At Gjergj Fishta apo Atë Gjergj Fishta- si duhet të shkruhet saktë?

at gjergj fishta
Gjergj Fishta

Shpeshherë ndihemi të pasigurt për formën e saktë drejtshkrimore të këtij titulli: me “ë” apo pa “ë” fundore; “At” apo “Atë”?

“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” na kanë dhënë përgjigjet e shumë pikëpyetjeve që ne, si përdorues të gjuhës standarde shqipe, na lindin çdo ditë.

Duhet të dimë se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme AT dhe ATË, pra, që kanë edhe kuptime të ndryshme:

a) AT, -I, shumësi: ATLLARË. Kalë shale. At i zi (i kuq). Shaloj atin. I hipi atit. Kjo fjalë ka fituar edhe një kuptim të figurshëm: “Njeri i fuqishëm e i shkathët, njeri i zoti.” Kjo fjalë është huazim nga turqishtja.

b) ATË – ATI, shumësi ETËR. 1. Prindi mashkull kundrejt fëmijëve të vet, baba. Atë e bir. Im atë. 2. Themeluesi i një fushe të dijes ose të veprimtarisë shoqërore, frymëzuesi e drejtuesi kryesor i një veprimi me rëndësi historike, babai. Ati i mjekësisë. 3. fet. Titull fetar, që u jepet priftërinjve a murgjve; shenjtorët që i kanë sjellë shërbime kishës në veprimtarinë e saj: Atë shpirtëror. Etërit e kishës. Kjo fjalë është trashëguar nga brumi indoeuropian i shqipes dhe bën pjesë në atë grup të vogël emrash mashkullorë, që shkruhen me -ë fundore, si: djalë, gjumë, kalë, lumë etj.

Pra, fjala ATË, si titull fetar, shkruhet me ë në fund, p.sh.: atë Stath Melani, atë Mihali, atë Sofroni etj. Por më herët, sipas traditës letrare katolike të gegërishtes së Shkodrës, është shkruar Át, d.m.th. me shkronjë të madhe, me theks dhe pa -ë fundore (sipas shqiptimit të sotëm të gegërishtes veriore). Kur duam të respektojmë atë traditë dhe të shkruajmë sipas mënyrës që kanë përdorur vetë personat përkatës, mund të përdorim formën Át, për shembull: Át Benedikt Dema. Át Gjergj Fishta, Át Justin Rrrota etj. Përndryshe duhet shkruar “Atë”, p.sh., atë Dhimitri, atë Gjoni,atë Nikolla, atë Zefi etj., pra ashtu si im atë, yt atë etj.

Përgatiti: S. Agolli

ObserverKult


Lexo edhe:

GRAMATIKAT E PARA TË GJUHËS SHQIPE NË KROACI

Të dhëna për gramatikat e para të gjuhës shqipe në Kroaci…

Nga Mark Palnikaj

Sipas të dhënave arkivore, mendohet se që në 13 maj të vitit 1776 është botuar gramatika e parë e shqipes tek Arbneshët e Zarës.

Ka qenë mësuesi Don Pal Zogaj, i cili për nevojat praktike të mësimdhënies, ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe.

Me disa nga konceptet bazë gjuhësore. Ai jepte mësim në Osijek dhe e shkroi me shkrim dore veprën e vet. Kopja fizike e së cilës ende nuk është gjetur. Por burime të ndryshme pohojnë ekzistencën e saj.

Studiuesi Don Frrok Zefi me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci, në studimet për shqiptarët dhe për traditat e tyre. Ka zbuluar kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për shkrimin e gjuhës shqipe.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult