i teren sýt.
S’ han, as s’ pin, as fjalé nuk flet; 405
Sa per t’ pritë miq e kumarë,
Ndonji shoqe çon e thrret;
Gjânë raditë neper rrogtarë.
Por, kur drita at herë tue gdhi
Nisë ká Shkjau vendin me çartë, 410
Stane e tbana me i bâ hi,
Hikë kan shoqet e rrogtarët,
Vrap tue shkue nder shpija t’ veta,
Gjindes s’ vet per ngiat m’ i u gjetë:
Edhè kshtû tash Tringa e shkreta 415
Qyqe n’ shpi me t’ vllán ká mbetë.
Mendsh si mârrë ishte per vllá,
M’ kambë dikúr çohet e mjera,
Edhè del në derë me pá,
Palè ‘i herë se ç’ isht’ potera. 420
E kah qiellin shef n’ tym mlue,
Kah shef zjarmin poshtë tue zbritë,
Edhe pushken ndien tue vlue,
Shkjé edhèshkina shef tue u avitë:
Shef Nokshiqasit ke ngasin, 425
Rrege e prroska n’ gjak t’ u plirë:
Ndien si cullt e grát gerthasin,
S’ epri Shkjau ka ‘i gjuen pa mshirë,
Edhè atý me hikë i epet,
Kamben zbathë e sido veshë, 430
Rrugë pa rrugë me kalue repat,
Me shokë t’ vet ajo me u ndeshë.
Por nder mend qe po i bjen vllau:
Si un tash vllán vetun m’ e lânë ?!…
M’ shtroje ràt me m’ a pré Shkjau, 435
Pa mûjtë kush ndihmë m’ i dhânë?!
Edhè hovin ndalë e ká.
Por, kah zhduken fushës e shpatit
Vrap Nokshiqsit tue ngá,
Të perqethtë atý i bje shtatit: 440
Pse trûç para mendes s’ sajë
Shtrohet kobi qi isht’ tue e gjetun,
Edhé shef, po, se mâ uzdajë
Në ket jetë per tê s’ kisht’ mbetun.
Shokët e vet kush hikë, kush dekë; 445
Zbritu s’ epri shkjau mizuer:
Vllau i vetun n’ shtrojë tue hjekë;
Qilla e naltë e toka gúr,
Kuej m’ i u pshtetë?… kah me shpëtue?…
N’ djersë të ftoftë i rihet balli; 450
Per urë derës njâ’ n brryll ngujue,
N’ gjak lá i duken mali e zalli.
Don me kjá; me kjá nuk mundet:
Dishka fytin i a zû njak.
Per nen parsme zêmra i lkundet, 455
Prej trishtimit i pikë gjak.
Kah t’ i a majë?… shka të bâj e mjera,
Kshtû lshue dore prej gjithkuej?
Zên e yhotë me vedi at hera.
Un veç n’ shkosha me u mbytë n’ ujë! 460
Se Shkjau vllán tash po m’ a mbytë:
Drita e sýut per dekë aj shtri!
Mue tash po m’ verbon t’ dy sýt,
Rob tue m’ mârrun n’ Mal të zi:
Me turpnue, po, un nanë e tatë, 465
Nanë e tatë n’ vorr me i koritë,
Me zi ftyren vllaut të ngratë,
Marre fisit un me i qitë !…
Po si mordja me m’ harrue ?!
Nanë e tatë tue u kalbë nen dhé ! 470
Vllau, qe ‘i vjetë, në shpi vorrue !
Qyqja moter rob nder shkjé,
Me bâ kryq kjo në tre vend,
Vedit me i a njitun shkinë,
N’ gjûhë të huej me zânë kuvend, 475
Me sherbye n’ Shkjá si robinë !
Si s’ u shkputka ‘i buzë prej malit,
Per nen vedi mue me m’ zânë;
Si s’ m’ gjoi moti bjeshkës a zallit,
Me t’ pshtue erzi, o e zeza nânë ! 480
E qe tash andej pertej
Nper do aha e lisa t’ mdhej
Zi nji tym nisë rê me u çue,
Po nisé flaka me vezllue,
Ndihen shkjét si ujq tue ulrue, 485
Tue vikatë, tue u hallaktë,
Fort tue u dhânë, fort tue u perpjekë,
Kah i a hinë shpijat me djegë:
Edhe shkinat poshtë – perpjetë
Nga nper zalle e nper rrgalle. 490
Thirr shoshoqes larë e m’ larë.
Tue u zgerdhi, tue bâ poterë:
Herë tue u shá e herë tue u tallë,
Kah po ndjekin gjân e gjallë:
Qi terbue hikin lak m’ lak, 495
Per me i zânë e me i qitë n’ lak
E me i nisë per Karadak,
Kû po hahej bukë e gjak.
Si ajo suta shoqesh dá
E n’ blerim t’ njethtë ajo rá, 500
Lshohet zhgjetë e turrshim futet
Mbrendë në breshtë, tue u dridhë prej tutet,
Kur gjuetari m’ tê ketë shti,
Per pa mûjtë por m’ tokë m’ e shtri:
Njekshtû bredhë ká Tringa n’ shpí 505
Zbé si qiri, buzet xi,
Kur ká pá zjarmin kundruell
E ká pá se Shkjau ish’ hullë.
Hin me turr, e pa diejt gjâ
N’ at trishtim se ç’ isht’ tue bâ 510
Me shul deren ká merthye:
Thue s’ din Shkjau si m’ e shperthye…
Qi kurrgjâ atij mâ per dore
Nuk i vjen, se dyer me thye,
Shpija e tbana me bâ rrmore: 515
E mrrudhët e m’ kambë shtangue,
Djerrun sýt, t’ perqethtë tue i shkue
Neper shtat e tue merdhitë,
Si t’ isht’ plajmi borë tue qitë,
Rrin harû mbrenda shpis s’ vet, 520
Porsi t’ ishte nji shauret.
Veç, tue krisë zhurma e potera,
N’ lak pertej, sýt hera – hera
Si hajnisht i dredhë kah dera:
Sýt i dredhë e prap i bredhë 525
Para vedit me shpejti,
Trêmshim tu’ i rrot’ llue np’ r ajri,
Ka’ ajo shef se e vetmja uzdajë
Me i pshtuem vllau e erzi i sajë,
Po ishin veç njato pak drrasa 530
T’ breme krijet e t’ tanë plasa:
E qi as giatë puna s’ do t’ vete,
E ato Shkjau do t’ i shperthete !
Prej t’ kobshmit trishtim qi ká,
N’ shpi gjithshkafja i duket Shkjá; 535
Shkjá vargoni, e Shkjá carani,
Koshi Shkjá, e Shkjá kazani,
Mark Milan çarku i duhanit:
Magja shkinë, e shekat shkina,
Shkina rraqet vjerrë nper kthina. 540
E si ngusht kúr gjindet nieri,
Ati i epet si pa hiri
Me thirrë: Nanë ! kshtû Tringes s’ shkretë,
Pa kend ndihmë, o zot! n’ ket jetë,
Mnderet goja rreshkë e idhnue, 545
Qyqe vetun n’ shpi ngujue,
Me nji vllá fill tue marue
Kaherë ftofë të mjerit kama !
Atý n’ mend po i bjen e ama;
Edhé i bâhet se po e shef, 550
Per urë voters zanë m’ njâ’ n tef
Shi kû ajo zakon dikúr
E kisht’ pasë me ndêjun, kúr
Mazen m’ zjarm me lugë perzite,
E qi Tringës, kur fmi enè i’ te, 555
Aq fort anda pasë i a ki’ te.
Edhè nisë disi m’ i u njallë
N’ shpirt uzdaja, e me i u kallë
Rrezja n’ sý e mollza m’ ftyrë,
E at urë votre m’ nja tue kqyrë 560
Ah, moj nanë ! po i thotë: kû jé ?!…
As s’ po shef se shkina e Shkjé
Po duen Currin me na pré ?!
Por nana isht’ t’ u kalbë nen dhé !
Kush s’ i gjegjë, jo, Tringes s’ shkretë, 565
Veç se i vllaj… me í gjamë të letë !
N’ at gjamë zêmra i shkrifet n’ váj !
E tue dnesë, lott tue i shkue rrkajë,
Harrue vedin edhé Shkján,
S’ mendon tjeter veç se vllán: 570
Edhe shkon e i rri te kryet.
Puthi ballin, puthi sýt:
Ftyren laja n’ lot si rrkaja
Laja n’ lot të sývet t’ ballit !
Aty jemi po i del djalit, 575
E ka’ ashtû ndien tue i pikue
Dishka ftyrës, rrin tue mendue,
Se po âsht cirka tue cirkue
E se jashtë isht’tue rá shi,
Me ‘i zâ t’ mârrët e si n’ merzi 580
Vedmevedi thotë: Perzèt !
Mori shpija metshi shkret !
Urth e Lmashk per rreth u mlojshin !
Brevë e gjarpen n’ jue u perftojshin !
Si kaq shpejt ju me pikue ?!… 585
M’ voter cirken me m’ a lshue ?!
Jo, mor vllá, motra i ká thânë,
Se ato cirka shiut nuk janë
Qi nper hatlla pikojn m’ voter:
Por janë lott e s’ ate moter ! 590
At herë vllau, bâ dhé në ftyrë,
Sý per sý motren po e kqyrë,
Me do sý krejt cangullue!
E letë doren tue i a lmue,
Si n’ kllapi i ká ligjirue: 595
Po ti, moter, pse me kjá ?!
Zêmren dýsh pse me m’a dá,
Tash qi m’ erdh shpirti me dalë,
Frýma n’ zêmer tue m’ u ndalë ?!
Po a lânë t’ paskam me hjekë zi ? 600
T’ paskam lânë pangrânë, pa pi,
Veshë e mbathë edhè stoli
Jo si shoqet në Malci ?!
A se folë t’ paskam un randë:
Persè ti ‘i çikë e pa nanë, 605
Sa valë t’ kênka i vetmi vllá,
Huj’ per burrë, ndoshta, me t’ rá ?!
Motra doren m’ ballë i a vên,
Amel fjalen ç’ po i a kthen,
Pastên vllaut t’ i a strukun krahit: 610
Amanèt, moj njomza e ahit,
Po kû jé ?… shka jé kah thue ?…
Po a kaq jermi t’ ká ngushtue ?…
Se tý motra s’ t’ u martue,
Per pa u kalbë ajo nen dhé ! 615
Kurr mâ randë se sod folë s’ m’ ké !…
Tjeter tatë nuk kam as nanë:
Amanét, mos me m’ pasë randë,
Per nji fjalë qi due me t’ thânë !
Qýsh, mor vllá qe, tash nji vjetë 620
Nuk t’ u njom ky shtat i shkretë ?!
Qysh s’ t’ u mkam ky trup nji hera,
Sa me u çue me dalë ke dera ?!
Si s’ t’ u thá motra, e thafté vera !
E thaftë vera, si e ká thá ! 625
Po un qýsh shkoj me ndêjë rob n’ Shkjá !
Vetllat Curri atý ká vrâ,
E si ‘i herë mârrtas ká fshâ,
Po i thotë moters per nen zâ:
Po ti, Tringë, shka jé kah flet ? 630
Rob në Shkjá tý shka po t’ qet.
Na n’ Nokshiq, Shkjau n’ Karadak ?…
S’ të lshon fisi, jo, pa gjak,
Me t’ robitë, me t’ çue nder shkjé,
Edhé pse un t’ kalbem nen dhé. 635
Motra, lott me rubë tue i fshi
Ah, mor vllá ! po i thoté n’ dashtni,
Ndoshta jermi s’ t’ lên me ndi
Si vlon pushka n’ mal e n’ vrri:
Se sod Shkjau n’ Nokshiq ka hi. 640
Ku po bân t’ madhe kerdi,
Shpija e stane tue i bâ hi,
Tue plaçkitun dhên e dhi,
Tue vrá pleq, e grá, e fmi !
N’at fjalë Curri se ç’ asht xi, 645
E me ‘i zâ me t’ zi me u ndi,
Po i thotë moters si n’ kllapi:
Paska hi, thue Shkjau n’ Malci ?
Po n’ Nokshiq, po i thotë e motra
E shi tash zbriti nder kodra, 650
Kû po djegë aj gúr e dhé !
Atý Curri se ç’ âsht zbé !
Kthelltë nji herë se ç’ ká gjimue !
Per rrshit hutës sýt i a ká lshue,
Tash nji vjetë n’ kûj ajo vjerrë ! 655
Edhé sýt nisin m’ i u errë,
Fija e mendes nisë m’ i u djerrë:
Po zên fryma me ju ndalé,
Sa me t’ zi m’ i u ndie kto fjalë:
Zot, mâ zi se njekshtû a ká ?… 660
Ndore t’ ande paça rá !
E sjellë marë, shtrihet per dekë,
Edhé nisë ká atý me hjekë.
Tringa qirin shpejt e kallë,
E xi n’ ftyrë, bâ karabojé, 665
Mêrr e i bân me të kryq m’ ballé.
Tue thirrë Krisht e tue thirrë Zojë,
Dér qi vllaj per t’ mbramen heré
Hoq e u dá kso jete s’ mjerë.
Ç’ po bân Tringa e mjerë t’ u lvyrë 670
Rrokë ká vllán e ftyrë per ftyrë
Puth e kjáj e me lot láj;
Dnes e fshâj e shkrifu n’ váj:
Dhimet zêmra ka’i pelset,
Per at kob të zi qi e gjet ! 675
Por, tue kjá, tue dnesë mbi vllá,
Nisë me vedi me mendue,
Se vllau petkash duhej ndrrue,
Se në vorr aj duhej çue,
Nanë e tatë kû i’ n kênë vorrue. 680
Veç se prap ajo u mendueka:
Mirë se vllau petkash u ndrrueka,
Por si i bâhej me e shti n’ dhé,
Jashta Shkjau tue djegë, tue pré,
Shokët kush mbetë, kush hikë e tretë, 685
Vetun qyqe un në ket jetë ?…
E lên vaj’ n e mâ nuk kján:
Veç harû tash kqyrë të vllán,
Tash kqyrë hatllat, tash kqyrë çaklat
Para e mbrapa, e tej n’ odë tjeter 690
Ndo’ i figure a ‘i plis të vjeter,
Kurrkund sý ‘n ajo pa e ndalë:
Herë, harû e ashtû pa fjalë,
Soditë oden fund e maje,
Thue po ká kund farë uzdaje, 695
Se po âsht kush qi me i ndihmue.
Por gjithshkafja n’ odë rri shue:
Hije deket e ká mlue,
Si nji vorr të kisht’ qillue.
Nisë atý ajo me u frigue 700
N’ at vetmi, e me mendue
Shka per t’ dekun kish’ pasë ndie
Tue kuvendë, sa kisht’ kênë fmi,
Edhè ‘i djersë e ftoftë e mlon.
M’ voter flaka kah fershllon, 705
Kah ndien ûnen m’ zjarm tue çijzë,
Neper hatlla mijt tue lvizë,
Të perqethtë asa’ i shkon shtatit,
Edhè shpinen mâ per s’ ngiatit
Murit t’ vrashtë i a njeshë. Kahera 710
Asht tue u matë me u çue, e mjera,
Me dalë n’ âne, kû zanát
Asht n’ Malci me ndêjun grát,
Per me zjerrë petkat e t’ vllát
Por me u çue nuk âsht tue mûjtë: 715
Dishka dron vendit me luejtë.
Shkrumue buzësh, irnue në ftyrë,
Dér t’ vllán âsht tue drashtë m’ e kqyrë.
Harrue ká Nokshiq e Shkjá,
Shpijat djegë, vendin n’ gjak lá: 720
Keq rrethuem e ká mjerimi,
Kaq hypë tmera e hypë trishtimi !
Kúr, qe, ‘i vigem ndien perjashta
Nji çetë shkjé po mlidhshin kashta,
Per me i dhânun zjarm njaj shpije 725
Pak pertej, nalt te nji hije.
Ndien at vigme e flakron m’ kâmë.
Friget tue rrapllue me dhâmë,
Edhè futet n’ ane tjeter,
Kû po kishte ‘i kashû t’ vjeter, 730
E mbi trén nalt n’ hatlla t’ epra
Nji gallushter, çilë nper qepra,
Aq të vogel, n’ cilla t’ mdhá
Me t’ zi nieri mbrendë me u pá:
E fluturim ajo tue ngá, 735
Mbas kashûnit shkon me hi,
Kin’ me u strukun per rranzë ti
Kin’ po pshton prej Malit t’ Zi:
Qi nper flakë e tym të zi
Mi as bunger pa gjetë s’ lite, 740
Jo se mâ njerzit s’ po i gjite,
Qi nper shpi mund t’ strukte ezgjeti…
Por, enè pau ulë, me veti
Zên e thotë: Pásh t’ Lumin Zot,
Persè t’ mshifem këtû kot ?! 745
Ç’ m’ duhet jeta sod me sod ?!
Nanë e tatë tue u kalbë nen dhé
Vllau i vetem dekë mbi dhé:
Ç’ m’ duhet jeta kish t’ a di ?!…
A veç sa per t’ shkuem n’ Mal t’ Zi, 750
Faqe t’ zezë vedit me i shkrue,
Fis e giûhë e Fé me ndrrue,
Nanë e tatë un me marrue:
Me i’ xi ftyren vllaut të dekun
Me njiherë porsa ká hjekun?! 755
Jo, per Zotin! lavdi Zotit !
Se mâ Tringa per mbas sotit
Gjallë ‘i ças s’ do ajo me kênë.
Por, persé p ‘ r ‘i nieri t’ kshtênë
Me mbytë vedin s’ e ep Feja, 760
Vetë do t’ dal, po, gjofti rrfeja !
Ballë per ballë me u gjujtë me Shkjá,
Perdhûni m’ e bâ me m’ vrá:
Mue me m’ vrá, po, n’ gjak me m’ lá:
Por jo kurr në Karadak, 765
Veç këtu, shi per nen prak
Të derës s’ eme. Jam bi malit:
S’ báj un marre per s’ të gjallit !
Zot, mishrirë të keshë per mue,
Per shka vetë mund t’ kém gabue 770
Në ket jetë, hiri a pa hiri
Shtatë herë n’ ditë kû fye edhè i miri !
Ti edhé m’ ep forcë e fuqi,
T’ mos t’ i lâ vedit kori.
Se un t’ rijt t’ êm nuk po e bâj fli, 775
Per t’ m’ dalë kanga n’ Male t’ mdhá;
Por per erz, per Fé, per vllá,
Dekë mbi dhé qi mbetun m’ ká,
Me m’ i a pré kryet shkjau per s’ dekuni,
Mal e fis me na i koritë ! 780
Deh ! Ti doren me m’ a njitë
Në ket t’ mbramen per mue ditë:
E mos lên, jo, gjallë me m’ qitë
Shkjau në dorë ! E fill n’ odë t’ burravet
Flakron Tringa, i vllaj per s’ dekuni 785
Kû ishte shtri, e huten s’ eperi
Hjekë prej kûj’ t per nen sergji:
Mbrendë fyshekun i a ká shti:
Kater tjerë i qet m’ nja’ n bri;
Per nen rryp njeshun per i: 790
U ep flokve nen shami:
Edhè para se me dalë,
Huten n’ dorë, bâ giûnin palë,
Asht ulë, vllán ká puthë në ballë,
Kû po merr e i thotë me mâll: 795
Fort mos m’ u merzit, mor’ vllá !
Pse, kur t’ nisë dielli me rá,
Tash po vjen Tringa me t’ pá:
Me ndêjë bashké moter e vllá:
Prej shosho’ it m6a kurr me u dá ! 800
Edhé vasha m’ kâmbë âsht çue,
Ndihmo, Zot ! Shêjti Shna Ndue !
Vetë me vedi thotë nji hera,
E msýn turr drejt e kah dera.
Sa me huj deren ká hapë ! 805
Se aspak vasha nuk m’ â zmbrapë !
Por sý’ n zjarm, vetllat ngerthye,
Dredhun ruben urë me sý:
Si selvija shtatit ngrefë,
N’ mes t’ oborrit i a ká befë, 810
Per mbas ijet huten mshefë.
Kur qe, se njaj Gjur Kokoti,
Si me e hûmë qi kisht’ nisë Zoti
Unen n’ dorë tanë tym e shkndija,
Dirgjet shpatit si duhija, 815
Tue marrë shtekun me t’ mdhej hapa,
Me dy t’ Vasoviqas mbrapa,
E mâ larg prap me ndo’ i shkinë,
Per t’ ngarkue ato plaçkat m’ shpiné,
Ká msý shpin m’ i a djegë Curr Ulës. 820
Gjuri, menden maje ksulës,
Para shokësh pak ká shtekue,
M’ sý kapicen petullue,
Dollamës polin m’ br6ez ngujue,
Vjerré novicen per nen krah, 825
Kthellté taganin rrasë n’ sylah:
E si ‘i bishë dalun prej gurit,
Kur t’ a lodhë plajmi me borë,
I âsht avitun shpis së Currit,
Sa hjedhë nieri ‘i pashë mbi doré, 830
Prej kah Tringen aj ká pá
M’ kambë n’ oborr ndêjë para shpis:
Si ajo Zana e bjeshkve t’ mdhá,
Si aj flamuri n’ ballë t’ ushtris:
Edhè hapin e ká ndalë, 835
Kû habité, po thotë kadalë:
Vall, a âsht Ora e Dormitorit ?
A por Zana e Vizitorit,
Ulë e Mira m’ kto zabele,
Per me gjetë ndo’ i ród sherbele 840
A ndo’ i shpendme giatë luginës:
Se nji vashé mâ t’ mirë s’ e shef,
Pasha Sh’ Pjetrin e Cetinës !
Me i rá botës ti tef e m’ tef.
Tash po e marr e e çoj n’ Mal t’ Zi 845
Si ré nanës t’ m’ i ndihmojë n’ shpi,
Edhé qêni, i biri i qênit,
Thekë ká hapin atij vendit,
Drejt kah tringa tue sulmue.
Por, kur bâ ká me i u afrue, 850
Sa shpejt Tringa ‘i hap po kthen !
Sa shpejt huten po e merthen !
M’ parzme Shkjaut se ç’ po i a vên !
Hiqi gisht, he bujareshë !
Se ‘imend kênke ‘i bi prej fisit ! 855
Bjeri Shkjaut, bre sokoleshë,
Mu në parzme per mjedisit !
E t’ a diej Knjazi n’ Cetinë,
Se edhé n’ qitët Shqyptarët aj fare,
Pasha Zotin, n’ Shqypni s’ hinë, 860
Dér t’ jetë gjallë ndo’ i bi shqyptare,
Qi per erz, e Besë, e Atdhé
Kto edhé desin si me lé.
Edhè huta bani bam !
N’ kokerr t’ shpinës bjen Gjuri m’ shkam: 865
I âsht derdhë mulla nper rragam,
Pshesha n’ ujë, ‘dhe atá haram,
Çika vendit por s’ po lot.
Sýnin kokerr, flakë e agzot,
N’ krisme t’ pushkés kah shokët e gjurit 870
Shef se vrap i’ n vû atij gurit,
Sa me turr qi i a ká hjeké
Hutës fyshekun; veç tue u rrekë
T’ dytin mbrendë ajo m’ i a qitë,
Vasil Ndreka, nji uk malit, 875
M’ të novicen terezitë,
E i a njet shi n’ lule t’ ballit,
Dekun m’ tokë bjen Tringa e mjera
Shta’ n n’ oborr e kryet te dera,
Mollza e faqes krejt n’ gjak lá ! 880
Edhè dielli dheut i rá.
Gjallë por Tringa Shkjaut n’ dorë s’ rá !

ObserverKult

Lexo edhe:

GJERGJ FISHTA: ATDHEU