Pse shkon në Kishë, kur t’i nuk beson në Zot?
Zoti, nuk voton, por kardinalët po,- u përgjigj politikani i njohur italian Andreoti.
Kjo përgjigje ndoshta vlen për pyetjen: çfarë kërkojnë politikanët dhe qeveritarët në iftaret e besimtarëve myslimanë?
Edhe muaji i shenjtë i Ramazanit, një nga pesë shtyllat e besimit islam nuk i shpëtoi spektaklit (të shëmtuar) politik. Këtë vit shfaqja u rëndua për shkak se përkoi me fushatën zgjedhore.
Gjatë këtij muaji të shenjtë, asnjë thërrime bukë dhe asnjë pikë uji nuk kalon në gojën e agjëruesit nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij.
Është vendim individual. Askush nuk të mbikqyr. Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga ushqimi dhe pijet për një muaj të plotë.
Por ata që besojnë e bëjnë me lehtësi këtë akt devotshmërie dhe sakrifice për t’u afruar më shumë me Zotin.
E bëjnë për të festuar dhe kujtuar shpalljen e Kuranit si një dhuratë ndaj njerëzimit.
Privimi nga ushqimi/pijet është një kujtesë për shoqërinë e sotme të konsumit se po konsumojmë më shumë se ç’duhet. Është një kujtesë për ata që kanë se çfarë do të thotë të jesh i uritur/etur.
Është rast për të shprehur mirënjohjen për atë që ke, është një muaj që më shumë se për trupin besimtari kujdeset për “ushqimin” e shpirtit.
Agjërimi ndërpritet në mbrëmje me iftarin. Iftari është një ngjarje festive kur ndahet me miq dhe familjarë.
Pyetja është çfarë i bën bashkë në një tavolinë njerëzit që besojnë në Zot me ata që për Zot njohin vetëm pushtetin/paranë?
Çfarë kuptimi ka një iftar kur politikania/ministria shkruan në facebook: “Këtë herë në iftarin e shtruar në respekt të besimtarëve të ZAZ 3, 4, 5,”?
Të paktën ky është një deklarim i sinqertë. Por më kulmi i hipokrizisë është kur dëgjon fjalime të bukura nga ata që urinë e provojnë vetëm kur është fjala për pushtet?!
Dhe në këto raste të kujtohet proverbi: gjuha është për të fshehur mendimet!
Pse nuk lënë rast politikanët për të shkuar në xhami/teqe/kishë? Përgjigjen e jep historia e rinisë së një intelektuali par excellence:
“Babai im me pyeti një ditë, kur isha mjaft i ri: A e di ti përse shkojnë njerëzit në kishë? Unë iu përgjigja: për të bërë shërbesat fetare.
– Jo, më tha babai, ata shkojnë për me pa dhe me u pa!”
Nuk ka qenë vetëm kjo hipokrizi arsyeja që 7 vite më parë Kisha Katolike ia mbylli derën politikanëve, pushtetarëve dhe ambasadorëve për Krishtlindje.
“Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe e atyre që janë në skajet e shoqërisë tonë”.
Është koha që komuniteti mysliman, si komuniteti më i madh fetar në Shqipëri, të japë shembullin e tij, duke i mbyllur derën politikanëve/pushtetarëve në rastin e festave fetare.
Le të jetë feja dhe politika si uji me vajin, të qëndrojnë bashkë, por pa u përzier me njëri tjetrin!
Lë të marrë Çezari atë që i përket Çezarit dhe Zoti gjërat që i takojnë atij…
Nëse liderët e komuniteteve fetare bëhen urë që politikani të mbërrijë te votuesi i varfër, atëherë ata bëhen shkesë të një martesë toksike.
Është koha për divorc/distancim sepse përndryshe produkti i kësaj “dashurie” do të jetë një koktejl i hipokrizisë dhe luftës për pushtet.
ObserverKult
Lexo edhe:
LUTFI DERVISHI: PO SIKUR TË PROVONIM AGJËRIMIN DIGJITAL?
Nga Lutfi Dervishi
Po sikur të provonim agjërimin digjital?
Të shkëputemi, jo për një muaj, por le të themi për tre ditë nga bota digjitale për t’u rilidhur me atë reale.
Si fillim duhet thënë se agjërimi digjital mund të jetë më i rreptë se agjërimi i zakonshëm.
Nëse gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit ke syfyr dhe iftar, agjërimi digjital mund të mos jetë kaq bujar.
Nuk bëhet fjalë vetëm për të kaluar telefonin në silent, apo për ta fikur atë disa orë. Jo!
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult