Poezia “Kam një lëmsh në zemër” e Petrit Rukës, është një poezi e mbështetur mbi këngën popullore me të njëjtin titull e cila është shtrati ku rrjedh vargu i tij poetik, por ndryshe nga vargjet e artit gojor që janë një “rrëke” burimi, poezia rrjedh e rrjedh si lumë, çuditërisht shumë i kthjellët dhe i ftohtë, nga ai ujë që pi e nuk ngopesh.
Kënga popullore është e shkurtër, disa pak vargje por me një fuqi emocionale që të trondisin:
Kam një lëmsh në zemër
Sdi kujt ti drejtohem
Tu drejtohem maleve
Malet më largohen
Tu drejtohem fushave
Fushat zbukurohen
Tu drejtohem vajzave
Vajzat po martohen..
I-Këtë këngë e kemi dëgjuar të kënduar, e kemi lexuar të shkruar nëpër përmbledhje krijimtarie të këngëve të popullit, e kemi studiuar të analizuar nga studiues dhe shkrimtarë, gjer në atë shkallë sa që kemi menduar se ska mbetur gjë për të thënë akoma për atë. Ja që Petrit Ruka na tregoi se kjo këngë e ngritur nga ndonjë fshatar i varfër e i drobitur, i cili pos të tjerave ka mbetur dhe pa martuar për shkak të halleve dhe të varfërisë, i cili në hambar ndoshta s’kishte drithë as për të aritur stinën e re të korrjeve brenda gjoksit të tij kishte një “hambar”me këngë, apo kishte vetëm këtë këngë që ishte “balsam” dhe “ushqim” për vete, për gjithë vendin dhe sidomos për gjithë kohërat.
Askush nuk e di kush është autori i këtij teksti tejë shekspirian, se nëse Shekspiri “lëvizi” pyllin, ky fshatar lëvizi malet me gjithë pyjet mbi supe.
Askush nuk e di se kur dhe ku u këndua së pari kjo këngë, se për ta kënduar sigurisht që e këndoi vetë ai djaloshi fshatar me “një lëmsh në zemër”. Madje ai, autori dhe këngëtari nuk e ka zbërthyer ndonjëherë “lëmshin e zemrës” për të na treguar se ç’kishte në përbërjen e tij ky lëmsh, ishte lëmsh i krijuar nga një fill i gjatë, apo një sërë fillesh lidhur e mpleksur me njeri tjetrin. Sigurisht që ky lëmsh ishte më i konklavitur se nyja gordiane të cilën asnjë Aleksandër jo vetëm që nuk e zgjidhte por as edhe mund ta priste.
Askush nuk di si e pse u krijua dhe askush nuk e zhbleks dot këtë lëmsh në zemër.
II-Ja që Petrit Ruka nisi ta zhpleksë lëmshin, ta bëjë fije- fije, jo për ta këputur, por për ta parë se ç’qe ky lëmsh e ç’qe ky fill që e kishte krijuar. Ç’tu desh kjo punë more Petrit Ruka, pse s’më pyete të të thoshja qysh kur e nise se ajo që pe e që na tregove dhe ne nuk qe lëmsh filli po qe lëmsh lemerish që vetëm Zoti e dinte qysh e mbante në shpirt ai njeri i varfër dhe i pasur njëkohësisht. Se po të qe fjala që ta mbanin atë lëmsh lemerish Atlasët dhe Herkulët, ata do mirnin malet me lemeri, do dilnin nga mitet e legjendat dhe do bëheshin roje stanesh te ndonjë fshatar si ky që tregojmë.
Petrit Ruka hyri brenda këngës, e ngrohu me vlagën e shpirtit të tij, fijet u bymyen dhe ai kapi një fill të hollë fare dhe nisi, jo ta tërheqë por ta shtrijë nëpër vargje. Do ti që ai fill u bë i gjallë dhe nisi të marrë dhe fillin e vargut të poetit tonë, u mbleks me të, u shtri në të, u ndrit e u rinua me të dhe Petriti vetë na e pruri në këtë poezi. Kjo është e vetmja “teknikë” e zhbleksjes së lëmshit të artit gojor, të hysh brenda tij e të bashkohesh me të. Këtë “teknikë” Petrit Ruka e zbatoi dhe në “rikrijimin”(që më mirë do ishte ta quanim “ringjallje”) të baladave, “teknikë” që e zotëronte vetëm ai dhe si ai.
Janë përpjekur para tij me dhjetra shkrimtarë, poetë e studiues të artit gojor por kanë dështuar pse ata e “shihnin” lëmshin nga jashtë. Se si i ra ndër mend Petrit Rukës të hynte brenda dhe si hyri brenda këto janë punë gjenish që nuk i kuptojmë dot ne të gjallët e vdekshëm.
III-Siç thamë, Petrit Ruka na dha këtë poezi, përmbajtja e të cilës ndjek një rrjedh emocionale dhe jep një portret të sinqertë të ndjesive të poetit, sepse duhet të pranojmë që Petrit Ruka ishte një ndër poetët më të sinqertë në letërsinë shqipe.
Vargjet e para të poezisë, që realisht janë vargjet e para të këngës popullore na paraqesin një ankth të pashpjegueshëm, në imazhin metaforik të “lëmshit në zemër”, por edhe të dilemës kujt t’i drejtohet për t’i kërkuar ndihmë.
Si shqiptar, poeti popullor dhe Petrit Ruka i drejtohen malit, për vetë marrëdhëniet që ka njeriu shqiptar me ‘të, por ja që ky personifikim bashkëbiseduesi nuk del i suksesshëm, sepse në qoftë se te kënga popullore “Malet më largohen”, te poeti ynë malet jo vetëm që largohen, por shfaqen armiqësorë pasi “Mjegull vënë përpara, /Sytë më qorrohen”, thua se duan ta lenë aty me atë lemeri lëmsh. Nuk është hera e parë që edhe malet “na kthejnë shpinën”.
Te strofa e dytë kemi një qëndrim qesëndisës të poetit kur sheh se “gratë zbukurohen” që nënkupton se ato vishen nuse, por gjithsesi ëndërrave të rinisë “Tek vitet e mia,/Këmbët u pengohen/Në prag të mëshirës/Zemrat u ngat’rrohen”. Shumëkush këto vargje i çmon si me humor, por unë ju them se poeti “qesh” që të mos qajë, ose më saktë që të mos ulërijë nga dhëmbja e kujtimeve a ëndrrave të braktisura që ai ndjen.
IV-Befas poeti del nga shtrati i këngës popullore, asnjë varg për fushat që zbukurohen, pasi “zbukurimin” ua dhuroi grave dhe del në rrugë: “T’ju ankohem këngëve,/Këngët hidhërohen,/Sa shtrohen mbi letër,/Zënë e vjetërohen,/S’i plakat në dimër,/Nxijnë dhe sterrohen”.
Dikush do pyesë se: ç’është kjo zezonë që po sjell në vargje Petrit Ruka i bardhë, por unë ju them se vargjet e poetit i nxiu koha. Çfarë kënge të “bukur” mund të shkruajë në këtë kohë të zymtë, te cila shpresë , te cila ëndërr ta ngjyejë penën që fjalët të cicërijnë si zogj nëpër vargje? Edhe kaq sa ka bërë, ka bërë shumë, ka shtrydhur pikat e fundit të ëndrave, i ka ushqyer me gjakun e tij dhe ka bërë që ato të çelnin “gjethen” e parë të shpresës. Kaq mund të bënte poeti, pjesa tjetër u takonte të tjerëve, atyre që jo vetëm nuk e bënë, por goditën poetin që mos ti uhqente ëndërrat e tij për ne.
Në qoftë se strofa: “T’ju rënkohem shokëve, /Shokët më rrallohen, /Të gjithë ndrrojnë adresat, /Në varreza shtohen./O ky lëmsh në zemër,/E di, … që do helmohem” ka një tis realiteti, strofa tjetër ulërin me kujë: “T’i ankohem zemrës,/Lëmshi më zmadhohet,/Si qebap kafeje, /Mbi zjarr rrotullohet”, sepse sa do durojë e shkreta zemër, një anije me dërrasa të vjetra në tufanin e oqeanit? “Lëmshi më zmadhohet” thotë poeti dhe ne na bëhet një gulç në grykë, sepse ai lëmsh i tij ishte shtuar dhe me një fill më tepër e ne s’e ndihmuam dot.
Shpesh disa shokë më thoshnin se Petrit Ruka ishte ironik në poezi dhe për të ma vërtetuar më citonin vargje dhe strofa. Unë gjithnjë kam këmbëngulur që Petrit Ruka ishte ndër më seriozët në poezinë shqipe, madje edhe kur shkruante vargje që tingëllonin si me humor, ai ishte tepër serioz, pse ishte “ngushtuar”, ishte rrethuar nga “hallet” dhe shmangien prej tyre e shihte te shtegu i ngushtë i “humorit” (në dukje) ku hallet e brengat e “trashura” nuk kalonin dot.
Lexojeni strofën e fundit: “T’i ankohem vdekjes, /Veç ajo gëzohet, /Si vejushë e djegur, /Zë e më afrohet, /Me mua të gjorin, /Vdes që të martohet” dhe shikoni kontrastin në vargje: Vdekja gëzohet dhe si vejushë i afrohet, pse me atë të gjorin ajo “vdes” që të martohet. A nuk ju kujtohet kënga “Mbeçë more shokë mbeçë” me vargjet befasuese:
”Në pyettë nëna për mua /I thoni që u martua /Në pyettë se çgrua mori /Tre plumba për kraharori /Në pyettë se çklrushq i vanë /Korbat dhe sorrat ta hanë”. Pas kësaj qasjeje kush mund të thotë se Petrit Ruka thurte vargje me humor, veç po të shtojmë: “me humor të zi”.
‘V-Veç se me vargjet e fundit të poezisë së Petrit Rukës; ”Kam një lëmsh në zemër,/Po kujt i besohet”?! mund ta mbyll këtë shkrim, duke ju thënë se vërtet Petrit Ruka kishte një lëmsh të madh në zemër. Besojeni dhe ju siç e besova unë.
Sarandë, më 20 prill 2023
ObserverKult
—————
Lexo edhe: