Ermal Lala: Kaseta e jetës

Nga Ermal Lala

Sikur të ishte jeta një kasetë e regjistruar momentesh, për një çast ne do ta riluanim përsëri, sepse kujtojmë kohën e paharrueshme të sukseseve, flirteve, ngjarjeve plot hare, mbrëmaneve të papërsëritshme, gëzimit, argëtimit, fillimeve të para të ditëve të shkollës, universitetit dhe kurseve.

Kujtojmë momente të papritura të lajmeve që na gëzuan, na bënë të hidheshim përpjetë, e ndonjëherë rrahjet e zemrës na i shtuan fort. Kujtojmë edhe kohët e bukura të pritjeve të çasteve që na dukeshin se zgjasnin sa vetë kaseta e jetës.

Nga ana tjetër këtë kasetë nuk do të donim ta riluanim kur kujtojmë se midis këtyre çasteve kaq të gëzueshme, ka pasur edhe momente hidhërimi, lajme të trishta të humbjeve të të dashurve tanë, këputje ëndrrash në mes, momente të ndarjes për së gjalli, lamtumira, humbje kontaktesh, aksidente dhe dështime në momentet kyçe të jetës.

Kaseta e jetës ndryshe nga çdo kasetë që mund të manipulohet, ndryshohet, fshihet, digjet e humbet, është e patjetërsueshme, pavarësisht se sa do të donim të ndërhynim në të, të mos kalonim momente të vështira me njerëzit që vonë i kuptuam se na deshën aq shumë dhe i deshëm, t’u falnim çaste të bukura dhe më shumë kohë për të jetuar me ta.

Njerëzve që nuk i njohëm kurrë, që përfituan nga njëri-tjetri, nga ne dhe nga sinqeriteti ynë, t’u tregonim derën e daljes nga jeta jonë. Mirëpo e tillë qenka kaseta e jetës, s’të lë vend kurrë për korrigjim.

Kështu që duhet jetuar, vazhdimisht duhet të lëmë njerëz të rinj të hyjnë në jetët tona, vazhdimisht duhet të kërkojmë mundësi të reja dhe të ndryshojmë për mirë atmosferën për ne dhe për të tjerët. Ngjarjet e papritura, humbjet dhe dështimet, janë njolla të zeza në kasetë. E vetmja gjë që na mbetet është ta mbushim këtë kasetë me momente e emocione sa më të gëzuara nga fillimi në mbarim.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: DO TË VDES I MBYTUR NË BORXHE…