Cizia Zykë, shkrimtari francez me prejardhje shqiptare. Pse nuk njihet te ne?

Në vend të homazhit për Cizia Zykë

Nga Bajram Sefaj

Më parë se për romanin e tij të fundit (kur njëmend është i fundit), atë më titull “Oro & Co“, sikur më shumë duhet folur e shkruar, për autorin e tij, Cizia Zykë-n. Gjersa emri i tij është i njohur, jo vetëm në Francë, por edhe shumë më larg, për mrekullinë e zotit (në ndijimin negativ të fjalës!), për këtë shkrimtar francez, me origjinë shqiptare, në mesin tonë, nëse nuk dihet fare, për jetën, ndryshe të bujshme, dhe veprën e tij të madhe letrare, dihet fare pak, për të mos thënë aspak.

Kjo shfaqet e pabesueshme, aq më parë, kur as në Francë, si askund në botën e madhe, nuk ka aq shumë shkrimtarë me emër të madh, sikurse është Cizia Zykë. Neglizhenca (për të mos përdorur fjalën e rëndë – primitivizmi), jonë është akoma më e habitshme, kur dihet se ky njeri, ndërkohë ka shkruar dhe ka botuar një dhjetësh romanesh dhe libra të tjerë, që arrijnë (gjithë bashkë) gjer në miliona ekzemplarë (ksombla).

Pra, nëse nuk njihet sa duhet, ndër ne, si aventurier i rrallë në botë, atëherë do të ishte shumë e natyrshme dhe e logjikshme që të dimë, ta njohin e ta lexojmë veprën e tij letrare.

Gjersa përkthyesit tonë janë të vyeshëm e përkthejnë turli veprash letrare me logon made in perëndim (midis të cilave shpesh mund të përvidhen edhe vlera të dyshimta artistike), ashtë dashur, në mos për tjetër, pos pse është me origjinë shqiptare, t’i përvjelin mangët dhe, nga vistër veprash letrare të Cizia Zykë-s, të përkthejnë se paku tri a katër, prej atyre vetë ky autor i veçon si më të realizuarat, sikurse është “Oro“,, “Sahara“ dhe “Paranoja“, duke përfshirë e këtë të fundit, “Oro & Co“ që, le të thuhet që në krye, lexohet me një frymë dhe që, më në fund, u bë shkaktare për të radhitur në letër këta (pak) rreshta.

Derisa shtypi i shkruar, ai elektronik dhe në përgjithësi masmedia franceze (duke kujtuar këtu emisionin kult televiziv “Apostrophes“ të Benard Pivot, pastaj Nulle Part Ailler“ etj. etj.

Ndërkaq shtypi ynë, me përjashtim të ndonjë shkrimi margjinal, të autorit të këtyre rreshtave, në formë mbresë, pas leximit të disa prej romaneve të tij, gjithnjë të përshkuar nga notë e dukshme autobiografike dhe aventuriere brenda tyre, nuk dihet a do të këtë shkruar edhe ndokush tjetër për këtë shkrimtar aq të vyer. Për në Kosovë, jo. Me garanci.

A kanë shkruar sivëllezërit tonë në Shqipëri, nuk dihet me siguri. Por, si në Kosovë, aq më parë në Shqipëri, kanë pasur rastin dhe fatin e mirë të shkruajnë mbi Cia Zykën, aq më parë kur ai, para disa vjetësh ishte në Shqipëri, para se gjithash, për të gjurmues prejardhjen e tij dhe për të zënë gjuhën shqipen, gjuhën e babait të tij, me origjinë nga një fshat i Vlorës.

Kohën e qëndrimit, sado të shkurtër, në mëmëdheun e babait, Cizia i vyer dhe energjik ashtu si është, e shfrytëzoi mirë dhe në mënyrë racionale. Pos që e mësoi (për të mos thënë e perfeksionoi gjuhën shqipe), realizoi dhe një film të gjatë dokumentar me titull “Kanun“ e që për subjekt, natyrisht se kishte hak(gjak)marrjen që, mjerisht edhe sot e kësaj dite bënë kërdi, jo vetëm në viset (e ashpra) të Veriut të Shqipërisë, por, edhe në Kosovë dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Këtë film të shkëlqyer dokumentar, pos që disa herë e “rrotulloi“ Televizioni shtetëror francez, kanali i dytë i tij (France 2), edhe Televizioni Shqiptar i Tiranës e ka riprodhuar disa herë. Nuk dihet, për shkak të katrahurës se luftës, sigurisht, në Kosovë, a diçka tjetër, ky dokumentar i spikatur, as sot e gjithë ditën nuk është shfaqur në ekranet televizive në Kosovë! Libri rrëfimtar “Oro & Co“ (botim i Pocket“, Paris – 2009, faqe 376), padyshim se lexohet me interesim akoma më të shtuar, kur dihet se ai është libri i tij i fundit.

E kur ai, Cizia Zykë, i njohur si “mihës“, gjurmues dhe gjetës i arit, aventurier dhe shkuar rij, konsumues alkooli dhe droge (por jo edhe i tregtimit me këtë të fundit), udhëtar ia katër anëve të botës mbarë, që i njeh mirë edhe “kënaqet“ e burgjeve gjithandej… „…Arrestimi im i fundit en date, përndryshe ishte shumë serioz. Isha në Shqipëri  ku pata shkuar për të kërkuar rrënjët e mia dhe për t’i çuar ndihma vendit të origjinës së babës tim… Refugjat në ambasadën e Francës në Tiranë, derën e së cilës, kundër vullnetit të funksionarëve, e kam hapur me zor, kam qenë i exfiltruar nga ana e Quai d’Osay…Kam dalë nga ambasada, në bordin e një limuzine diplomatike, bashkë me eskortën e veturave të policëve para e mbrapa, të lidhura me talkie-walkie deri në paserellin e avionit të gati për fluturim.

…Kishin bllokuar gjysmën e aeroportit për mua. Ishte një gjë simpatike“. (Shih faqen 295!). Janë disa arsye madhore, pse librin “Oro & Co“, duhet lexuar gjithsesi. Nga se është shumë interesant, nga se autori, Cizia Zykë, është me orgjinë (të afërt) shqiptare dhe, dhe, më në fund, pse është libri i tij i fundit. Ja shembulli, me dëshmi plus se, edhe puna e krijimtarisë artistike, nuk është e përjetshme. Se edhe ajo ka fund! Vetëm se lypset një pikë (e madhe) për përfundim të saj. Ashtu siç bëri Cizia Zykë i ynë, hiç më i moçëm se 63-vjeçar. Ai vuri pikën mbi i sa i takon shkrimit të librave, kurse, kur është fjala për aventura nuk është për t’i besuar! Poshtë titullit të librit „Oro & Co“, Cizia Zykë,  ka shënuar “La dernier avanturier“, (avanturieri i fundit!).

ObserverKult


Lexo edhe:

“ËMBËLSIRA”, TREGIM NGA BAJRAM SEFAJ