“U pranova falas”/ Flasin artistët që morën pjesë në masterclassin e Ermonela Jahos: Xhelozi e fodullëk nga pedagogët…

ermonela jaho
Ermonela Jaho

Ndërsa ende vijon debati për mungesën e pedagogëve dhe të studentëve të  Arteve në masterclassin 5-ditor që mbajti sopranoja Ermonela Jaho në Tiranë, dy artistët e rinj Rovena Xhelili dhe Xhon Jesku që iu bashkuan trajnimit rrëfejnë eksperiencën.

Këngëtari lirik flet për mundësinë e presionit dhe të xhelozisë nga pedagogët e Arteve. Ai thotë se çdo student që do të kishte trokitur, do ishte pranuar falas.

Ermonela Jaho, pas eksperiencës shqiptare të masterclassit, mori pjesë në mbrëmjen gala të Forumit të Muzikës, ku iu dorëzua çmimi “Artistja e Vitit”…

Në 21 prill në Poloni, ajo ishte në qendër të vëmendjes mes 26 artistëve më të mirë të përzgjedhur nga juria prestigjioze e Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike…

Pas, në Shqipëri, la një valë të ndezur debatesh. Kjo, pasi që bëri publikisht me dije se në masterclass-in 5 ditor (14-18 prill) të mbajtur në Teatrin e Operas, artistët shqiptarë ishin të paktë, nga 12 pjesëmarrës.

“Kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Dhe do doja të shikoja ca pedagogë të mi, kolegë të mi, që vinin për të shkëmbyer këtë lloj eksperience”, u shpreh Jaho.

Deklarata e sopranos së njohur, nuk u prit mirë nga disa prej pedagogëve të “Arteve”.

Mes tyre tenori Josif Gjipali tha se leksionet e lirikës i ka marrë nga mjeshtërit më të mirë. Dhe për këtë nuk e shihte të nevojshme pjesëmarrjen në këtë masterclass.

Ndërsa “u doli në krah” studentëve të “Arteve”, duke mbrojtur aftësinë e tyre për të kënduar… Të tjerë zëra publikë, mbështetën sopranon…

Por, entuziazmi pozitiv vihet re tek ata artistë të rinj që u bënë pjesë e trajnimit. Sopranoja Rovena Xhelili është një prej tyre.

“Ishte njeri shumë pozitiv, shumë energjike. Në çdo moment përpiqej të të motivonte sa më shumë.

Të të jepte sa më shumë nga vetja, duke na thënë: “Nëse unë ja dola, edhe ti mund t’ia dalësh”, shprehet sopranoja Xhelili.

Ndonëse Jaho siç bëhet me dije, erdhi në teatër pa asnjë lloj pagese. E shuma simbolike prej 50 eurosh në ditë (25 euro për dëgjuesit, për studentët bëhej zbritje), u diktua nga disa prej opinioneve si një pengesë e mundshme për studentët.

Por, këngëtari lirik Xhon Jesku, i cili iu bashkua masterclassit si dëgjues në ditën e fundit, thotë se u pranua falas.

Dhe se, sipas tij, dyert do të ishin hapur për çdo të ri që do kish trokitur për të marrë pjesë…

“Nuk kishte asnjë polic te dera, as tek holli. Madje nuk kishte një klasifikim as nga vetë këngëtarja Jaho për ata të cilët mund të kishin paguar ose jo.

Në shumicën e rasteve nuk mund të justifikohej një pedagog vetëm prej pagesës. Nuk mund të justifikohej një pedagog vetëm prej saj. Dhe nëse për dikë ishte e papërballueshme, gjenden mënyra të tjera.

Nuk mendoj se nuk do të kishte pranuar zonja Jaho dhe Teatri i Operas për një student vërtetë në nevojë”, shprehet ai.

Jesku, i cili ka përfunduar studimet tek “Artet” prej pak muajsh, tregon nëse në Universitetin e Arteve, ekziston ndonjë formë presioni nga pedagogët.

Rivalitetin mes artistëve vendas e emrave si Ermonela Jaho, ai nuk e përjashton.

“Të pranojmë që jemi një shoqëri e shtypur. Pedagogu i kantos luan një rol shumë të rëndësishëm. Ai krijon një afrimitet shumë të madh me ty. Detyrimisht sado i drejtë apo i pavarur mund të jesh dhe ta edukosh veten tënde si të tillë përsëri ndikon.

Nuk po them se të gjithë por patjetër që ekziston, për më tepër që komuniteti artistëve e ka më të theksuar këtë pjesën e xhelozisë”, shton ai.

Për të kjo eksperiencë shënon një moment të veçantë. Ndërsa për trajnimin e plotë thotë se pret tetorin e rikthimit të sopranos./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

DISA SHQIPTARË NUK E VLERËSOJNË, POR ERMONELA JAHO U SHPALL “ARTISTJA E VITIT” NGA ICMA

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho së fundmi është shpallur “Artiste e Vitit”. Çmimi është ndarë nga International Classical Music Awards, për 2023.

Kështu ka njoftuar ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, përmes rrjeteve sociale..

Ajo ka falënderuar sopranen për pjesëmarrjen e saj në masterclassin e organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult